EKSKLUZIVE/ Prapaskena te Tirana, i ofruan pagesën me këste për 107 milionë lekë, Muzaka refuzon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2018 | 23:21

EKSKLUZIVE/ Prapaskena te Tirana, i ofruan pagesën me këste për 107 milionë lekë, Muzaka refuzon

Tirana tenton akordin, por Gjergji Muzaka i bën “bllokadë”. Mbrëmjen e së shtunës, bardheblutë kanë nisur negociatat me ish-mesfushorin. Klubi kërkon që t’i japë një herë e mirë zgjidhje kësaj historie për të shmangur penalitetet për borxhin që shkon në 107 milionë lekë të vjetër. Duhet thënë që bisedimet kanë nisur me palë të treta, pra nuk ka qenë asnjë prej drejtuesve më të lartë të kryeqytetasve, që ka folur me lojtarin.

Gazeta mëson se personi i autorizuar nga klubi është munduar që të bindë 33-vjeçarin, duke i ofruar si opsion shlyerjen e këtij detyrimi me këste. Por, Muzaka e ka refuzuar. Ai nuk ka shfaqur gatishmëri për të pranuar likuidimin e pjesshëm. Në kësi kushtesh, u ka dhënë një “jo” të prerë.

xmuzaka-770x470-696x425.jpg.pagespeed.ic.lQtdFbqkt5

KONFIRMIMI – “Panorama Sport” kontaktoi me lojtarin për ta pyetur rreth kësaj çështjeje, duke qenë se dje qarkulloi edhe një lajm për arritjen e akordit. Mesfushori që aktualisht mbron ngjyrat e Skënderbeut, nuk ka dashur që të japë komente të detajua ra, por shkurtimisht pohoi: “Nuk kam arritur asnjë marrëveshje”. Duke parë rrjedhën e ngjarjeve dhe faktin që lojtari është i vendosur me të vetën, Tiranës nuk i mbetet gjë tjetër veçse t’ia kalojë që të gjitha paratë njëherësh, ndryshe do i hiqen edhe 3 pikë të tjera nga renditja e përgjithshme.

RREZIKU – Kujtojmë që 3 pikë bardhebluve iu hoqën më 8 maj, duke qenë se shkelën edhe ultimatumin e parë që dha Disiplina. Ky komision i la afat edhe 15 ditë të tjera klubit, që i bie të skadojë më 22 ose 23 maj. Sipas Rregullores së Disiplinës Sportive, referuar nenit 63, nëse Tirana nuk paguan brenda kësaj date, atëherë do të ketë edhe një afat të fundit prej 10 ditësh. Në rast se nuk ekzekutohet sërish vendimi i KDS-së, atëherë rrezikohet edhe misioni “Superiore”. Megjithatë, për të mos shkuar tek e fundit, bardheblutë kanë ende 48 orë kohë për të evituar penalitetin e radhës. Duke qenë se nga klubi kanë shfaqur vullnetin për ta mbyllur këtë histori pa dëme madhore, nuk përjashtohet mundësia që zgjidhja të vijë brenda afateve.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"