EKSKLUZIVE/ “Provë force, Tirana do të provojë fitoren në derbi ndaj Partizanit”, Shehi: Historia tregon se… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 2, 2022 | 14:35

EKSKLUZIVE/ “Provë force, Tirana do të provojë fitoren në derbi ndaj Partizanit”, Shehi: Historia tregon se… (E PLOTË)

Orges Shehi është i bindur se skuadra e tij do të shkruajnë një tjetër faqe të historisë në derbin me Partizanin. Pak më shumë se 24 orë nga sfida me të kuqtë, Shehi flet për takimin në sfidën vitrinë të Superiores. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri i Tiranës analizon sfidën me kundërshtarët e krahut tjetër të kryeqytetit. Shehi thotë se nuk ka zili askënd te Partizani dhe këto ndeshje janë të ndryshme sa herë që luhet. Në fund, trajneri pranon se do të kënaqej nëse do të dilte parashikimi i Taulant Seferit që bardheblutë do të fitojnë 3-1.

ORGES SHEHI

Do të luani me Partizanin ditën e diel. Një ndeshje vitrinë për Kategorinë Superiore?

Është e vërtetë. Do të luajmë një ndeshje që është vitrina e kampionatit shqiptar. Ndeshje të tilla, si skuadra dhe opinioni mezi i presin. Dihet shumë mirë se çfarë adrenaline prodhon kjo sfidë. Jemi munduar që ta përgatisim sa më mirë takimin, sigurisht me aq ditë sa kemi pasur në dispozicion pas Kupës së Shqipërisë. I gjithë përqendrimi është te kjo ndeshje që është vitrina e futbollit shqiptar.

Partizani është në vendin e parë, ju më poshtë, ndërsa nga Kupa ju vini me fitore dhe ata me barazim. Ndikon kjo gjendje në përballjen e së dielës?

Unë mendoj se është shumë shpejt, sepse është shumë shpejt për të folur. Jo vetëm gjatë këtij fillimi, por dhe gjatë gjithë kampionatit në derbi është parë që renditja nuk ka kurrfarë rëndësie. Në këtë takim, çdo rezultat zerohet. Nuk llogaritet çfarë ke bërë më parë, por niset nga fillimi

Tani mund të themi se derbi është i Shehit, sepse keni pesë takime që nuk humbisni?

Nuk mendoj kështu. Nuk ka derbe të personalizuara. Janë dy skuadra që gjatë historisë së tyre kanë pasur situata të tilla. Ndeshja është e re, një histori tjetër. Një faqe e bardhë e librit të historisë së këtyre përballjeve. Do të shohim se çfarë do të shkruhet në atë faqe të librit…

Faqja e bardhë e librit është përpara. Shehi dhe Tirana kanë mundësi që të marrin fitoren?

Patjetër që ne kërkojmë të futemi në fushë për të dhënë dhe marrë maksimumin nga ajo sfidë. Do të mundohemi që në këtë ndeshje të jemi të tillë, sepse vetë historia na e jep këtë të drejtë që të mendojmë që Tirana hyn në ndeshje për ta fituar.

Cilin nga lojtarët do të donit të hiqnit nga kundërshtarët?

Partizani dhe çdo skuadër tjetër nuk besoj se varet nga individë. Çdo skuadër ka ansamblin e vet dhe diku në një moment shkëlqen njëri apo tjetri. Janë skuadër kompetitive dhe forcën e tyre e kanë te grupi dhe jo individë të veçantë.

Është ndeshja ku Tirana do të tregojë se është ajo kampionia dhe forca numër një e Superiores?

Ndeshja për të dyja ekipet është e tillë ku secili do të tregojë forcën e vet. Një sfidë ku të gjithë duan të japin më të mirën, duhet të menaxhojmë dozën emocionale. Në situata të tilla doza është e madhe dhe kush e menaxhon dozën emocionale dhe atmosferën që krijojnë tifozët. Dihet që shumë ndeshje i kanë fituar tifozët me performancën e tyre në stadium. në këto kushte do të mundohemi që të jemi në ekuilibër emocional dhe taktik.

Keni pesë përballje që nuk humbisni në këtë sfidë, jeni më të qetë?

Asnjë takim nuk ka qetësi. Ta përgatisim me qetësi është diçka e mirë. Duhet të jemi të qetë gjatë ndeshjes, sepse kjo qetësi të ndihmon të marrësh vendime të matura dhe të duhura. Kur nxitohesh apo kur të humbet qetësia është e sigurt që gabon.

Seferi thotë që Tirana fiton ndeshjen ndaj Partizanit me rezultatin 3-1…

Ishallah i del parashikimi Taulant Seferit…

Kuqezinjtë nuk ia dolën të fitonin apo të barazonin në Izrael dhe u barazuan nga Islanda në fund. Një opinion për Kombëtaren?

Sigurisht që ne kemi gjithmonë pritshmëri, sepse edhe grupi që kemi të jep pritshmëri. Ama është futboll dhe në futboll rezultatet janë ndikuese. Për disa elementë, detaje apo gjëra të tjera nuk do të flisnim tani kështu për Kombëtaren. Minutat e fundit në Izrael dhe me Islandën na bëjmë që të hedhim gjithçka poshtë. Në futboll çdo gjë ndodh, por Kombëtarja ka të ardhmen përpara, sepse ka lojtarë shumë cilësorë.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"