EKSKLUZIVE/ Polemikat Bylisi-Erzeni, reagon zyrtari i shijakasve: Kapllanaj shpif!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 22, 2021 | 12:59

EKSKLUZIVE/ Polemikat Bylisi-Erzeni, reagon zyrtari i shijakasve: Kapllanaj shpif!

Në Shijak nuk i kanë përtypur deklaratat e Besnik Kapllanajt. Presidenti i Bylisit sulmoi Erzenin, duke akuzuar se po favorizohen hapur nga ana e FSHF-së dhe sektori i përcaktimit të arbitrave. Disa javë më parë ishte Nexhat Bizhdili që ankohej për penalltitë që merrte skuadra e Nevil Dedes, ndërsa tani shpërthen homologu i tij nga Ballshi. Është Fundim Dollaku që i kthehet, duke cilësuar çdo fjalë shpifje të pamoralshme. Gjatë një reagimi të dhënë enkas për “Panorama Sport”, koordinatori i shijakasve paralajmëron kreun e ballshiotëve që shpejt do ta marrë reston.

DOLLAKU

“Java e 14- të dhe Kapllanaj merret me Erzenin… Shpifje të pamoralshme. Bylisi fitoi brenda në Shijak në javën e dytë dhe ne i dhamë dorën, ndonëse na u anulua një gol i rregullt. Nuk u ankuam fare, vetëm nxorëm të metat tona. Jemi e vetmja skuadër nga pretendentët që kemi lënë 7 pikë në fushën tonë dhe kemi pranuar rezultatin.

Kështu ndodhi me Vorën, që na ndali. Një ekip simpatik, që e meritoi barazimin. Jemi një klub i investuar për elitën dhe do vazhdojmë rrugën tonë, pa u marrë me askënd. Nuk vepruam si ju zoti Kapllanaj, që menduat se kampionati mbaroi pa filluar mirë. Të mbytur nga euforia e javëve të para, kujtuat se dolët kampion.

Ne e morëm shtruar dhe vlerësuam çdo ndeshje, duke mos u ankuar asnjëherë për gjykimet. Dhe ja ku jemi sot, vetëm tre hapa pas jush. Provën tonë me ju e kemi shpejt dhe mos u habisni që t’u marrim reston me fitoren tuaj në Shijak. Ne nuk lejojmë të paragjykohemi nga asnjë. Kemi ngritur një skuadër që ju akoma nuk ia dini vlerat e vërteta, ndaj suksesi ynë po ju verbon. Fatkeqësisht, keni rënë në një vetëkënaqësi të tepruar dhe ju duket çudi që bëtë hap fals.

Dështimet neve na shërbejnë për të ecur përpara. Ne kemi një staf qe po punon fuqishëm dhe jemi korrektë në çdo drejtim. Duke përfunduar, me sportivitet ju themi:

Qetësohuni! Vetëm me punë dhe stërvitje maksimale mund të arrini të keni sukses. Me rrugën e ankesave dhe ankimimeve që keni zgjedhur, nuk shkon askund. Me të njëjtin ritëm do vijojmë edhe fazën e dytë, që të realizojmë misionin në 90- vjetorin e klubit tonë”, përfundon Fundim Dollaku.

FIQIRI SHEHU – PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE: 

EKSKLUZIVE/ “Skandal me arbitrat dhe delegatët”, shpërthen presidenti i Bylisit: Drejton Shijaku apo FSHF? (E PLOTË)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"