EKSKLUZIVE/ Ranë në Kategorinë e Parë, te Skënderbeu vetëm dhjetë lojtarë janë nën kontratë (LISTA E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 18, 2022 | 14:35

EKSKLUZIVE/ Ranë në Kategorinë e Parë, te Skënderbeu vetëm dhjetë lojtarë janë nën kontratë (LISTA E PLOTË)

Në Korçë po mësohen me faktin se skuadra e Skënderbeut do të luajë në Kategorinë e Parë sezonin e ardhshëm dhe tashmë kanë nisur të mendojnë përbërjen që do të ketë ekipi pas rënies nga elita.

SKENDERBEU 1

Një pjesë e mirë e lojtarëve aktualë do të largohen, ndërsa ata që kanë ende kontratë në fuqi edhe për sezonin tjetër me klubin bardhekuq, janë vetëm dhjetë të tillë.

“Panorama Sport” mëson se Melos Bajrami, Erlis Frashëri, Kosta Vangjeli, Randi Dumfur, Jurgen Vrapi, Ramin Alii, Belajdi Pusi, Ardit Nikaj, Agnaldo Moraesh dhe Elvi Berisha janë aktualisht lojtarët që kanë kontratë me Skënderbeun edhe për vitin tjetër.

Gjithsesi, nuk përjashtohet mundësia që dhe ndonjëri prej tyre të shkëpusë me marrëveshje kontratën dhe të largohet.

Duket se baza për Skënderbeun e ardhshëm do të jenë pikërisht këta dhjetë futbollistë, me ndonjë përjashtim të vogël që pritet të ndodhë me hapjen e merkatos.

Këtyre futbollistëve u shtohen gjithashtu edhe emrat e dy të rinjve që janë prodhim i akademisë, si Kaso dhe Pecani, të cilët do të jenë pjesë e rëndësishme ekipit bardhekuq.

Mësohet gjithashtu se Skënderbeu i sezonit të ri do të bazohet te lojtarët e rinj, ndërthurur me ata me eksperiencë, në mënyrë që të sigurojë menjëherë rikthimin në elitë.

PORTA – Një problem tjetër te Skënderbeu i sezonit të ri që nuk është zgjidhur për momentin, është reparti i portës. Bekim Rexhepi do të largohet në fund të sezonit, pasi i përfundon huazimi në Korçë dhe kontrata e tij është me Shkëndijën e Tetovës.

Ndërsa portieri tjetër, Shkëlzen Ruçi, ende nuk e ka të sigurt qëndrimin e tij në Korçë.

Në këto kushte, drejtuesit janë vënë në kërkim të një portieri të ri dhe emri i parë është ai i “gardianit” të Pogradecit, Herdi Alliu.

23- vjeçari bëri një sezon të mirë me liqenorët dhe konsiderohet një portier me të ardhme, ndaj Skënderbeu është vënë në gjurmët e tij.

Me shumë mundësi, klubi korçar do të tentojë ta afrojë në skuadër portierin që luajti me Pogradecin, por mbetet për t’u parë edhe e ardhmja e elbasanasit Ruçi.

LOJ

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"