EKSKLUZIVE/ “Pokeri” i Salihit: Vetëm Duros i kam shënuar 4 gola…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2017 | 22:05

EKSKLUZIVE/ “Pokeri” i Salihit: Vetëm Duros i kam shënuar 4 gola…

Mbrëmje e magjishme për Hamdi Salihin. Sulmuesi ka realizuar “poker” në sfidën e vlefshme për javën e 15-të të ligës së dytë austriake mes Neushtad dhe Kapfenberg. Golin e parë e shënoi në minutën e 10-të me penallti. Kapfenberg barazoi në minutën e 15-të, ndërsa shkodrani shënoi edhe dy herë të tjera në minutën e 20-të dhe në të 29-ën.

Salihi

Edhe golin e tretë shkodrani e shënoi me 11-metërsh. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 3-1. Në minutën e 56-të Salihi shënoi dhe golin e 4-t personal duke i çuar shifrat në 4-2. Neushtadi është i pari në klasifikim me 30 pikë në 15 ndeshje.

Në një intervistë pas ndeshjes, për “Panorama Sport”, ai tha se nuk është penduar që u largua nga Shqipëria.

Salihi, sa herë keni shënuar 4 gola në një ndeshje?

Hera e dytë. Dikur i shënoja Lask Linzit kur luaja me Rapidin e Vjenës. Madje kisha përballë si rival Klodian Duron… (qesh).

A jeni penduar që jeni larguar nga Shqipëria?

Jo. Pata ndonjë dilemë në fillim, por kam vënë bast me veten dhe po ju them se po kaloj një nga momentet më të lumtura të jetës sime. Kam gjetur harmoni të plotë me ekipin dhe ndonëse jemi në ligën e dytë, ju siguroj se vëmendja e tifozëve dhe interesi mediatik është shumë i madh. Sa i përket Shqipërisë, të gjithë kujtojnë sezonin e fundit dhe e cilësojnë dështim ta mbyllësh edicionin me 15 apo 16 gola. Por ja që një sulmues nuk do shënojë gjithnjë mbi 20 gola, sado i mirë të jetë…

Çfarë objektivi keni?

Dua të ruaj ritmin. Ndeshjen e fundit në kampionat e mbylla me një penallti të humbur dhe kjo më nervozoi disi.

A ka shanse të lëvizni në janar nëse ju vjen ndonjë ofertë nga klube të Ligës së parë në Austri?

Unë kam pasur edhe gjatë kësaj kohe oferta, sepse realisht kam shënuar shumë gola këtu, por nuk besoj se do lëviz. I kam vënë një objektiv vetes që të ngjitim Neushtadin një kategori më lart dhe do jap më të mirën për ta realizuar këtë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"