EKSKLUZIVE/ Realizoi golin e fitores ndaj Partizanit, sulmuesi Gjorgiev: Mbrojmë titullin, do shënoj shumë për Teutën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2021 | 12:12

EKSKLUZIVE/ Realizoi golin e fitores ndaj Partizanit, sulmuesi Gjorgiev: Mbrojmë titullin, do shënoj shumë për Teutën

Autori i golit të vetëm të sfidës dhe që i dhuroi tri pikët e para skuadrës së Teutës në startin e kampionatit, Pepi Gjorgiev, shprehet shumë i lumtur që i dha skuadrës tri pikët. Në prononcim për “Panorama Sport” pas ndeshjes, sulmuesi pohon se këtë gol ia dedikon gjithë ekipit të Teutës, së bashku me tifozët.

Gjiorgev

“Në fakt, jam shumë i lumtur që arrita të shënoj në këtë ndeshje dhe për më tepër që pati vlerën e tri pikëve sepse kënaqësia është më e madhe kur goli i shërben skuadrës. Dua t’ia dedikoj të gjithë ekipit të Teutës, stafit dhe tifozëve që na kanë mbështetur”, u shpreh fillimisht Gjorgiev.

OBJEKTIVAT – Në lidhje me objektivat e skuadrës dhe të atij personal, ai pohoi se skuadra do të kërkojë të mbrojë titullin, ndërkohë që do të përpiqet të shënojë sa më shumë gola, pasi në fund të fundit kjo është detyra e tij. “Jemi skuadra kampione në fuqi dhe duam të mbrojmë titullin. Kemi bërë vetëm ndeshjen e parë dhe kemi marrë fitoren, por shpresojmë të vazhdojmë me këtë ritëm. Personalisht synoj të shënoj gjithnjë dhe të ndihmoj skuadrën. Në fund të fundit kjo është detyra ime dhe do përpiqem të shpërblej me paraqitjet e mia skuadrën”, vijoi më tej sulmuesi durrsak.

FUTBOLLI SHQIPTAR – Sa i përket futbollit shqiptar, Gjorgiev pohon se është ende herët për të dhënë një gjykim të saktë, pasi është luajtur vetëm ndeshja e parë. “Nuk mund të dal në një konkluzion të saktë sa i përket futbollit shqiptar, pasi është vetëm ndeshja e parë”, përfundoi prononcimin e tij për gazetën autori i golit të parë në kampionatin e këtij sezoni, i cili, për fatin e mirë të tij dhe të Teutës i dha tri pikët skuadrës durrsake dhe e nisën me këmbën e mbarë sezonin.

V. MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"