EKSKLUZIVE/ Presidenti i Luftëtarit: Shteti të marrë shembull Kosovën, presim ndihmë ose ikim nga klubet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 29, 2020 | 21:39

EKSKLUZIVE/ Presidenti i Luftëtarit: Shteti të marrë shembull Kosovën, presim ndihmë ose ikim nga klubet

Presidenti i Luftëtarit, Bekim Halilaj, i ka bërë apel qeverisë që të llogarisë klubet e futbollit njësoj si ndërrmarrjet e tjera që janë mbyllur në këtë moment për shkak të përhapjes së koronavirusit. Kriza financiare ka mbërthyer klubet prej kohësh, ndërsa ndërprerja e detyruar e kampionatit ka shtuar edhe më tepër pasigurinë për të ardhmen. Pas presidentit të Skënderbeut, Ardjan Takaj dhe atij të Bylisit, Besnik Kapllanaj, një tjetër drejtues klubi ka folur për situatën e paprecedentë që po kalon së fundmi vendi. Halilaj ka bërë një krahasim edhe me atë që vendosi së fundmi qeveria e Kosovës. Presidenti i Luftëtarit kërcënon me largim nga klubi nëse shteti shqiptar nuk e ndihmon financirisht në këtë moment të vështirë.

halilaj luftetari

KORONAVIRUSI

Fillimisht kreu i klubit gjirokastrit foli për atë që ka përjetuar pas përhapjes së virusit. “Për fat të mirë asnjë nga pjestarët e klubit tonë nuk ka probleme në këtë moment. Personalisht ndodhem në Selanik. Edhe këtu në Greqi situata nuk është e mirë, pasi janë mbi 1 mijë të infektuar dhe gati 40 viktima nga virusi deri më tani. Ndryshimi me Shqipërinë është se këtu infrastruktura është më e mirë dhe shteti ka dhënë shpërblime për njerëzit që kanë mbetur pa punë nga kjo fatkeqësi. Çdo person ka marrë nga 800 euro ndihmë, ndërsa janë subvencionuar edhe qeratë e shtëpive në masën 60 % nga shteti grek. Ka afro 2 mijë shtretër në spitale për të infektuarit në terapi itensive, ndërsa në Shqipëri mesa di nuk ka më tepër se 80…”, është shprehur fillimisht Halilaj në bisedën ekskluzive për “Panorama Sport”.

KËRKESA

liga profesioniste fshf

Numri një i klubit gjirokastrit tregon më konkretisht atë që ai dhe presidentët e tjerë të ekipeve në Superiore kërkojnë në këtë moment nga qeveria shqiptare. Liga Profesioniste, pas miratimit të drejtuesve të klubeve, i dërgoi tri ditë më parë edhe një shkresë qeverisë. “Klubet e futbollit paguajnë tatime dhe taksa në shtet. Jemi një sport që sjellim të ardhura dhe kënaqësi te njerëzit. Qeveria duhet të na llogaritë edhe ne si ndërrmarrjet e tjera që janë mbyllur në këtë moment për shkak të përhapjes së koronavirusit. Klubet kanë me qindra punëtorë, duke filluar nga lojtarët, të cilët duhen paguar. Nuk janë thjesht 25 futbollistë apo trajnerët në një klub futbolli. Kemi Akademinë, restorantin, apartamentet për akomodimet e lojtarëve, puntorët e stadiumit, rojet e sigurisë e shumë e shumë gjëra të tjera të padukshme. Në këtë moment të gjithë janë të pa punë për shkak të fatkeqësisë dhe ne si klube ndjejmë nevojën e një mbështetje financiare për të përballuar detyrimet ndaj puntorëve tanë. Klubet e futbollit meritojnë të përfshihen në listën e subjekteve që duhet të kompensohen nga qeveria për dëmet dhe pasojat që ka shkaktuar ndërprerja e kampionatit pas kësaj pandemie globale. Kemi probleme me reklamat dhe sponsorët në këto momente, e gjithashtu të drejtën televizive. Kërkojmë ndihmë nga shteti. I jemi drejtuar FSHF-së dhe qeverisë, gjithashtu së fundmi edhe nëpërmjet Ligës me një shkresë që mori miratim unanim. Duhet të marrim shembull nga Kosova, që vetëm në ditët e fundit për shkak të emergjencës prej koronavirusit, akordoi një fond prej 5 milionë eurosh për sportin. Jemi në një moment kritik ku mund të mendojmë edhe largimin nga drejtimi i klubit. Nëse qeveria nuk na jep një ndihmë në këtë moment të vështirë që po kalojmë, për çfarë të vazhdojmë të investojmë kur nuk na njeh asgjë. Janë dëme të mëdha që na janë bërë dhe unë bashkë me disa kolegë të mi kemi menduar edhe lënien e klubit në të tilla kushte. Siç qeveria mbështet fasoneritë apo ndërmarrjet e tjera, edhe ne duhet të na ndihmojë”.

FALIMENTI

Halilaj nuk e përjashton mundësinë e tërheqjes nga drejtimi i klubit të Luftëtarit, që 75 % është në pronësi të kompanisë “ANAST”, ndërsa pjesa tjetër e aksioneve i takon bashkisë Gjirokastër. “Qeveria të mendojë për ata futbollistë që sakrifkojnë dhe janë të punësuar te ne. Të mos na shikojë qeveria si të huaj, jemi pjesë e saj duke paguar taksa. Shumë klube tashmë rrezikojnë falimentin dhe kjo është e rëndë për futbollin tonë. Nuk bëhet fjalë për një kampionat, por për faliment. E përsëris, Kosova është shteti ku duhet të marrim shembull. Në këtë situatë mund t’i drejtohemi edhe UEFA-s, sepse të gjitha klubet në botë ndihmohen. Paguajmë tatime dhe sigurime shoqërore të larta në shtet, kështu që tani kemi nevojë që qeveria të mendojë për një komunitet të madh në Shqipëri. Në këtë moment të vështirë shteti duhet të na mbështesë financiarisht. Mirë Ligji i Sportit nuk kaloi ashtu siç u premtua, pasi ndodhën situata të paparashikuara, por tani meritojmë të kemi ndihmë financiare”, përfundoi Halilaj.

JORGIS MEMO – PANORAMSPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"