EKSKLUZIVE/ “Punuam gjithë javën me presing, edhe në Shkodër për fitore”, Selmani: Triumf i merituar ndaj Partizanit, goli nuk ishte rastësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 13, 2021 | 13:59

EKSKLUZIVE/ “Punuam gjithë javën me presing, edhe në Shkodër për fitore”, Selmani: Triumf i merituar ndaj Partizanit, goli nuk ishte rastësi

Teuta ka fituar ndaj Partizanit me shifrat 1-0 për ta nisur me këmbë të mbarë këtë kampionat të ri. VAR-i kishte kryefjalën e tij, duke akorduar penallti në favor të kryeqytetaseve, por që do të humbej nga Zhunior. Ndërkohë, Teuta ka bërë një bingo të madhe me afrimet e saj. Pikërisht në qendrën e mbrojtjes, ku durrsakët e fituan titullin kampion në sezonin e shkuar, do të kenë të njëjtën lartësi edhe në këtë sezon. Të dy mbrojtësit qendrorë të kampionatit që lamë pas, do të largoheshin, me Arapin që zgjodhi të varte këpucët në gozhdë duke marrë post drejtuesi. Por, mungesa e tij nuk do të ndihet shumë, me sa duket. Adolf Selmani nuk ka shumë nevojë për prezantim dhe që në ndeshjen e parë, ka bërë diferencën duke fituar çdo duel të mundshëm, për të futur në “xhep” Zhuniorin, duke e bërë të duket “i vogël” dhe duke i kufizuar aftësitë dribluese që zotëron. Për “Panorama Sport Selmani shprehet se te Teuta ka gjetur mbështetje nga të gjithë dhe fitorja ndaj Partizanit, erdhi si pasojë e asaj që ekipi kreu gjatë seancave stërvitore. Mbrojtësi pëlqen shumë futbollin anglez dhe merr shumë mësime nga mbrojtësit më të mirë në ishullin britanik.

ADOLF SELMANI

E nisët me një fitore ndaj Partizanit, në një ndeshje ku pati shumë të veçanta, që nga goli juaj i shpejtë, nga penalltia e Partizanit me VAR që u humb, çfarë ju bëri më shumë përshtypje?

Po, e vërtetë. U bë një lojë shumë e fortë dhe e bukur nga të dyja skuadrat. Sa i përket golit, jo rastësisht erdhi ai gol, pasi trajneri na e ka ushtruar gjatë gjithë javës fazën e presingut lart, vendosjen në fushë dhe shpirtin e garës, që duket qartë te të gjithë çunat.

Duket që jeni ambientuar shume shpejt te Teuta. Jua ka bërë më të thjeshtë Ivanoviç që është një lojtar me eksperiencë, si ndiheni me të në mbrojtje?

Tek ekipi i Teutës gjeta mbështetje, përkrahje, ngrohtësi nga presidenca, stafi dhe lojtarët, që ma kanë bërë me të lehtë ambientimin tim, sigurisht edhe me Ivanoviçin. Është një lojtar shumë i mirë që ka eksperiencën e duhur. Po ambientohemi së bashku dhe japim maksimumin për të ndihmuar njëri-tjetrin dhe për ekipin.

Keni luajtur me maskë këto ndeshje me Teutën, çfarë ka ndodhur? E dimë që keni thyer hundën, por deri sa do të vazhdoni kështu apo ju sjell fat maska dhe s’do ta hiqni?

Po, e vërtetë, kam luajtur me maskë këto ndeshje, sepse kisha një frakturë në hundë, por që së shpejti shpresoj ta heq maskën dhe të luaj pa të.

ADOLF SELMANI 1

Ku e shihni këtë Teutë deri në fund të sezonit, mund të jetë pretendente kryesore për titull?

Teuta normalisht synon për të gjithë trofetë, kështu që ne kemi për detyrë të japim maksimumin dhe t’i marrim ndeshjet një e nga një.

Si e shikoni ndeshjen e radhës ndaj Vllaznisë, pasi edhe ata vijnë pas një fitoreje në Laç? Meqë luani në transfertë, do të pranohej një barazim?

Vllaznia është një ekip me traditë në Shqipëri, e respektojmë, për të do të punojmë gjatë javës nën urdhrat e trajnerit dhe besoj do t’ia dalim të fitojmë.

Cili futbollist botëror është idhulli juaj?

Mua më pëlqen shumë futbolli anglez, mbrojtësit atje janë shumë të mirë dhe të përgatitur fizikisht. Unë shikoj shumë ndeshje të kampionatit anglez dhe mundohem të fitoj më të mirën prej gjithsecilit.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"