EKSKLUZIVE/ “Po të ndërhynte presidenti, nuk dilnim kampionë”, Egbo: Për t’u rikthyer te Tirana, i thashë Halilit…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 27, 2021 | 23:55

EKSKLUZIVE/ “Po të ndërhynte presidenti, nuk dilnim kampionë”, Egbo: Për t’u rikthyer te Tirana, i thashë Halilit…

Emanuel Egbo është njeriu që ia doli t’ia rikthente Tiranës titullin pas 11 vjetësh, pikërisht në 100-vjetorin e themelimit të klubit. E teksa Tirana aktualisht është pa trajner dhe po përsërit thuajse të njëjtat vështirësi si të një viti më parë, ish-trajneri komenton edhe çështje si ato të ndërhyrjes së presidentit Halili në formacion. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Egbo komenton edhe lëvizjet e merkatos te bardheblutë, afrimet që janë bërë dhe si po e lexon të gjithë situatën që po kalon ish-skuadra.
Egbo

Egbo, si e keni parë të gjithë situatën e fundit te Tirana?
Çfarë të them unë tani?! Sipas meje, është diçka e akumuluar dhe ka ardhur momenti që ka ndodhur. Për mendimin tim, nuk merret një vendim i tillë brenda ditës apo, aq më keq, për aq pak minuta para ndeshjes.
Dede 2
Ç’mendim keni për largimin e trajnerit Dede 10 minuta para nisjes?
Asnjeri nga jashtë nuk di ta thotë të vërtetën, vetëm ata që janë brenda dhe në këtë rast kanë folur presidenti dhe vetë trajneri. Nëse është i vërtetë varianti që kanë dashur ta ndërrojnë me forcë një lojtar nga formacioni, i bie që trajneri Dede ka bërë lëvizjen e duhur. Nëse nuk ka ndodhur kështu, atëherë një trajner që lë ekipin 10 minuta para se të fillojë ndeshja, nuk është veprimi i mirë. Pa e ditur saktësisht të vërtetën, nuk mund të them cili ka gabuar. Sido që të jetë, çfarë ndodhi është lajm i keq për Tiranën, klubin më të madh dhe më të titulluar në Shqipëri, ajo që i ndodh para ndeshjes.
Refik Halili
A ju ka ndërhyrë ndonjëherë presidenti Halili kur keni qenë në krye?
(Qesh… ) Varet se si e merrni ndërhyrjen, çfarë kuptoni me ndërhyrje ose se si një njeri e kupton ndërhyrjen.

Që t’ju thotë: “Hiq këtë lojtar dhe fut këtë tjetrin”?
Shikoni, ndërhyrjet mund të jenë në disa forma. Së pari, mund të jetë një sugjerim nga presidenti. Mirëpo, në çdo rast, është trajneri që vendos. Unë e quaj normale që presidenti të ketë edhe sugjerime, edhe mendime të tij për skuadrën dhe lojtarët, sepse është njeriu që bën investimet. Por, ai mund të thotë çfarë mendon dhe në fund është vetëm trajneri që vendos, as presidenti dhe as drejtori. Për sa kohë kam qenë te Tirana, çdo gjë që kam bërë dhe kam vendosur, e kam bërë me kokën time, siç e kam menduar, jo çfarë mund të kenë thënë.

A keni qenë i detyruar për të bërë ose mos bërë ndonjë zgjedhje?
Po ta kishin bërë, Tirana nuk do ta fitonte kampionatin. Po të kishim punuar dhe vepruar me mendimet e të tjerëve, nuk do të kishim atë sukses. Në fund të fundit, kam vendosur unë dhe kaq!
tirana-fiton-edicionin-81-kategoria-superiore-1-1024x682
Vjet Tirana ishte në situatë të vështirë dhe ndërroi trajnerë. A ka shanse që të përsëritet kjo mrekulli nga dikush tjetër?
Ai duhet të jetë Egboja që ta bëjë atë mrekulli edhe një herë (qesh…). Shikoni, nuk është vetëm fakti që erdhi Egbo në krye të Tiranës, mori drejtimin dhe u fitua titulli. Jo! Ka shumë gjëra…

Në ç’kuptim?
Është bërë punë shumë e madhe. Janë bërë gjëra që nuk kam parë t’i bëjë asnjë tjetër. Një trajner që mund të vijë, do të ketë rezultate pak më të mira, por nuk besoj se do të përsëritet ajo mrekulli.

Pse?

Sepse, së pari, ka qenë një punë shumë e madhe që është bërë. Dhe mbi të gjitha dhe kryesorja, është se ka qenë vullneti i Zotit. Ka qenë diçka e mbinatyrshme. Ka qenë një bekim nga lart për punën dhe gjithçka që kemi bërë. Asnjë njeri nuk e shpjegon dot se si ndodhi. Nuk ishte rastësi. Ishte një ndjesi, ishte një lidhje shpirtërore dhe, si të thuash, vetë Zoti vlerësoi zemrat e të gjithë atyre që punuan për ta bërë të mundur atë gjë. Ka qenë një harmoni e të gjithëve me njëri-tjetrin, ka qenë një ndihmesë e të gjithëve me njëri-tjetrin dhe ka qenë një menaxhim i mirë i situatave. Ka pasur shumë gjëra që kanë ndodhur atje dhe nuk i ka marrë vesh asnjë njeri, as mediat dhe askush veç nesh që kemi qenë në ekip. Ashtu menaxhohen gjërat. Është bërë ajo që do e gjithë tifozëria e Tiranës.

Kushdo që do të vijë atje, do të duhet të ketë shumë… guxim, që të bëjë diçka, për t’i bërë gjërat si duhet. Ai që do të vendosë se çfarë do. Duhet të ketë mbi të gjitha edhe drejtësi që të vendosë të luajë vërtet ai që e meriton. Pra, janë shumë gjëra që duhen bërë bashkë. E unë e shoh të vështirë që të gjitha këto t’i bëjë një njeri tjetër. Mund të merret rezultat i mirë, por nuk mund të përsëritet ajo që kemi bërë vjet. Jua thashë që nuk është diçka normale ajo që ka ndodhur, diçka fizike, pasi ka anën shpirtërore, ka besimin, psikologjinë dhe shumë punë që është bërë.

A e ka më të mundur Tirana objektivin titull apo duhet të mendojë vetëm për Europën, pasi është edhe jashtë Kupës së Shqipërisë?

16 pikë nuk është distancë e madhe, por as diçka e vogël. Vjet ka qenë afërsisht 12 ose 13 pikë kur e kam marrë unë dhe arritëm ta fitojmë titullin. Unë e kam thënë shpesh që futbolli nuk është matematikë që 1 edhe 1 bëjnë dy, sepse ka variante. Mirëpo, për pyetjen tuaj, duhet që të gabojnë ata që janë lart dhe Tirana t’i fitojë të gjitha ndeshjet. Tirana e di se çfarë pune duhet të bëjë që të fitojë 16 ndeshje pa asnjë humbje dhe më pas të presë që edhe ata sipër saj të humbin. Kështu mund ta mendojë titullin. Çdo gjë mund të ndodhë në futboll. Them Tirana, sepse janë ata që i shohin si janë gjërat, si janë lojtarët nga ana psikologjike, si është harmonia në ekip etj., pastaj vendosin objektivin që deri në këtë pikë shkohet.

Kur Dede u pyet për deklaratat tuaja që “po u ulen vlerat lojtarëve”, u shpreh: “Nuk jam Zoti”. A keni një koment për këtë?

Nuk kam se çfarë komenti të jap. Me tipin që kam, nuk i kthej përgjigje ndokujt që ka folur për mua. Nuk hap polemika. Unë i lë gjithmonë gjërat në dorën e Zotit. Kush bën shaka me Zotin, ai e ka me Zotin, nuk e ka me askënd tjetër. Nuk kam përgjigje, por unë kam thënë që Tirana ka lojtarë. Kur e mora unë, u tha për disa lojtarë se kush e merrte përgjegjësinë që ata ishin aty. Madje, kishte edhe prej atyre që bënë llogaritë se cili duhet hequr e cili duhej mbajtur në janar. Por, na ikën vetëm dy lojtarë, një prej tyre Kërçiku, pasi nuk e gjeti veten në plane dhe ne fituam titullin. Po me ata lojtarë, ata për të cilët të gjithë nëpër studiot televizive kanë thënë që kush mban përgjegjësi për këta dhe se me këta nuk shkohet askund, unë me ata e fitova. Prandaj ka nisur edhe kjo deklaratë imja se e dëgjoj shpesh të thuhet që Tirana nuk ka lojtarë.

Pse, si është sipas jush?

Tirana ka lojtarë. Lojtarë të mirë. Madje, kanë luajtur mirë në shumicën e ndeshjeve. Atëherë unë pyes: Pse nuk po fitojnë? Gjërat janë bërë tamam apo nuk janë bërë tamam? Nëse janë bërë gjërat mirë, atëherë them që ekipi do të fitojë. Ku ka harmoni, ka edhe rezultate.

Si e shihni këtë Tiranë në këtë aspekt?

Nga jashtë gjithmonë, e shoh që nuk kanë shumë harmoni. Lojtarët nuk kanë shumë besim në vete për cilësitë që kanë. Nuk kanë besim te njëri-tjetri dhe kjo është kryesorja. Këtë e ka pasur ekipi vjet. Jua them me sinqeritet që nuk i mashtron dot lojtarët. Kur ata e shohin që ti je duke vepruar mirë, me drejtësi dhe që po luajnë ata të cilët e meritojnë, atëherë kjo është ajo që sjell harmoninë. Këtë po bën Vllaznia. Askush s’pyet cili është në fushë, por të gjithë mbështesin ekipin që të fitojë. Tani vë re lojtarë që shohin interesat e vet.

Tirana festa

Kush, a mund të thoni emra?

Po shoh lojtarë që po mendojnë për objektivat personalë. Objektivi i klubit është kryesori. Nëse realizohet ai, atëherë arrihet edhe objektivi personal i lojtarit.

Si del Tirana kampione?

Tirana nuk del dot kampione me lojtarët e akademisë. Ia kam thënë klubit. Tirana është ndërtuar që gjithmonë ta fitojë titullin.

Po ju pikërisht me ata e fituat, Çelhaka, Ismajlgeci, Muçi, Doka etj…

Po, por si? Ishte një apo dy nga akademia, por jo e gjithë akademia në ekipin e parë dhe të pretendosh titullin. Ishte Çelhaka 19 vjeç që luajti, por nuk ishin gjashtë nga akademia në fushë në të njëjtën kohë. Muçin që ju po e shihni tani duke luajtur, ne e fituam vjet si lojtar, duke e futur me kujdes dhe Muçi shënonte në çdo ndeshje, ka bërë mirë. Kështu fitohet lojtari i akademisë, duke fituar. Jo pa eksperiencë. Vetëm merre nga akademia dhe fute menjëherë, pa eksperiencë dhe pa asgjë. Çdo gjë bëhet me kohë, për ta fituar atë lojtar. Muçin, Çelhakën apo Ismajlgecin ne i fituam si lojtarë sepse ekipi po fitonte. Kur skuadra fiton, mund të fusësh një apo dy. Jo të pestë. Pra, Çelhaka ishte në fushë, të tjerët i fituam me kohën, duke i futur në momentin e duhur.

Nëse Halili ju telefonon dhe ju fton të riktheheni një ditë, si do t’i përgjigjet Egbo?

(Qesh… ) Jo, jo, nuk kam nevojë që ta shpjegoj këtë. Unë në takimin e fundit që kam pasur me Halilin, pa pasur nevojë që të them në gazeta apo nëpër studio televizive, ia kam thënë se cilat janë kushtet që unë mund të kthehem prapë në ekip. Nuk e shoh që mund të përmbushet ajo ide që do të kërkoj unë. Unë e kam thënë që asnjëherë nuk mund të them kurrë apo të them jo. Por, presidenti e di se si mund të kthehem unë. Vret nga parametrat se si unë e bëj punën time. Nëse bëhet kjo, atëherë çdo gjë është e mundur.

Si i keni parë afrimet e merkatos së janarit te Tirana?

Janë të gjithë lojtarë të mirë. Janë të mirë, por varet se si do të përdoren. Unë e kam thënë edhe më parë që për mua nuk ka lojtar të keq, por varet si e menaxhon. Tirana është ekip që vit për vit do titullin dhe nuk mjafton të marrë lojtarë të mirë, por që ta kenë karakterin e duhur për t’iu përshtatur kësaj filozofie. Kështu ka qenë gjithmonë Tirana, do të fitojë çdo herë. Unë kam fituar edhe si portier, që triumfonim vit për vit me titull dhe Kupë. Një lojtar i mirë mund të luajë në çdo klub në Shqipëri, por te Tirana mund të mos shprehet. Te Tirana duhet të ketë personalitetin dhe mentalitetin për titull çdo vit.

OLSI TUJANI 

EKSKLUZIVE/ Shkaku që u bë pretekst, biseda me Osmanin dhe takimi me Halilin. Zbulohen prapaskenat e largimit të Dedes

Përplasjet/ Kur Halili dhe Dede akuzonin njëri-tjetrin në vitin 2013…

Nga ndërhyrja e Halilit në formacion te vendimi për t’u larguar, rrëfehet Nevil Dede: Ju tregoj çfarë ndodhi…

Shkaqet e “divorcit” me Deden, Refik Halili sulmon Hafizin: Nuk shkon dot në Shkodër se e hedhin nga ura e Bunës, trajneri i ri…

Përplasje në distancë Hafizi-Halili, ish-trajneri: Ai nuk e do Tiranën, është gangrena! Ka marrë në qafë edhe… djalin

“Ndërhyj në formacion kur të më dojë qejfi, e bëj prej 20 vitesh”, Refik Halili: Nuk ka lindur ai burrë që…

“Dede do ta thotë të vërtetën se përse iku nga Tirana, kam besim”, Refik Halili: Nuk do të marr trajnerë opinionistë

VIDEO EKSKLUZIVE/ Plas te Tirana, Nevil Dede braktis skuadrën para ndeshjes. Ja arsyeja e largimit

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"