EKSKLUZIVE/ Probleme te Dinamo, sulmuesi drejt largimit nga “Blutë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 6, 2020 | 12:44

EKSKLUZIVE/ Probleme te Dinamo, sulmuesi drejt largimit nga “Blutë”

Dinamo e vendit të fundit në Grupin A nis sot “misionin” e mbijetesës në Kategorinë e Parë. Pret në Pezë-Helmës Burrelin në një takim të cilin kryeqytetasit duhet ta fitojnë patjetër. Trajneri Fabricio Kamarata dhe stafi i tij kanë punuar shumë këto javë, ndërsa dje kanë dhënë orientimet e fundit për futbollistët para sfidës mjaft delikate me Burrelin. Trajneri italian i është drejtuar ekipit me këto fjalë: “Dua t’ju them se jemi përgatitur mirë dhe tashmë ka ardhur koha ta tregojmë veten në fushë. Duhet të marrim patjetër fitoren në këtë ndeshje, pasi pikët janë jetike për Dinamon”.
dinamo
SPAHIU DREJT LARGIMIT – Së fundi te blutë ka edhe një çështje që ka të bëjë me sulmuesin Renato Spahiu, i cili është drejt largimit. “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se lojtari ka debatuar me trajnerin italian për faktin që nuk ishte titullar në ndeshjen e kontrollit. Trajneri e ka nxjerrë nga fusha, ndërsa Spahiu tani kërkon largimin nga Dinamoja.
renato spahiu
“Po, ka një problem me Spahiun, i cili nuk i është bindur trajnerit në ndeshjen testuese. Ai ka ardhur me vonesë në stërvitje dhe trajneri e ka parë të arsyeshme ta aktivizojë me ekipin e të rinjve. Mund të them se është ende pjesë e skuadrës. Ndeshjen me Burrelin duhet ta fitojmë me çdo kusht për objektivin e qëndrimit. Jo vetëm Burreli, por edhe ndeshjet me Veleçikun e Tërbunin janë jetike për Dinamon. Shpresojmë t’i kalojmë me sukses për të siguruar qëndrimin në kategori”, tha administratori Ermal Barushi për gazetën.

Blutë nuk do të kenë sot të gatshëm edhe Aldo Qoshkun për shkak dëmtimi, si dhe dy italianët Pontreli dhe Dovidio, të cilët nuk janë kthyer ende nga Italia.

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"