EKSKLUZIVE| Prapaskena/ Halili takoi Dukën të mërkurën, Nevil Dedes i hapet rruga drejt stolit të Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2020 | 12:09

EKSKLUZIVE| Prapaskena/ Halili takoi Dukën të mërkurën, Nevil Dedes i hapet rruga drejt stolit të Tiranës

Nevil Dede do të jetë trajneri i ri i Tiranës? Po, është më se e mundur. Është çështje orësh që ish-kapiteni i skuadrës bardheblu dhe një nga mbrojtësit më të mirë të Superiores ndër vite të drejtojë Tiranën për herë të tretë. Eliminimi nga raundi i dytë i Kupës së Shqipërisë i Tiranës nga skuadra e Korabit, që militon në Kategorinë e Parë, ka tronditur stolin e trajnerit Emanuel Egbo. Pas kësaj disfate, klubi i ka dhënë duart nigerianit, i cili nuk do të jetë më në krye të kampionëve. Te Tirana mendojnë t’i besojnë drejtimin e skuadrës një trajneri që e njeh ambientin bardheblu dhe për këtë arsye rriten kuotat që në stol të emërohet Nevil Dede. “Panorama Sport” mëson se favoriti për të marrë drejtimin e kampionëve të Shqipërisë pas largimit të Emanuel Egbosë është ish-kapiteni i bardhebluve, Nevil Dede.
nevil-dede
Trajneri i Kombëtares së 19-vjeçarëve është drejt stolit të Tiranës dhe në rast se kjo do të bëhej e mundur, atëherë ai do të largohej nga drejtimi i 19-vjeçarëve kuqezinj. Nga ana e klubit Tirana nuk ka një reagim zyrtar, por gjasat janë që Dede të jetë i trajneri i bardhebluve, sepse Nevili është i preferuari i Refik Halilit. Edhe presidenti i Tiranës e ka konfirmuar një fakt të tillë “Panorama Sport”, ndërsa ka thënë se shumë shpejt emri i Dedes do të zyrtarizohet. Dede ishte dje në “Skënder Halili” dhe ndiqte takimin mes Tiranës dhe Korabit, por u largua vetëm pasi ikën të gjithë të pranishmit dhe stafi i bardhebluve. Halili të mërkurën është takuar me presidentin e FSHF-së, Armand Duka në Elbasan dhe mund t’i ketë kërkuar që të lërë të lirë trajnerin e 19-vjeçarëve, që ky i fundit të drejtojë Tiranën.

Nevil Dede, trajneri i Lacit

Kujtojmë se Dede ka qenë edhe më parë në drejtimin e Tiranës, teksa ka udhëhequr bardheblutë në sezonin 2010-2011, por edhe nga shkurti i vitit 2013 deri në tetor të po atij viti. Dede ka qenë edhe ndihmëstrajner i skuadrës bardheblu. Ai është një nga lojtarët që ka veshur më shumë fanellën e bardhebluve, më shumë se 300 ndeshje, duke fituar disa tituj kampionë. Më saktë, Dede është shpallur kampion tetë herë në kampionatet 1995, 1996, 1997, 1999, 2000, 2003, 2004, 2007. Dede ka drejtuar edhe skuadra si Laçi, Kastrioti, Erzeni dhe Luftëtari. Ai ka triumfuar pesë herë në Kupën e Shqipërisë dhe 6 herë në Superkupë, duke e shkruar emrin e tij në historinë e klubit bardheblu. Mësohet se mes Refik Halilit dhe Nevil Dedes gjithçka do të mbyllet sot paradite, ndërkohë që është pothuajse zyrtare marrëveshja mes Dedes dhe KF Tiranës.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"