EKSKLUZIVE/ Polemika me Josën, Kola: Unë nuk jam bir komunsti, trajnerët e sotëm janë si striptiste

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 24, 2018 | 23:54

EKSKLUZIVE/ Polemika me Josën, Kola: Unë nuk jam bir komunsti, trajnerët e sotëm janë si striptiste

“Këto trajnerë kemi. Dalin kampionë dhe më pas rrëzojnë ekipet nga kategoria”, ishte fraza thumbuese e Agustin Kolës në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” pak ditë më parë. E me mjeshtëri dhe finesë, nuk mungoi as përgjigjja e Mirel Josës, lidhur me rënien e Tiranës në Kategorinë e Parë.

Kola, duke rikthyer aftësitë prej sulmuesi në kohën e tij dhe me të folurën në dialektin e Shqipërisë së mesme, ekskluzivisht për “Panorama Sport” “bombardon” me sinjale të së shkuarës dhe kohës aktuale, me të dhëna që sipas tij janë të patjetërsueshme dhe kanë rrënjosur historinë e gjithkujt në sport. “Unë ta tregoj veten? E mora 9 pikë pas dhe e nxora kampion”, shprehet fillimisht ishlegjenda e Tiranës dhe Kombëtares. Nuk i mohon as akuzat për periudhën e sistemit të shkuar, ndërkohë që rikujton për të gjithë koleget kundërshtitë e tij në lidhje me presidentët, duke akuzuar: “Unë nuk jam trajner striptizmi, siç janë këta sot”.

agustin kola

Pas intervistës suaj, ka pasur një reagim nga Mirel Josa…

E lexova gazetën me vëmendje dhe fjalën e Mirelit. Unë jam i gatshëm të shpjegoj se çfarë ka bërë secili prej tyre, edhe Mireli, që nga periudha kur ka luajtur futboll. Unë i them Mirelit që jam gati edhe të ballafaqohem me të për gjithçka çfarë them e kërkon ai të thotë. Po i them që Agustini nuk ka luajtur futboll as sepse ka pasur babën sekretar partie e asgjë. E kam pasur babën punëtor. Unë kam lindur në Tironë dhe kam dhënë për Tironën e kështu siç jam sot kam qenë edhe atëherë. Por këto janë servilë dhe të tillë janë mësuar gjatë gjithë jetës. Kështu kanë mbijetuar gjatë gjithë kohës shumica e trajnerëve.

Komenti i Josës ndaj jush është që “të gjeni një ekip për të drejtuar dhe të gjykoheni më pas mbi atë çfarë bëni…”

Po a e mora ekipin në vitin 2009? Isha nëntë pikë pas dhe dola kampion. Është i fundit titull që ka marrë Tirona, s’ka tjetër pas tij. Unë, ngaqë nuk jam bërë dhe nuk pranoj të bëhem palë e askujt, ika nga skuadra. Kur më shitën ndeshjen e Kupës së Republikës, ika. Kjo është diferenca ‘ e madhe mes meje dhe secilit trajner tjetër. Nuk është vetëm Mireli, por të gjithë që pranojnë të bëjnë të gjitha çfarë thotë presidenti.

Keni qenë edhe ndihmës i tij…

Po, kam shkuar në atë periudhë sepse më kanë kërkuar Nallbani e Devi Muka. Prej atyre çunave jam afruar në pankinë. E në fakt, në vitin 2009, prej atyre e fituam edhe titullin sepse secili prej tyre më ndihmoi shumë.

Sa i përket rënies nga Kategoria, Josa pranon të ketë marrë një pjesë të përgjegjësisë, por sipas tij ka pasur edhe faktorë të tjerë…

Pse, tani dolën faktorët e tjerë? Kam qenë unë që i kam përmendur me kohë. Nëse Mireli nuk i kujton, dërgojani pak gazetat dhe ta shohë mirë. E kam thënë “Mirel, nëse të ka mbetur ndonjëfarë burrnie, hiq dorë”. Madje, ai edhe m’u kundërvu e më quajti “armik”. E pastaj e hodhi Tironën nga Kategoria. Janë gjëra të thëna në media, të shkruara dhe janë me fakte. Edhe ai duhet t’i kujtojë mirë, sepse unë për të mirën e Mirelit e kisha.

Duket se e dribloni akuzën e tij për të mos drejtuar një skuadër me objektiva madhorë në futbollin e sotëm…

Mireli e di që unë e kam pasur ekipin dhe kam folur që në fillim me Ridin. Erdha unë, tani më dëgjo mua se çfarë duhet të bëjmë. Në fund, e nxora ekipin kampion. Unë e kam thënë që nuk merrem me këta presidentë.

Në ç’kuptim? Çfarë keni ndaj tyre?

Presidentët e bëjnë ligjin sot, nuk e bën trajneri. Dhe e keqja është që këta trajnerë bëhen palë dhe pranojnë urdhrat “hiq këtë e fut atë”. Edhe në rastin e Muzakës u bë palë me Ridin për punë lekësh. Ridi tha që “nuk e ka në plane Josa” dhe ky u bë palë e nuk foli.

Sa i përket deklaratës suaj, Ernest Gjoka ju cilëson si figurë dhe bëni mirë që flisni…

E lexova edhe fjalën e tij. Sa u përket trajnerëve në vendin tonë, të keqen le ta gjejnë te vetja. Unë thashë vetëm një të vërtetë. A ishin në krye të dy ekipeve që ranë në Kategori të Dytë (Josa dhe Gjoka)? Nëse po them një të pavërtetë, atëherë dakord. Por më rezulton e vërtetë. Sa i përket asaj që ka thënë Gjoka, unë flas si plumb, kurse ai ka goditur ëmbël si me pambuk.

Secili prej të dyve, në fjalën e tyre shprehet se suksesi dhe dështimi ka disa faktorë, nuk është faj individual…

Më në fund kanë thënë diçka që e kam përsëritur me qindra herë në media. E kam thënë vazhdimisht që faji i këtij futbolli është i presidentëve. Unë jua them, këta nuk flasin. Këta (trajnerët e sotëm) janë si ato femrat që i vendosin presidentët të kërcejnë nëpër tavolina. Dinë vetëm të thonë “po, po, po”. Unë kam refuzuar të bëhem palë me presidentët, këta trajnerë pranojnë të bëhen si ato femrat nëpër pabe, që bëjnë striptizëm. Unë s’jam trajner striptizmi siç janë trajnerët e sotëm.

Nuk ju ka rastisur që të pranoni ndonjë kompromis, qoftë edhe me presidentët?

Asnjëherë në jetën time, as sot dhe as në atë kohë. Kur isha trajner i Tironës, m’i shitën dy ndeshjet e fundit dhe prandaj ika. Dola dhe thashë gjithçka e u largova. Gjatë gjithë jetës sime nuk kam pranuar kurrë servilizmin dhe as kompromiset. E përsëris, nuk e kam pasur babën as sekretar partie, as të kisha njeri me pushtet në parti, por ka qenë punëtor i thjeshtë. Ashtu siç kanë ecur prindërit e mi, kam ecur edhe unë nën gjurmët e tyre. Nuk jemi bërë servilë as të Enver Hoxhës dhe të askujt. Jam i gatshëm që të ballafaqohem me gjithkënd.

Në ndryshim nga unë që s’e kam pasur babën Enverist a komunist, këta kanë ecur në krah të tyre. As nuk e kam pasur vjehrrin trajner. Siç kam qenë në atë kohë, jam edhe sot. Njeri që kam ecur në bazë të aftësive të mia dhe sipas familjes sime, duke mos pasur njeri. Nuk kam pasur frikë as në atë kohë, kur edhe më dënuan për një vit në sport. Mirel Josa e di kur më dënuan dhe më la Tirona një vit në Fier dhe s’më morën as në shtëpi. Mireli ka qenë i vogël në atë kohë. Prandaj nuk kam dashur dhe nuk kam pranuar kurrë që ta ul hundën përballë askujt.

OLSI TUJANI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"