EKSKLUZIVE / Presidenti i Dinamos kërcënon rivalët, Bardhi: Jemi mes pretendentëve, në janar do përforcohemi përsëri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 27, 2021 | 22:34

EKSKLUZIVE / Presidenti i Dinamos kërcënon rivalët, Bardhi: Jemi mes pretendentëve, në janar do përforcohemi përsëri

Dinamo reagoi mirë në Korçë, ku gjeti fitoren e dytë në kampionat falë një goli të Stefen Çinedu. Në atë ndeshje blutë vinin pas humbjes 6-3 ndaj Vllaznisë në Shkodër dhe ishte shumë e rëndësishme të merrnin rezultatin maksimal. Kryeqytetasit mbajnë vendin e 5- të aktualisht, duke qenë 2 pikë larg vendit të dytë dhe 5 larg të parit. Presidenti i Dinamos, Adrian Bardhi, i qëndron deklaratës së tij se skuadra që drejton është aty, mes rivalëve për titull. Ai beson shumë se Dinamo në vazhdim, veçanërisht kur të jetë me grupin të plotë, do të jetë shumë më e fortë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Bardhi tregoi edhe planin që ka për të forcuar më tepër skuadrën në janar.

bardhi duka

Zoti Bardhi, si ju duk skuadra në Korçë, në një kohë që vinte pas një humbjeje të thellë në Shkodër?
Shikoni, e rëndësishme është që skuadra tregoi karakter në Korçë. Për mua kjo është shumë e rëndësishme. Bëmë një ndeshje të mirë dhe e merituam fitoren, që na mban aty, mes pretendentëve. Dinamo është gjithmonë aty, pavarësisht se pësuam atë humbje në Shkodër.

Ajo humbje bëri bujë edhe për faktin se Dinamo realizoi 3 gola dhe doli pa pikë, pasi pësoi 6…
Ne bëmë gabime në atë ndeshje, kjo nuk diskutohet. Për mua ajo ndeshje përfundoi 4-3 dhe me këtë dua të them se 2 golat e fundit të Vllaznisë erdhën nga mënyra si shkoi loja në fund, kur ne deshëm të barazonim. E ritheksoj, gabuam, por edhe ne bëmë diçka të mirë në atë ndeshje, shënuam 3 gola. E rëndësishme është që ekipi reagoi ndaj Skënderbeut dhe kam bindjen se kur të jemi me grupin tonë të plotë, do të jemi më të fortë. Këtu kam parasysh faktin se janë jashtë skuadre Gjata, Gavazaj dhe ndonjë tjetër.

Ka pasur edhe ankesa nga korçarët për gjykimin në ndeshjen e fundit. Ju si mendoni?
Nuk e di, edhe ne patëm disa raste të diskutueshme, që mund të jepeshin penallti. Ishte një rast me Skukën, që po ta shikosh më vëmendje, ka kontakt, si dhe rasti me Ibraimin, ku lojtari i Skënderbeut e preku topin me dorë. Goli ynë është i rregullt dhe, siç e thashë, e merituam fitoren. Dinamo është penalizuar në ndonjë rast nga gjykimi, por kjo ndoshta është mirë që ndodh në këtë moment, sepse po e përballojmë edhe këtë pjesë dhe bëhemi edhe më të fortë.

Përpara keni dy ndeshje me skuadra të forta, siç janë Kukësi dhe Tirana. Çfarë prisni nga Dinamoja?
Po, janë dy ndeshje shumë të forta, që do të tregojnë shumë gjëra edhe për ne. Shpresojmë të bëjmë më të mirën, duke i marrë ndeshjet me radhë, të luajmë futbollin tonë dhe të tregojmë vlerat më të mira. Por dua të theksoj se të gjitha ndeshjet janë të vështira, është një kampionat shumë i fortë, me shumë rivalitet. Besoj se edhe Partizani, që tani ka vështirësi, do të ngjitet në vendin e vet dhe do të jetë shumë e vështirë të parashikosh se çfarë do të ndodhë. Unë kam besim se Dinamo do të jetë deri në fund mes rivalëve dhe mendoj se në fillim të fazës së tretë do të jemi në maksimumin tonë.

Por me siguri do të keni nevojë për disa përforcime në merkaton e janarit?
Po, patjetër. E dimë që na duhen lojtarë për të përforcuar skuadrën dhe në janar shpresojmë që të marrim ata që na duhen. Na duhet të përforcojmë të tria repartet, por deri atëherë ka kohë. Uroj që të kemi sa më pak mungesa dhe ta kemi grupin të plotë në ndeshjet në vazhdim.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"