EKSKLUZIVE/ Prapaskenat e FSHF-së me Nedim Bajramin, do përdorin shembullin e një marokeni

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 3, 2021 | 21:31

EKSKLUZIVE/ Prapaskenat e FSHF-së me Nedim Bajramin, do përdorin shembullin e një marokeni

Nedim Bajrami është talenti që e pret Kombëtarja shqiptare për të ndërruar pllakë në lojën dhe taktikën e saj. Mesfushori që mund të luajë edhe në skemën 3-5-2, por mbi të gjitha i përshtatur në skemën 3-4-1-2 pikërisht pas dy sulmuesve, mund të bënte që trajneri Reja të kishte një armë të shtuar për t’i dhënë tjetër fytyrë lojës sulmuese të kuqezinjve. 

nedim bajrami

Mirëpo, me gjithë bindjen e djaloshit për t’u veshur kuqezi, madje përforcuar edhe me deklaratën se ishte “zgjedhje prej zemrës”, FIFA me anë të një rregulli të përditësuar në statutin e vet, e ndalon ndryshimin e përfaqësueses për djaloshin 21-vjeçar.

RREGULLI – Në artikullin 9 të ndryshuar të statutit të FIFA-s, sanksionohet ekzaktësisht: “Kërkesa për të ndryshuar kombëtare mund të lejohet për një futbollist në rast se ai ndeshjen e fundit me përfaqësuesen e mëparshme, në cilindo kompeticion, e ka bërë pa i mbushur ende 21 vjeç”.

Pikërisht, artikulli 9 në seksionin B, pika iii, është ai që përbën edhe pengesën për Bajramin që të bashkohet me Shqipërinë, sepse ka luajtur 4 ndeshje duke qenë 21 vjeç me Zvicrën U-21. Ky nen i ndryshuar në fillim të vitit është harruar nga FSHF-ja në momentin e nisjes së procedurave për djaloshin e Empolit.

MBROJTJA – Për këtë çështje, siç edhe ka ndodhur me lojtarë të tjerë, FSHF pritet që t’i drejtohet gjyqit. Kërkesa për herë të parë për të ndërruar një kombëtare, deri para këtyre ndryshimeve, ka qenë thelbësore për ndryshimin e kombëtares, por me sa duket, tanimë ka klauzola shtesë që e pengojnë. Lidhur me këtë, FSHF pritet që në rast gjyqi, të mund të gjejë mënyrën juridike për t’u mbrojtur me një precedent të mëparshëm sportiv: rasti “Munir”.

25- vjeçari i Sevijes ka lindur në Spanjë dhe më 8 shtator 2014 ka luajtur ndeshjen e parë zyrtar me Kombëtaren A të Spanjës në kualifikuese. Së fundmi, ai ka arritur që të ndryshojë kombëtare pas padisë në KAS dhe të jetë pjesë e Marokut, për të të luajtur në vijimësi me këtë të fundit. Ndonëse për Munirin u ndryshua rregullorja në të njëjtin moment siç edhe ka ndodhur për Bajramin, ky precedent mund të shërbejë si pjesë e provave në kërkesën e FSHF-së për të zgjidhur çështjen e karrierës ndërkombëtare të 21-vjeçarit. Tani, mbetet për t’u parë nëse dëshira e tij për kuqezinjtë, do të shkojë deri në fund.

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"