EKSKLUZIVE/ Polemikat për Hashim Thaçin në Vlorë, zbulohet telefonata e Dukës me Idrizin (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Qershor 29, 2020 | 23:00


EKSKLUZIVE/ Polemikat për Hashim Thaçin në Vlorë, zbulohet telefonata e Dukës me Idrizin (E PLOTË)

Në ditën kur Hashim Thaçi dhe Edi Rama ishin bërë bashkë në Vlorë, në stadiumin “Flamurtari”, u vendos në rrezik zhvillimi i ndeshjes mes vendësve dhe Luftëtarit. Për t’i uruar mirëseardhjen, por edhe njëkohësisht për ta mbështetur pas akuzave që vijnë nga Haga, në tribunën përballë qendrores ishin vendosur dy banderola, në të cilat shkruhej: “Hashim Thaçi – Vlora, krenohet me ty” dhe “Drenica, zemra e shqiptarisë”.
Hashim Thaci Vlora krenohet me ty logo
Por, duket se kjo gjë nuk është pritur aspak mirë nga delegati Petrit Brahja. Në një kohë që ora 17:00 i gjeti skuadrat të zbritura në fushë për të nisur ndeshjen, çdo gjë u bllokua nga delegati Brahja. Ai kërkoi nga Idrizi që të hiqte banderolën për Thaçin, e më pas të niste ndeshja, pasi në të kundërt, takimi nuk do të luhej. Idrizi zbret poshtë në vendin ku ndodhej delegati Petrit Brahja dhe vëzhguesi Fiqiri Haxhiaj, duke debatuar ashpër.

“Është një idiotësi. Nëse krenohen me një shqiptar dhe Drenicën e Azem dhe Shote Galicës, qenka një turp për këta. Nuk e kuptoj sjelljen e tyre. Ne kemi solidarizëm, pasi Hashim Thaçi është hero kombëtar. Ne nuk kemi marrë krahë për asnjë, nuk gjej arsye për të shpjeguar veprimin e drejtuesve të Luftëtarit. Thaçi është personalitet për Vlorën”, u shpreh Idrizi për “SuperSport” përpara se të niste ndeshja mes Flamurtarit dhe Luftëtarit, që më pas filloi me 16 minuta vonesë.
Duka-Idrizi

TELEFONATA
Teksa delegati Brahja vijonte që të këmbëngulte që banderola të hiqej, “Panorama Sport” mëson se administratori Idrizi u telefonua nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Ky i fundit ka qenë i interesuar që të njihet me atë se çfarë po ndodhte në Vlorë.

“Çfarë ka politike këtu, kur ne duam që të nderojmë Hashim Thaçin. Ku është problemi…?” mësohet se i ka thënë Idrizi Dukës. Ndërkaq, presidenti kërkoi mirëkuptim që banderola të hiqej dhe kështu ndodhi. Ajo që mbeti gjatë 90 minutave ishte banderola “Drenica, zemra e shqiptarisë”.

BISEDA

Por, diskutimi për këtë çështje ka vijuar edhe në tribunën VIP. Administratorit Sinan Idrizi nuk i ka dalë e keqja dhe u është drejtuar edhe drejtuesve të Luftëtarit. “Nuk e kuptoj çfarë e kishin këtë. Po mirë, le ta mbyllnin ndeshjen, le të iknin në shtëpi…”. Ndërkaq, edhe në pushim të ndeshjes, Idrizi e diskuton këtë çështje me gazetarët në tribunë.

“Hashim Thaçin e njoh që kur ishte lufta dhe ai ishte ushtar i UÇK-së, që para 20 viteve. Më ka respektuar. Më ka ardhur këtu në stadium dhe më ka dhënë një bluzë. Si të mos e respektoj unë atë? Në çdo ndeshje kam për të vendosur banderola të tilla. Në të radhës do të vendos një të madhe për Erdoganin”, ka thënë Idrizi.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

 




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com