EKSKLUZIVE/ Redon Xhixha mban pezull Tiranën: Flasim në janar! Botërori? Dëshiroj ta fitojë Ronaldo ose Mesi (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2022 | 20:52

EKSKLUZIVE/ Redon Xhixha mban pezull Tiranën: Flasim në janar! Botërori? Dëshiroj ta fitojë Ronaldo ose Mesi (E PLOTË)

Redon Xhixha rrëfen se nuk e ka refuzuar Ko mbëtaren, por një vizitë në Greqi e bëri të humbiste ftesën kuqezi. Në një intervistë për “Panorama Sport”, sulmuesi kryesor i bardhebluve foli për të ardhmen, por jo vetëm. Xhixha preku Partizanin, golat e munguar, duke premtuar se do të jenë më shumë këtë fillim kampionati, ndërsa shpreson që bardheblutë të fitojnë Superkupën e Shqipërisë.

REDON XHIXHA

Redon disa ditë pushime të kaluara në Greqi, pas një fillimsezoni bombë?

Pushimet shkuan mirë. Aq ditë sa kishim pushim u munduam të pushonim pak dhe të qetësoheshim.

Ju vjen keq që nuk ishit me Kombëtaren dhe humbët një shans të madh për kuqezinjtë?

Do të doja të isha në grumbullim me Kombëtaren, por ndoshta duke qenë se kisha lëvizur jashtë vendit, trajneri mendoi për një emër tjetër. Mendoj në të ardhmen, nëse do të bëj mirë shpresoj të më vijë sërish ftesa.

Vjet plot asiste dhe gola, sivjet më pak asiste dhe më shumë gola, dhjetë të tillë. Çfarë ka ndryshuar?

Të dyja kanë vlerën e tyre. Sigurisht jam i lumtur me golat e shënuar, por pres të shënoj akoma më shumë.

Për ata që mendojnë se e keni refuzuar Kombëtaren çfarë fjalësh keni për të thënë?

Këto janë fjalë të kota. Kurrsesi nuk do ta refuzoja ftesën nga Kombëtarja. Është nder të luaj për ngjyrat kuqezi.

Skuadra do të jetë pushim këto javë, ndërsa e nisni me Vllazninë për Superkupën e Shqipërisë. Mund ta fitoni trofeun e parë?

Kampionati është në pauzë, por ne jemi rikthyer në stërvitje. Tashmë jemi të fokusuar te ndeshja e Superkupës që mendoj se kemi kohë mjaftueshëm për ta përgatitur. Dhe sigurisht që besojmë se do ta fitojmë Superkupën.

Katër javë pa gol, por të gjithë duan golin tuaj në kampionat apo edhe në Superkupë?

Po, është e vërtetë që janë bërë disa ndeshje që nuk kam shënuar. Nga ana tjetër kampionati është i gjatë. Patjetër do të shënoj sërish, por nuk ka shumë rëndësi nga vjen goli. Mjafton të fitojmë ndeshjet pastaj golat janë në plan të dytë.

Flitet shumë për një lëvizje në janar. Ka gjëra konkrete nga ndonjë kuadër e huaj?

Ka akoma kohë deri në janar, për momentin jam i fokusuar te Tirana. Kjo është kryesorja.

Në vend të parë me Partizanin. Ky dualizëm do të vazhdojë deri në fund të kampionatit?

Partizani është skuadër me kualitet, po ashtu edhe ekipet e tjera. Kampionati është i fortë dhe mendoj se janë aty me meritë. Ne do të bëjmë maksimumin që të jemi ne përsëri kampionët e Shqipërisë.

Meqë jemi në kohë Botërori, me cilën skuadër bëni tifo në këtë kampionat?

Skuadra ime nuk është në Botëror, sepse jam tifoz i Italisë, por kam dëshirë të fitojë njëri nga Ronaldo ose Mesi, për shkak se mund të jetë Botërori i fundit për ta dhe për dominimin që kanë bërë gjithë këto vite në futboll.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"