EKSKLUZIVE/ Presidenti Halilaj konfirmon gjobat për katër lojtarët: Ja sa i detyrohet Bashkia Luftëtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 30, 2019 | 10:30

EKSKLUZIVE/ Presidenti Halilaj konfirmon gjobat për katër lojtarët: Ja sa i detyrohet Bashkia Luftëtarit

Bekim Haliaj, presidenti i Luftëtarit, teksa mësoi vendimin e Këshillit Bashkiak të Gjirokastrës për mosakordim të fondeve financiare për klubin e futbollit, për “Panorama Sport” lidhur me këtë fakt u shpreh: 

bekim halilaj

 

“Luftëtari nuk është i imi dhe i askujt, është i gjirokastritëve. Parë në këtë rrafsh, si president më duhet të them se Bashkia Gjirokastër i detyrohet klubit të Luftëtarit 57 milionë lekë të vjetër, kësti i tremujorit të katërt, si dhe 55 milionë lekë të vjetër të fituara me gjyq të formës së prerë nga Gjykata e Apelit në prillin e vitit 2017. Këto janë detyrimet e Bashkisë Gjirokastër për Luftëtarin”. Gjithsesi, presidenti i skuadrës bluzi falënderon kryetarin e Bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi, për përkushtimin dhe seriozitetin e treguar lidhur me përmirësimin e kushteve të infrastrukturës dhe mbështetjen pa kufi të akademisë së Luftëtarit.

“Në kohën e sotme infrastruktura sportive është primare, pasi mbi ‘shtratin’ e saj ideohet dhe formohet baza e një klubi bashkëkohor. Të jesh në krah të akademisë së Luftëtarit s’ka gjë më të mirë dhe për këtë gjë e falënderoj kryetarin e bashkisë. Unë e kam mik dhe flas çdo ditë. Më vjen mirë që i përkushtohet zbulimit dhe promovimit të elementit të së ardhmes, por kur ekipi nuk garon mes më të mirëve, të rinjtë premtues ku do luajnë. Ndaj, të gjithë së bashku të bëjmë më të mirën për të mbajtur Luftëtarin në Superiore”, vijoi Halilaj.

luftetariii

Mungesat në stërvitje

Me seancën e djeshme stërvitore Luftëtari i dha fund aventurës futbollistike për vitin 2019, për t’u rikthyer sërish më 3 janar. Në seancën e djeshme përveç mungesave me arsye, prezent nuk ishin as Donald Rrapo, Realdo Fili, Angelo Vyent dhe Panaiotis Paiteris. Katër “big”-ët e Luftëtarit kanë munguar pa leje në 3 ditët e fundit në stërvitje. Mungesa e tyre pritet të shoqërohet me gjoba të majme nga ana e presidencës së Luftëtarit. Presidenti Bekim Halilaj e konfirmoi këtë gjë për “Panorama Sport” ku do të ketë ndëshkime financiare për çdo ditë mungesë në stërvitje. “Si klub kemi hartuar rregullore të brendshme të firmosur nga vetë lojtarët. Ndaj, masat për ata që mungojnë pa leje të klubit do të jepen. Çdo ditë mungesë do ketë nga pas faturën e gjobës financiare”, përfundoi Halilaj.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"