EKSKLUZIVE/ Skandali, presidenti i Teutës akuzon sërish: Rrahjet e arbitrave tregojnë manipulime. FSHB të mos bëjë gallatë, të na thotë ku i çon lekët tanë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 11, 2021 | 23:31

EKSKLUZIVE/ Skandali, presidenti i Teutës akuzon sërish: Rrahjet e arbitrave tregojnë manipulime. FSHB të mos bëjë gallatë, të na thotë ku i çon lekët tanë

Disa ditë më parë Arqile Gorea tronditi komunitetin e basketbollit me disa akuza të forta për trukime ndeshjesh dhe baste në drejtim të federatës dhe gjyqtarëve, akuza të cilat sollën reagimin e FSHB-së dhe të Shoqatës së Vëzhguesve dhe Gjyqtarëve.

Gorea 

Kreu i Teutës konfirmon edhe një herë gjithçka që ka thënë, ndërsa i përgjigjet deklaratës së federatës që e cilësonte atë si aludues, gjithashtu ai replikon edhe me shoqatën e arbitrave.

PËRGJIGJJA NDAJ FEDERATËS – Ja si u shpreh Gorea në lidhje me qëndrimin e Federatës Shqiptare të Basketbollit: “Kam qenë i drejtpërdrejtë në gjithçka që kam deklaruar. Unë kam thënë që në federatë ka mungesë transparence, ka shkelje të normave sportive dhe të rregullore sportive. FSHB-në e ka mbytur konflikti i interesit, duke filluar nga sekretari i federatës që ka ekipin e Kamzës, për të me gjyqtarin Ervin Koçi, i cili trukoi ndeshjen finale Partizani-Flamurtari, ku trajneri e Partizanit është bashkëshortja e tij.

Ndërsa jo më larg se para disa ditësh në ndeshjen e 18- vjeçarëve mes ekipit Superior të Koçit dhe Teutës, skuadra jonë u masakrua me trefishin e personaleve në raport me rivalin, duke na nxjerrë jashtë tre lojtarët kryesorë dhe tre të tjerë po kryesorë u ngarkuan me nga 4 personale. Kështu nuk kemi garë sportive, por paracaktim të rezultateve. Unë dua t’i bëj edhe një herë apel sekretarit të federatës që të mos i caktojë fshehurazi arbitrat, por t’i hedhë me short dhe gjyqtarët të deklarohen dy apo tri ditë para ndeshjes siç e bën e gjithë bota.

Jemi ne njerëzit që paguajmë lekët dhe nëse ai dëshiron të tregohet burrë i mirë, duhet të na tregojë se ku i çon lekët tanë, të cilët nuk e dimë nga përfundojnë. Të na tregojë në mënyrë analitike shpenzimet dhe të ardhurat e federatës. Fakti që një institucion kombëtar si FSHB vepron në ilegalitet, të lë një shije jo të mirë. Kështu që, aludimi që unë bëj është se kjo gjë bëhet për paracaktim të rezultateve të ndeshjeve. Normalisht paracaktimi i rezultatit apo trukimi i ndeshjes ka të bëjë me të gjitha, duke nisur që nga korrupsioni e deri tek bastet dhe kjo nuk është hera e parë që akuzohet”.

REPLIKA NDAJ SHOQATËS SË GJYQTARËVE – Për sa i përket qëndrimit të Shoqatës së Arbitrave dhe Vëzhguesve, të cilët e dënuan sjelljen e tij, Gorea thotë: “Unë jam shprehur qartë që ka edhe gjyqtarë të ndershëm që arbitrojnë mirë. Faktikisht përderisa arbitrat rrihen në fushë dhe përfliten, tregon që nuk ka një veprimtari sportive të gjyqtarëve, por një veprimtari që manipulohet për arsye interesash.

APELI PËR PRESIDENTIN PONARI – Në fund Gorea edhe një herë thekson që duhet të dëgjohet zëri i atyre që investojnë në basketboll, ndërsa i bën apel kreut të FSHB-së, Avni Ponari, për ta rregulluar këtë situatë: “Ne jemi njerëzit që po kontribuojmë për basketbollin, kush janë këta që nuk na pyesin. Ne paguajmë këta harxhojnë dhe bëjnë gallatë. Nga e marrin këtë të drejtë këta njerëz? Sigurisht që e marrin nga veprimtaria jo e ligjshme.

Kështu që, dua t’i bëj edhe një herë tjetër apel kreut të federatës dhe njerëzve të mirë që punojnë në FSHB, që të vendosin pikat mbi ‘i’ dhe të korrigjojnë ato që duhen korrigjuar, ashtu sikurse mori përsipër në asamble z.Ponari, në mënyrë që federata t’i kthehet normalitetit. Ne vetëm po shpenzojmë dhe nuk po fitojmë. I vetmi interes që kemi është që të zhvillohet garë e ndershme. Për sa i përket pjesës tjetër, shihet në gjenezë edhe puna e shpifjeve, fletërrufeve, akuzave apo anës karakteriale, që tregon se kush janë njerëzit që konkurrojnë në merkaton e interesave dhe në atë të kontributeve”, deklaroi për “Panorama Sport” kreu i skuadrës së basketbollit Teuta.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE:

EKSKLUZIVE/ Skandal në basketboll, presidenti i Teutës: Federata përdor arbitrat për baste

EKSKLUZIVE/ Skandali në basketboll me arbitrat që përdoren për baste, federata kundër Goreas: Ja e vërteta

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"