EKSKLUZIVE/ PS mban në “survejim” edhe De Biazin, zbulohet patronazhisti i ish-trajnerit të Kombëtares

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 21, 2021 | 17:15

EKSKLUZIVE/ PS mban në “survejim” edhe De Biazin, zbulohet patronazhisti i ish-trajnerit të Kombëtares

Kohë të çuditshme për Xhani de Biazin. Pasi i kërkuan të rikthejë pasaportën diplomatike pak javë më parë, trajneri italian që udhëhoqi Kombëtaren shqiptare drejt kualifikimit në Europianin 2016 paska qenë në “survejim”.

de biazi

Po, pra bash ai, Xhani De Biazi e paska pasur një patronazhist nga PSja që raportonte në parti rreth ish-trajnerit kuqezi dhe ajo çka e trazon më shumë situatën është se patronazhisti i Xhani De Biazit quhet Alban Hoxha. Ta saktësojmë që në fillim: nuk ka asnjë të dhënë që konfirmon se kemi të bëjmë me portierin e Partizanit dhe të Kombëtares shqiptare.

Në listën që po qarkullon tashmë prej ditësh dhe që është shndërruar në një debat kombëtar, figurojnë dhjetëra persona me të njëjtin emër dhe mbiemër me atë të portierit të Partizanit.

f

Faksimile e të dhënave për trajnerin Xhani De Biazi

Pra, ka shumë me emrin “Alban Hoxha” në atë listë, ndaj patjetër që duhet theksuar se mund të jetë një koincidencë që emri i patronazhistit të Xhani de Biazit të përkojë me atë të futbollistit të njohur.

Madje, duke njohur edhe natyrën e Alban Hoxhës, ka shumë të ngjarë që portieri të mos ia ketë idenë hiç se çfarë është saktësisht patronazhisti…

“I PASIGURT”

Nga të dhënat që ka raportuar patronazhisti i De Biazit, ai e cilëson ish-trajnerin e Shqipërisë si një votues “jo të sigurt” për PS-në. Ndërkaq, në tabelë mungon numri i telefonit të trajnerit, ndryshe nga mijëra qytetarë të tjerë që e kanë numrin në atë listë. Kjo ndoshta, sepse prej 4 vitesh De Biazi nuk jep asnjë të dhënë në “e-albania”, pasi është larguar nga detyra që mbante si trajner i Shqipërisë dhe sot drejton Azerbajxhanin. Kujtojmë që trajneri italian ka edhe nënshtetësinë shqiptare dhe ka votuar në zgjedhjet e vitit 2017.

PROBLEMI I PASAPORTËS

Pak ditë më parë Ministria e Punëve të Jashtme njoftoi FSHF-në se të gjithë ata që ishin pajisur me pasaportë diplomatike për kualifikimin në Europian duhet të dorëzojnë dokumentin brenda muajit qershor të këtij viti. Kjo indinjoi pa masë ish-trajnerin e Shqipërisë, i cili e konsideroi fyese dhe jokorrekte që ta rikthente dokumentin.

“Ky dokument (pasaporta diplomatike) më është dhënë në shenjë mirënjohjeje dhe skadon pas pesë vitesh. Pse duhet ta kthej tani? Unë nuk i kam bërë asnjë të keqe Shqipërisë dhe nuk ia kam nxirë kurrë imazhin asaj”, pat deklaruar De Biazi për “Panorama Sport” rreth kësaj çështjeje.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"