EKSKLUZIVE/ Polemikat për Flamurtarin, Fakaj: Idrizi e falimentoi klubin, nuk mund t’ia fal vetes që të…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 26, 2020 | 18:28

EKSKLUZIVE/ Polemikat për Flamurtarin, Fakaj: Idrizi e falimentoi klubin, nuk mund t’ia fal vetes që të…

Ervin Fakaj i është përgjigjur Sinan Idrizit, pasi ky i fundit i kujtoi se kur ishte ende lojtar zgjodhi Tiranën para Flamurtarit.

Fakaj Idrizi

Ish-mbrojtësi i Kombëtares shqiptare e konsideron Idrizin si shkaktarin kryesor të gjendjes ku ka përfunduar klubi vlonjat dhe i bën apel bashkisë të ndërhyjë. “Është marrë edhe me mbiemrin e tij, por unë nuk mund t’ia fal vetes që të bie në nivelin e tij…

Unë e kritikoj Idrizin si administratorin e Flamurtarit, përgjegjësin e falimentimit të klubit… Por personalisht as që e njoh dhe s’besoj se kam të drejtë të flas për të sepse s’është në kulturën time”, thotë Fakaj për “Panorama Sport”.

Idrizi thotë që para shumë vitesh, kur ju ende luanit futboll, zgjodhët Tiranën para Flamurtarit dhe vlonjatët ranë nga kategoria… Ç’mendim keni për këtë?

Pikësëpari jemi në periudhë festash pas një viti shumë të vështirë dhe meqë më jepet shansi, dua të uroj gjithë botën e futbollit, lojtarë, presidentë, arbitra dhe tifozët: Gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri! Uroj dhe shpresoj që viti i ardhshëm të mos ketë ngjashmëri me të kaluarin. Sa për pyetjen tuaj, realiteti i para 15 viteve është komplet i ndryshëm nga ai që i kanë thënë zotit Idrizi…

ervin fakaj

Unë në atë kohë kam pasur një dëmtim për më shumë se një vit. Kisha bërë dy operacione dhe ndodhesha në Gjermani. Në mendjen time e kisha mbyllur me futbollin, por disa miq insistuan që të provoja edhe një herë rikthimin. U ktheva për pak muaj dhe nuk ndodhi rikthimi që unë shpresoja.

Rrjedhimisht karriera ime përfundoi aty. Flamurtari në atë kohë ka qenë i rënë nga kategoria. Kaq për këtë temë që s’është aktuale, por që e dëgjoj nga zoti Idrizi shpeshherë dhe nga personazhe të tjerë. Mendoj se është një tentativë e dëshpëruar për të larguar vëmendjen nga situata aktuale ku e ka çuar ai Flamurtarin.

Ju patët bërë një status pak ditë më parë, a i qëndroni këtij mendimi dhe kush është përgjegjës për gjendjen e Flamurtarit sot?

Statusit tim i qëndroj dhe jam gati ta debatoj me zotin Idrizi ku dhe kur të dojë. Ai, faktikisht, me çfarë lexova, është marrë me mbiemrin tim dhe mundohet ta bëjë personale, por unë nuk mund t’ia fal vetes të bie në nivelin e tij. Unë e kritikoj Idrizin si administratorin e Flamurtarit, përgjegjësin e falimentimit të klubit… Por personalisht as që e njoh dhe s’besoj se kam të drejtë të flas për të sepse s’është në kulturën time. Mbiemrin tim dhe familjen time e njohin shumë mirë në Vlorë, ashtu sikurse mund të njohin dhe Idrizin.

A ka një zgjidhje, sipas jush, dhe cila mund të jetë ajo?

Zgjidhja duhet të fillojë nga institucioni përgjegjës që është Bashkia Vlorë. Por, s’e kuptoj faktin që bashkia duke parë falimentimin e një aseti shumë të çmuar të qytetit, thjesht rri e stepur e bën sehir… Nuk arrij fare ta konceptoj arsyen se pse ndodh kjo… Pse trembet bashkia të ndalojë këtë që po i ndodh futbollit vlonjat? Është pyetje që s’di t’i jap përgjigje…

ERMAL SIKA  – PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE: 

EKSKLUZIVE/ “Nuk dua t’ia përmend as mbiemrin”, Idrizi replikon me Fakajn: Flet ti, kur para 10 vitesh zgjodhe Tiranën

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"