EKSKLUZIVE/ Prapaskenat me italianët e Dinamos, ja kur filloi gjithçka

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2019 | 10:42

EKSKLUZIVE/ Prapaskenat me italianët e Dinamos, ja kur filloi gjithçka

Dinamo është pranë kalimit në duart e një kompanie italiane që bashkëpunon me biznesmenë shqiptarë, por emrat e këtyre të fundit nuk janë bërë ende të ditur publikisht. Bluve, në vështirësi të mëdha kohët e fundit, pa financa, pa merkato, pa stadium, pa fushë stërvitore, pa asete, u duheshin patjetër investitorë dhe ata kanë ardhur nga Italia.

Dinamo Pontreli

Administratori Ismet Saliaj, së bashku me presidencën, janë në një fazë të avancuar bisedimesh për kalimin e klubit te kompania që përfaqësohet nga Marko Pontreli, ish-presidenti i Triestinës. Në fakt, historia e bashkëpunimit me italianët nuk ka nisur sot, por muaj më parë.

Gazeta zbardh prapaskenat e këtij bashkëpunimi. Ideja e Pontrelit për të marrë Dinamon ka lindur në fund të muajit gusht. Kur përfundoi “ëndrra” e ngjitjes së Dinamos direkt në Superiore, për shkak të dënimit të mundshëm të Skënderbeut, nga blutë u tërhoqën donatorët shqiptarë dhe u larguan edhe shumë lojtarë. Dinamos iu shuan shpresat dhe në krizë financiare ishte e detyruar të kërkonte investitorë të tjerë.

Me anë të disa biznesmenëve shqiptarë, presidencës së Dinamos iu ndërmjetësuan bisedimet me shoqërinë italiane që tashmë është gati të investojë dhe të blejë klubin. Që në fillim duket se ka pasur një akord paraprak mes palëve, pasi me blutë u bashkua djali i biznesmenit Marko Pontreli, Damiano Pontreli. Klubi kryeqytetas e federoi, por ai nuk u aktivizua asnjë minutë nga ish-trajneri Igli Allmuça, pasi sulmuesi 24-vjeçar ishte pa stërvitje dhe nuk kishte kryer fazën me ekipin. Kuptohet qartë se pala italiane ka qenë e vendosur për të marrë Dinamon dhe bisedimet e nisura në fund të muajit gusht vetëm tani janë bërë publike.

Dinamo

Me ndërrimin e trajnerit, Pontreli u aktivizua ndaj Erzenit, ndërsa babai i tij e vëzhgonte nga tribuna. Damiano Pontreli ka lindur në Romë dhe ka luajtur me Triestinën, që kishte president pikërisht babanë e tij dhe që më pas falimentoi. Ditët në vazhdim pritet të sjellin të tjera zhvillime konkrete te blutë, pasi po kryen procedurat juridike për kalimin e pronësisë së klubit. Pastaj do të përcaktohet se kush do të jetë presidenti i ri i Dinamos dhe të gjithë pjesëtarët e të gjitha hallkave të tjera drejtuese të saj.

Skerdilaid Sulozeqi – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"