EKSKLUZIVE/ Portieri i Luftëtarit: Ja si më gënjeu arbitri Ziri tek goli i dytë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2017 | 21:45

EKSKLUZIVE/ Portieri i Luftëtarit: Ja si më gënjeu arbitri Ziri tek goli i dytë

Portieri i Luftëtarit, Shkëlzen Ruçi, është një prej të shumtëve në ekipin gjirokastrit që “qan” humbjen me Teutën. Në prononcimin e tij për “Panorama Sport”, elbasanasi do të ndalej te momenti më kulmor i takimit ndaj Teutës, pikërisht te goli i dytë i realizuar nga Andel Dediç në minutën e 56-të me goditje dënimi.

shkelzen ruci

Sipas tij, arbitri Blerim Ziri e ka “mashtruar”, duke mos sinjalizuar, edhe pse fillimisht kishte bërë të ditur se goditja e dënimit do të kryhej pas rënies së bilbilit. “Dua t’i përgëzoj çunat për shpirtin e garës që treguan kundër Teutës. Ishte një ndeshje që e panë të gjithë se si shkuan gjërat. Më vjen keq kur arbitrat bëhen gjithmonë protagonistë, duke u tallur me djersën e ekipit, me investimet e presidentit e për më shumë me ndjenjat e tifozërisë së mençur dhe kulturuar të Gjirokastrës.

Dua të sqaroj momentin e golit të dytë ndaj Teutës. Ishte faull në favorin tonë, por arbitri e akordoi për kundërshtarin. Në momentin e ekzekutimit nga Dediç, gjyqtari nuk më lejoj të mbaroj punën time me murin mbrojtës. Nuk më dha asnjë lloj sinjali, ndaj dhe erdhi gabimi im, duke pësuar golin e dytë. Më pas, me penalltinë Ziri mbylli gjithçka, duke akorduar një 11-metërsh absurd”, theksoi portieri titullar i Luftëtarit.

Luftetari3

Në fund ai ndalet edhe te ndeshja me Laçin. “Do të jetë një takim shumë i vështirë, i fortë dhe delikat. Do të luftojmë fort për fitoren, e cila na duhet më shumë se kurrë në këto momente. Laçi ka cilësi dhe ne duhet të tregohemi të kujdesshëm dhe të përqendruar në çdo moment. Shpresoj të dalim me fitore dhe të bëjmë futbollin e bukur, jo vetëm për tifozërinë tonë, por për të gjithë ata që na kanë mbështetur kudo në Shqipëri”, përfundoi 23-vjeçari.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"