EKSKLUZIVE/ Prapaskenat e sherrit te Vllaznia, ndërhyn kryebashkiakja Ademi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2020 | 22:49

EKSKLUZIVE/ Prapaskenat e sherrit te Vllaznia, ndërhyn kryebashkiakja Ademi

Përplasja mes administratorit të Vllaznisë, Benjamin Naku, si dhe sponsorit të klubit, Alban Xhaferi, ka tronditur jo pak klimën e mirë që ekzistonte në Shkodër pas rezultateve pozitive radhazi të skuadrës në kampionat dhe Kupë.
FB_IMG_1605331814266

Kësisoj, pas daljes në skenë të përplasjeve mes drejtuesve para ndeshjes me Elbasanin, “Panorama Sport” mëson se kjo situatë ka shqetësuar jo pak kryebashkiaken e Shkodrës, Voltana Ademi, e cila “de jure” është presidente e klubit. Që në mbrëmjen e së premtes mësohet se numri një i bashkisë ka kërkuar takim urgjent me palët për të sqaruar debatin. Me qëllim normalizimin e situatës, Ademi ka pasur një takim kokë më kokë me sponsorin Xhaferi të shtunën në ambientet e bashkisë.

Burime të sigurta i thanë gazetës se kryebashkiakja ka kërkuar që vëmendja e të gjithëve të jetë nga rezultatet dhe jo nga problematikat që mund të kenë dalë.

Në vend që të gëzojnë këto momente të bukura që po kalon ekipi, drejtuesit më të lartë të klubit duket se kanë gjetur shkak për të nxjerrë në pah problemet mes tyre, pikërisht duke kulmuar me një incident gati banal para ndeshjes me Elbasanin, ku policia bashkiake ka penguar për pak minuta futjen në stadium të Xhaferit dhe miqve të tij. Palët kanë nxjerrë në pah një problematikë të fshehur mes tyre, por thelbi është pa dyshim çështja e kompetencave dhe mosndarjes së qartë të tyre.

Pra, Vllaznia është një klub që drejtohet nga dy “koka”, me administratorin që është zyrtarisht numri një dhe sponsorin Xhaferi, i cili ka ndërtuar ekipin e këtij sezoni. Duke pasur një kaos të tillë kanë ardhur edhe ndërhyrjet në komptencat e njëri-tjetrit. Kjo ka sjellë një pakënaqësi që anon më tepër nga ana e donatorit Xhaferi.

Një mbivendosje të kërkesës së llogarisë dhe një paqartësi të pozicioneve që ka njëri apo tjetri, ka bërë që situata mes dy drejtuesve të precipitojë në incidente që duken qesharake. Megjithatë, ndërhyrja në kohë e kryebashkiakes, do të bëjë të mundur stabilitetin e situatës, paçka se diçka e tillë mbetet për t’u parë në vazhdimësi.

APELI I XHAFERIT

Alban Xhaferi ka kërkuar që të bëj një sqarim për tifozërinë dhe situatën në klub, pikërisht në ditën kur bëri një takim me kryebashkiaken Ademi. Sponsori i Vllaznisë ka konfirmuar problematikën, duke theksuar se kërkohet ndërhyrje urgjente. “Po punojmë me shumë përkushtim, ndonëse në një situatë aspak normale dhe periudhë të shkurtër për të dhënë asistencën tonë në përmirësimin e menaxhimit të KF Vllaznisë në misionin e përbashkët për rikthimin drejt suksesit. E çmoj të domosdoshme që të ndaj me ju tifozët dhe sportdashësit e mrekullueshëm, se ridimensionimi i marrëdhënies me bashkinë Shkodër është nevojë urgjente!

Ka probleme të thella që nevojiten të adresohen në mënyrën e duhur për të rritur eficencën dhe përformancën e KF Vllaznia, jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe në aspektin administrativ. Këto të dyja duhet të shkojnë paralelisht në të njëjtën linjë. Sigurisht qe vullneti i palëve është esencial në këtë pikë dhe mirëpres përpjekjet e anëtarëve të Këshillit Bashkiak si mbështetje e padiskutueshme ndaj një procesi të ri. Shpreh gatishmërinë për të marrë të gjitha përgjithësitë që rrjedh nga një marrëveshje e re, që garanton rrugën pa kthim drejt suksesit të Vllaznisë.

Sigurisht që një Vllazni e fortë do të thotë jo vetëm performancë e shkëlqyeshme sportive, por edhe administrative në të njëjtën kohë. Falë mbështetjes që më keni dhënë, jam i bindur që puna, sakrifica, përkushtimi dhe ndershmëria nuk do të mungojnë asnjëherë për të rikthyer te suksesi emrin që na bashkon: Vllazninë. Me ndihmën e Zotit, së bashku do ia dalim”, shkruante Xhaferi në “Facebook”.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"