EKSKLUZIVE/ “Profeti” Tavo, kunj Halilit për trajnerin Ahmataj: U shpërblye shërbimi, lëvizja vonoi sepse…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 26, 2019 | 21:33

EKSKLUZIVE/ “Profeti” Tavo, kunj Halilit për trajnerin Ahmataj: U shpërblye shërbimi, lëvizja vonoi sepse…

Më 17 maj të këtij viti, kur sapo kishte vendosur të largonte nga drejtimi i skuadrës Julian Ahmatajn, ish-presidenti i Luftëtarit, Grigor Tavo, paralajmëronte ekskluzivisht për “Panorama Sport” se e ardhmja e trajnerit do të ishte Tirana.

grigor tavo

Ky parashikim i Tavos, edhe pse zgjati në kohë, u realizua pikërisht dje, kur elbasanasi u zyrtarizua në krye të pankinës bardheblu. Që prej muajit korrik, kur edhe njoftoi dorëheqjen si president i Luftëtarit, Tavo nuk është parë më në stadiumet shqiptare.

Natyrisht, ai nuk është më drejtues i Luftëtarit, paçka se një pjesë të aksioneve të klubit figurojnë ende në emër të djalit të tij. Gjithsesi, i kontaktuar dje nga gazeta, ish-presidenti bluzi pranoi të fliste për atë që kishte parashikuar në lidhje me Ahmatajn.

halili tavo

“Unë nuk jam profet, por sigurisht që kam informacionet e mia. Ndoshta kjo lëvizje e Tiranës ishte pak e vonuar edhe për fajin tim, sepse e paralajmërova pa u mbyllur kampionati. Por, shërbimet shpërblehen një ditë. I uroj suksese Ahmatajt dhe Tiranës”, deklaroi fillimisht ish-presidenti i Luftëtarit.

“Nuk flas kot” – I pyetur për detaje të tjera lidhur me dyshimet që kishte për ndeshjen e kthimit të Kupës së Shqipërisë, ku Tirana mposhti në gjysmëfinale Luftëtarin 5-3 dhe pak ditë pas eliminimit Tavo shkarkoi trajnerin Ahmataj dhe pezulloi lojtarët Xhekson Ferreira dhe Albano Aleksi, Tavo u shpreh: “Shikoni, kur fola atëherë u bëra disi pengesë për faktin se do të ishte bërë më shpejt emërimi i Ahmatajt te Tirana. Sa u përket informacioneve apo detajeve që kërkoni ju, mund t’ju them vetëm që çfarë kam thënë unë, kanë dalë. Unë nuk flas në ajër për informacionet që kam.

E përsëris edhe një herë, Ahmataj do të ishte trajner i Tiranës që në fillimin e këtij sezoni, por duke qenë se ju si gazetë më intervistuat pas vendimeve që morëm në muajin maj, u nxitova që e dhashë si lajm dhe Tirana e vonoi zyrtarizimin e tij. Megjithatë, urime Tiranës dhe Ahmatajt bashkë. Është shumë ironike që të dielën do të luajnë kundër Luftëtarit. Të shohim do ta ironizojnë dot apo jo… Gjithsesi, nuk besoj se do ta këtë të gjatë, edhe pse sërish u uroj suksese palëve”.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"