EKSKLUZIVE/ Premtimet boshe për Europën dhe largimi i Jonuz, ja si Vllaznia doli blof me licencimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 2, 2020 | 11:09

EKSKLUZIVE/ Premtimet boshe për Europën dhe largimi i Jonuz, ja si Vllaznia doli blof me licencimin

“Synojmë të shkojmë në Kupat e Europës”. Kështu është shprehur administratori i Vllaznisë, Suad Lici, në prononcimet e tij për mediat sa herë është pyetur lidhur me synimet që ka klubi shkodran. Mirëpo, pas 32 javësh kampionat, kuqeblutë jo vetëm që janë shumë larg zonës europiane, por thuajse janë “salduar” në vendin e tetë, pozicion ky që të çon në një ndeshje “play out” për qëndrimin në Kategorinë Superiore.Vllaznia-Teuta 0-3

Mirëpo, përtej klasifikimit aktual, ajo që krijon dyshime të forta është mungesa e seriozitetit të klubit sa i përket plotësimit të kritereve të licencimit që kërkon UEFA për të marrë pjesë në Kupat e Europës. “Panorama Sport” ka zbuluar nga burime të sigurta në FSHF se klubi shkodran nuk ka bërë asnjë përpjekje për të plotësuar dokumentacionin, në mënyrë që të kishte një shpresë për të marrë licencën. Mësohet se Vllaznia është një nga pesë klubet që nuk kanë marrë miratimin e UEFA-s për të qenë pjesë e Kupave të Europës, gjithnjë nëse e arrin sportivisht.

Pra, edhe nëse këtë sezon kuqeblutë do të kapnin në kampionat një nga vendet që të çon në Europë apo do të fitonin Kupën e Shqipërisë, sërish ata do ta kishin të pamundur për të luajtur ndeshje ndërkombëtare. Natyrisht, kjo vjen prej borxheve të mbartura që ka klubi ndaj lojtarëve apo trajnerëve ndër vite, palëve të treta dhe Tatimeve. Duke mos bërë asnjë marrëveshje këtë periudhë për shlyerjen e borxheve, kësisoj drejtuesit e Vllaznisë janë ndërgjegjësuar se nuk kanë asnjë shans për të plotësuar kriteret e licencimit. Në këto kushte, të njëjtat burime i treguan dje gazetës se Vllaznia si klub nuk ka bërë as përpjekjen më minimale në këtë aspekt, madje përveç kriterit financiar që nuk ka plotësuar, ka ngecur edhe në kriteret e tjera.VLLAZNIA

Në këto kushte, të gjitha premtimet e bëra apo ambiciet sezonale janë fshirë me një të rënë të lapsit, pasi në klubin Vllaznia e kanë ditur prej kohësh se nuk licencoheshin, por e fshihnin këtë fakt, duke qenë se edhe FSHF nuk e bëri publik lajmin. Ndoshta edhe largimi i trajnerit Mirsad Jonuz, sapo i përfundoi edhe kontrata, ishte shenjë e qartë e synimeve që mund të kishte Vllaznia. TË HUAJT – Problemet financiare dhe situata e rënduar në skuadër pas largimit të trajnerit Mirsad Jonuz duket se ka dhënë një efekt të menjëhershëm edhe te futbollistët e huaj.

Burime pranë skuadrës tregojnë për gazetën se angazhimi i tyre që pas bojkotit të ekipit nuk është më i njëjtë në stërvitje, ndërkohë që çdo gjë është parë qartë edhe në ndeshje. Pas brazilianit Hygor, që mësohet se mund ta mbyllë sezonin për arsye dëmtimi, probleme po shfaqin një e nga një edhe të huajt e tjerë. Një prej tyre është edhe sulmuesi Zhunior, i cili ka humbur vendin e titullarit. Por, së fundmi ai që ka kërkuar të mos stërvitet ka qenë edhe maqedonasi Gligorov, i cili ka filluar që të shprehë shqetësime. Stafit teknik me në krye Dedjen po i krijohen situata të çuditshme, me probleme thuajse para çdo ndeshjeje.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"