EKSKLUZIVE/ “Punova me servilë te Kukësi”, rrëfehet Shameti: Me mua, Duro do e kishte më të lehtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 11, 2019 | 22:11

EKSKLUZIVE/ “Punova me servilë te Kukësi”, rrëfehet Shameti: Me mua, Duro do e kishte më të lehtë

Kukësi nuk po kalon një moment të mirë në kampionat. Tri humbje në vetëm shtatë javë e kanë trazuar situatën, edhe pse bindja e drejtuesve apo e trajnerit është se kjo skuadër do të jetë deri në fund në luftë për titullin kampion.

ylli shameti

Një nga problemet që ka pasur ekipi i Shpëtim Duros në këtë periudhë ka qenë pikërisht mbrojtja. Largimi i ishkapitenit Ylli Shameti dhe qendërmbrojtësit Ardian Cuculi kanë hapur një “gropë” të madhe në prapavijë. Të dy lojtarët zgjodhën të vazhdonin karrierën në Kosovë, respektivisht te Gjilani dhe Drita. Shameti ishte i pafat në aventurën e re, pasi u dëmtua dhe menjëherë iu nënshtrua operacionit në gju. Ish-kapiteni që ka fituar një titull kampion, dy Kupa të Shqipërisë dhe një Superkupë si pjesë e Kukësit, në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport” flet për largimin pas 6 vitesh, reagimin ndaj trajnerit Duro, raportin me Gjicin, si edhe për ata që i etiketon si “servilë”.

35-vjeçari iku nga Kukësi pas 143 ndeshjeve në Superiore, 27 në Kupë, 2 në Superkupë, 10 në Ligën e Europës dhe 6 në Ligën e Kampioneve me fanellën e verilindorëve. Në gjashtë vite, edhe pse një qendërmbrojtës tipik, ai shënoi në total 14 gola dhe u bë protagonist me 15 asiste për gol në kampionat dhe Kupë.

kukesi shameti

U transferuat në Kosovë, por u dëmtuat rëndë. Çfarë ndodhi dhe kur mund të riktheheni në fushë?

Pasi e mbylla kontratën me Kukësin, më pëlqeu projekti që kishin drejtuesit e Gjilanit. Mirëpo, fatkeqësisht në stërvitje dy ditë para ndeshjes së javës së tretë të kampionatit kosovar, pësova një dëmtim për të cilin mjekët më sugjeruan operacionin në gju. Shpresoj të kthehem nga fundi i nëntorit, por gjithmonë do të jenë mjekët ata që do të vendosin.

Në ato pak ditë stërvitje me Gjilanin, çfarë ju bëri përshtypje?

Kemi një ekip të mirë, që së bashku me trajnerin Mezani po bëjnë një punë shumë të mirë. Pa dyshim ajo që më ra në sy në ditët që u stërvita në Gjilan ishte dëshira e madhe e drejtuesve të klubit dhe tifozëve në mbështetje të skuadrës.

Shameti

Si ju janë dukur këto 7 javët e para të Kategorisë Superiore, ka diçka që ju ka befasuar?

Mendoj se ky kampionat në letër ka nisur me disa favoritë për vendet e para, si Kukësi, Partizani, Tirana apo Teuta. Në këto 7 javë kam parë që ekipet që kanë qenë pragmatiste, kanë marrë maksimumin në ndeshjet që kanë zhvilluar.

Nga Kukësi u larguat me polemika, duke ironizuar edhe trajnerin Shpëtim Duro. Pse u kapët me këtë të fundit?

Mua më mbaroi kontrata. Biseduam me presidentin Gjici dhe nuk ramë dakord për shumë gjëra. Sa i përket trajnerit Duro, ai është koshient që me mua në ekip do t’i kishte pasur gjërat më të lehta për t’i arritur.

ylli shameti

Gjithsesi, Duro ka thënë se është i bindur që ju jeni penduar për ato që keni shkruar në rrjetet sociale pas finales së Superkupës…?

Çdo njeri në jetë merr “feedback”-un që i takon. Unë jam njeri që nuk bëhem pishman për gjërat që bëj, sepse i bëj të mirëmenduara dhe me koshiencë të plotë.

Çfarë ju zhgënjeu më tepër pas largimit nga Kukësi dhe a i ruani ende kontaktet me lojtarët?

Nga njerëzit servilë, zhgënjimi nuk duhet të merret në konsideratë. Në jetë disa gjëra ndodhin që të njohim më shumë ata me të cilët kemi punuar.

Shameti2

Si ka qenë raporti juaj me presidentin Gjici në gjashtë vite te Kukësi dhe a mund të na thoni se për çfarë keni debatuar më tepër?

Unë mendoj se ka qenë raport korrekt si pasojë e punës sime në ekip. Jo më kot më besoi çelësat e Kukësit, duke më graduar si kapiten. Kemi arritur shumë suksese në këtë mënyrë. Me presidentin Gjici mund të debatosh vetëm për rezultatet. Në fund të fundit ai na bashkonte për të arritur objektivat. Kanë qenë debate konstruktive, në të mirë të punës.

Kukësi nuk po kalon një moment të mirë, teksa në 7 ndeshje ka pësuar tri humbje. Çfarë nuk shkon sipas jush?

Me thënë të drejtën prisja më shumë në këto 7 javë, duke ju referuar ekipit në letër, por me sa duket disa lojtarë nuk e kanë eksperiencën e duhur për ta nxjerrë nga situata jo pozitive gjatë lojës, po ashtu edhe nga ndeshja në ndeshje.

Cilët mendoni se do të jenë pretendentët kryesorë për titullin këtë vit?

Është herët akoma për të thënë emra. Unë vazhdoj të jem përkrahës i Kukësit në Shqipëri.

Keni ndonjë peng nga karriera dhe a mendoni se mund të ktheheni sërish ai lojtar që arriti kulmin te Kukësi edhe në Kosovë?

Gjithmonë ka pengje në rrugën e gjatë të futbollit, por njeriu duhet të shohë para pa pishmane. Për momentin po bëj maksimumin që të rikthehem aty ku kam qenë. Shpresoj dhe kam besim se do rikthehem të bëj gjëra shumë të mira edhe me ekipin tim, Gjilanin.

Skuadra e vendlindjes suaj, Luftëtari, por gjithashtu Flamurtari, janë në fund të tabelës. E prisnit këtë ecuri?

Për luftëtarin pa dyshim më dhemb kur e shikoj në fund të tabelës dhe uroj ta marrë veten në vazhdim. Ndërsa Flamurtari po trashëgon problematika vit pas viti, gjë e cila përkthehet në rezultate negative.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"