Ekskluzive/ Projektligji për Sponsorizimin në sport, do të rimbursohen 30% vetëm… miliarderët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2019 | 19:59

Ekskluzive/ Projektligji për Sponsorizimin në sport, do të rimbursohen 30% vetëm… miliarderët

Politika premtoi dhe sporti pret. Në lëngim të vazhdueshëm, futbolli e të gjitha disiplinat e tjera sportive janë me sytë nga salla e parlamentit për të pritur ndryshimet në paketën ligjore, që të mund të hapin një dritë jeshile të paktën për mbijetesën e sportit. Po, mbijetesën, sepse duhet shumë më shumë e më tej jo vetëm nga politika, që vendi ynë të ketë një sport që ia del të prodhojë aq sa për ta tejkaluar mbijetesën që më tej të diskutohet cilësia. 

duka rama

Po çfarë pritet të ndodhë në të vërtetë? Sa janë plotësuar kërkesat e klubeve dhe çfarë përmirëson në të vërtetë ajo pikë e shtuar në legjislacionin në fuqi? “Panorama Sport” ka siguruar edhe projektligjin që bën ndryshimet e kërkuara ligjore. Në fakt, shteti merr përsipër të rimbursojë 30% të tatimit, por me një kleçkë të madhe… Duhet të kesh fitime mbi 1 miliard lekë (të vjetër).

Projektligji 

Nga salla e Kuvendit të Shqipërisë ka dalë një projektligj, i cili prek kërkesat e sportit. Prej kohësh, pas tryezës mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit të FSHF-së, klubeve të futbollit dhe shumë federatave të tjera, u dha premtimi i madh: “Sporti do të ketë një paketë ligjore në të cilën do të marrin përgjigje shumë shqetësime”. “Gatishmëria e kryeministrit ekziston”, përmendi pak ditë më parë Duka. Por, çfarë ndodh në të vërtetë?

armand duka edi rama

Ndryshimi ligjor

Në projektligjin “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 8438, DATË 28.12.1998 ‘PËR TATIMIN MBI TË ARDHURAT’, TË NDRYSHUAR”, është vendosur që të ndryshon tatimi për klubet sportive. Për parantezë, kërkesa e federatave sportive, me FSHF-në në krye, ka qenë që rimbursimi i TVSH-së të jetë në masën 30%, aq sa është edhe në Kosovë. Në të vërtetë, projektligji i siguruar nga “Panorama Sport” saktëson:

“Për personat juridikë, të cilët realizojnë fitimin vjetor të tatueshëm mbi 100 milionë lekë (1 miliard lekë të vjetër), shumat e sponsorizuara, brenda kufijve të parashikuar në ligjin Për sposorizimet, për veprimtaritë e ekipeve sportive pjesë të federatave sportive të njohura nga legjislacioni në fuqi i fushës, për efekt të përllogaritjes së tatimit mbi fitimin e periudhës tatimore, janë të zbritshme sa trefishi i vlerës së shumës së sponsorizuar.

Nuk lejohet mbartja e tyre në periudhat tatimore të ardhshme. Parashikimet e këtij paragrafi aplikohen pas lëshimit të ‘Autorizimit të Sponsorizimit’ nga Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, sipas procedurave të parashikuara me Udhëzimin e Ministrit përgjegjës për financat”. Kësisoj, ky nen, ka një kleçkë vërtetë të madhe dhe shumë specifike. Është e vërtetë që qeveria merr përsiëpr të rimbursojë 30%, por specifikon që do ta bëjë këtë vetëm për ato klube apo sportistë që e tejkalojnë fitimin e deklaruar mbi 1 miliard lekë (të vjetër). A ka klube apo sportistë shqiptarë që e arrijnë një shifër të tillë fitimi?

 

 

Projektligji (1)

 

Takimi i klubeve

Ky projektligj mësohet të ketë rënë “në duart” edhe të FSHF-së, por edhe të klubeve të futbollit në vend. Gazeta ka mësuar se sot do të ketë një takim mes klubeve dhe drejtuesve të FSHF-së në ambientet e stadiumit të ri, pikërisht për çështjen e ndryshimeve ligjore.

Rimbursimi me një specifikim të tillë, mund të ketë lënë një shije të hidhur të klubet dhe federatat, teksa mund të mos ketë asnjë ndikim real në mbarëvajtjen e tyre. Thënë ndryshe, nuk është ndihmë për sportin, i cili do të vazhdojë të lëngojë për mbijetesë dhe siç në një dalje publike Duka nuk e ka mohuar, klubet mund të vendosin për një lëvizje drastike deri edhe në bojkot…

Olsi Tujani – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"