EKSKLUZIVE/ Pogradecarët kthehen në “modë”, Skënderbeu monitoron mesfushorin 24-vjeçar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 23, 2022 | 14:33

EKSKLUZIVE/ Pogradecarët kthehen në “modë”, Skënderbeu monitoron mesfushorin 24-vjeçar

Skënderbeu “fiksohet” pas pogradecarëve. Pasi kanë përfshirë në listën e dëshirave Artion Alillarin dhe Hermes Shkullakun, një tjetër del në skenë.

MANELLARI

Gazeta “Panorama Sport” mëson se në ditët e fundit, drejtuesit kanë shfaqur interes për Isi Manellarin. Nëse dy të parët e mbyllën sezonin te Pogradeci, 24-vjeçari luajti në Berat.

Ai ishte titullar i padiskutueshëm me skuadrën që shkoi deri në fazën “play off”. Paraqitja e tij e mirë ka bërë që të ketë edhe minutazh të plotë.

Ai zyrtarisht ka luajtur në 30 ndeshje të kampionatit dhe 2 në Kupë, duke qenë pikë referimi për ofensivën. Është një element që mund të përdoret sa në mesfushë dhe në sulm, por mbi të gjitha e njeh mirë portën.

Vjet e gjeti 8 herë rrjetën në të dyja kompeticionet. Nëse do t’u bashkohej bardhekuqve, do t’u bënte vërtet punë në Kategorinë e Parë. Dhe duhet thënë që përvoja në këtë ligë nuk i mungon, kur më herët është aktivizuar te skuadra e Pogradecit apo e Ilirisë.

MONITORIMI – Për momentin nuk kemi të bëjmë me një bisedë të mbyllur. Drejtuesit po e monitorojnë, por duhet thënë se nuk janë të vetmit. Nuk janë të pakta klubet që e kanë në “fokus”.

Ai ishte një nga pikat e forta të Pogradecit para dy sezonesh dhe ka bërë po aq mirë edhe te beratasit.

Kjo ka sjellë edhe interesimin e Skënderbeut për lojtarin 24- vjeçar. Duket se pogradecarët janë kthyer në “modë” te Skënderbeu kohët e fundit.

Kujtojmë që edhe një sezon më parë kishin Vangjel Zguron, ndërsa gjasat janë që në stol të rikthehet Migen Memelli.

AFRIMET – Klubi po tregohet tejet i kujdesshëm në merkato. Qëllimi është që të ndërtohet një ekip kompetitiv për sezonin 2022-2023, që të mos diskutohet ngitja e menjëhershme në elitë.

Deri më tani Skënderbeu ka zyrtarizuar vetëm dy afrime në ekip, që i bashkohen pjesës tjetër të 10 lojtarëve që kanë një kontratë aktive nga sezoni i kaluar.

Bardhekuqtë kanë marrë Rapën nga Gjilani për mbrojtjen dhe kongolezin Meil për mesfushën.

Drejt zyrtarizimit është edhe roli i kryepankinës, atje ku Migen Memelli duket shumë afër firmës.

Dëshira për t’u kthyer në Korçë nuk i mungon dhe këtë ia ka bërë të qartë edhe presidentit.

Tashmë i mbetet Ardjan Takajt që të plotësojë kushtet e vendosura prej 42-vjeçarit, që “operacioni” të mbyllet me sukses. Nëse zyrtarizmi i trajnerit nuk vonon, nuk përjashtohet mundësia që muaji korrik ta gjejë ekipin në fushë.

MAN

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"