EKSKLUZIVE/ Realizoi për herë të parë në Bundesligë, Gjasula: Goli lutje për Shqipërinë, ja pse bëra shqiponjën (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 2, 2019 | 23:54

EKSKLUZIVE/ Realizoi për herë të parë në Bundesligë, Gjasula: Goli lutje për Shqipërinë, ja pse bëra shqiponjën (E PLOTË)

Bundesliga ka qenë një ëndërr dhe e realizoi me Paderbornin. Por nën helmetën prej gladiatori, Klaus Gjasula tregon se nuk dorëzohet me kaq dhe se ai me Paderbornin do të sigurojnë mbijetesën edhe për një tjetër sezon. Pas 13 javësh, mesfushori kuqezi shënoi të parin gol ndaj Lajpcigut dhe për nder të vuajtjeve që po kalojnë shqiptarët formoi shqiponjën me duar.

gjasula

“Nuk kisha përgatitur bluza me shënime, pasi nuk ndodh që unë të shënoj. Por Zoti e deshi që të bëj gol atë ndeshje që të tregoja shqiponjën”, tregon ekskluzivisht për “Panorama Sport” kapiteni i Paderbornit dhe mesfushori i Kombëtares shqiptare.

Shënuat golin tuaj të parë në Bundesligë, cila ishte ndjesia e atij momenti?

Gjëja e parë që mendova në atë moment ishte që të tregoja shqiponjën tonë me duar. Veprim për të treguar se të gjithë e kemi mendjen tek ajo që po kalon Shqipëria prej tërmeteve, kudo ku ndodhemi në shtete të tjera. Jemi me mendjen te ju. Nuk kisha bërë ndonjë bluzë me shënime, flamur ose ficka gati pasi unë nuk jam një lojtar që bëj gola, por e deshi Zoti këtë herë që të mund të tregoj të paktën një gjë të vogël të vendit tim.

A keni familjarë në Shqipëri dhe a janë prekur nga tërmeti?

Po, kam. Sepse unë kam vetëm prindërit, motrën dhe vëllain në Gjermani. Kam edhe xhaxhain me familjen në Francë, ndërsa të gjithë të tjerët janë në Shqipëri. Dëme nuk kanë me sa kam folur, por normalisht që janë të prekur. Nuk besoj se ka shqiptarë që nuk e kanë ndierë këtë situatë të rëndë të krijuar. Unë uroj dhe lutem që të mbarojë sa më shpejt kjo situatë e rëndë, të mund të qetësohen njerëzit për të mos pasur më frikë dhe të rregullohet çdo dëm që ka shkaktuar tërmeti.

klaus gjasula

Keni ndërmarrë një nismë të gjithë lojtarët e Kombëtares për të bërë thirrje për ndihmë. Keni gjetur mbështetje nga shqiptarët?

Nuk e di realisht se sa njerëz kemi arritur të bëjmë bashkë, por të gjithë lojtarët e Kombëtares apo edhe të gjithë njerëzit atje në Shqipëri (flet nga Gjermania) kemi dëshirë që të bëjmë sa më shumë njerëz shqiptarë të tjerë në të gjithë botën që të jenë bashkë me këtë kauzë për të ndihmuar. Sepse, sado e vogël që të jetë ajo ndihmë, kur jemi shumë bëhet e rëndësishme dhe me shumë vlerë për ata që kanë nevojë.

Prandaj, në këto momente duhet të tregojmë që jemi një komb i bashkuar dhe të gjithë jemi aty të bashkuar për të kontribuuar me sa kemi mundësi secili në këtë rast të vështirë. Ne lojtarët e Kombëtares e menduam që ta bëjmë këtë thirrje si një lajm të mirë për të ndihmuar cilido që ka mundësi, kudo qoftë nëpër botë.

Secili nga ju ka dhënë edhe nga llogaria e vet?

Normalisht që edhe ne duhet të ndihmojmë. Secili sipas mundësive të veta.

Sa gjatë e kishit ëndërruar dhe a e shijuat atë gol të parë? 

Atë ëndërr e kam pasur që fëmijë…Mirëpo, unë tani nuk jam një lojtar që e ka mendjen të shënojë gola. Në fakt, nuk e di nëse është mirë apo keq kjo gjë, por mendoj në fushë vetëm çfarë duhet të bëj që skuadra ime të fitojë. Nuk e mendoj dhe nuk më intereson fare se kush i shënon golat.

A e keni një dedikim për golin tuaj të parë në elitën gjermane?

Patjetër dhe nuk ka se si të mos jetë si dedikim për familjet që kanë humbur njerëzit e tyre të dashur. Gol si një lutje për dhimbjen që po kalon Shqipëria.

Paraqitjet pozitive kulmuan me gol, keni marrë oferta sepse ju përfundon kontrata në vitin e ardhshëm? 

Kjo gjë do të shihet në pjesën e dytë të kampionatit. Tani për tani jam i fokusuar tek ekipi.

Një fitore pas 13 javësh, a e ka Paderborn organikën e duhur për të përballuar Bundesligën?

Në fakt, ne jemi një ekip i cili është ngjitur në Bundesligë dhe ka ruajtur 95% të skuadrës. Sipas meje, kemi bërë shumë ndeshje të mira, mirëpo nuk kemi pasur fat dhe nuk na ka ecur siç kemi dashur.

Mbijetesa, a mendohet si objektiv i mundshëm në ekip? 

Unë personalisht kam besim tek ekipi ynë. Besoj se do të arrijmë të sigurojmë mbijetesën për të mos zbritur më në Bundesliga 2.

Keni përballuar të gjitha nivelet e futbollit gjerman, si e ndieni veten në elitë?

Në krahasim me kampionatet e tjera, futbolli këtu është më i shpejtë. Lojtarët këtu kanë shumë kualitet, por megjithëse kanë emra të mëdhenj, vë re që unë nuk duhet të fshihem pas asnjërit prej tyre. E them këtë sepse me mundësitë e mia mund të tregoj se kush jam

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"