EKSKLUZIVE/ Po shkëlqen në Slloveni, Çekiçi: Ju tregoj sekretin e goditjeve “alla Pirlo” (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2019 | 22:28

EKSKLUZIVE/ Po shkëlqen në Slloveni, Çekiçi: Ju tregoj sekretin e goditjeve “alla Pirlo” (E PLOTË)

Ekzekutimi i një goditjeje dënimi është një specialitet që pak herë ka qenë i shfrytëzueshëm në Kombëtaren shqiptare. Ervin Skela, Adrian Aliaj, Alban Meha dhe Ergys Kaçe janë katër emrat që ndër vite deri më sot kanë lënë gjurmë me gola të bukurshënuar nga distanca. 

endri cekici

Së fundmi, një yll i ri nga Kombëtaret e moshave surprizon me një goditje të kalibruar herë pas here. Endri Çekiçi, në një intervistë për “Panorama Sport”, ka treguar sekretet e goditjeve nga distanca, formën e mirë, raportet me Kombëtaren shqiptare dhe mbi të gjitha, kritikuesin e tij më të madh. “Mesi është lojtari më i mirë në botë sipas meje, por nuk mundohem të kopjoj asnjë”, tregon ndër të tjera Çekiçi. Si për çudinë e të gjithëve, 22-vjeçari tregon ndjesinë pasi nuk mori edhe këtë herë një ftesë nga Kombëtarja A dhe është vetëm në listën e pritjes.

Po kaloni një superformë dhe keni shënuar sërish dopietë në Slloveni, a keni një sekret për këtë? 

Po kaloj një formë të mirë dhe realisht ndihem mjaft mirë nga ana fizike. Jo vetëm kaq, por edhe në aspektin psikologjik ndihem shumë mirë dhe këto besoj se janë gjërat më të rëndësishme që përkthehen në fushë me paraqitje pozitive.

Cekici-goli

Gol “alla Pirlo” në fundjavë, kë mundoheni të kopjoni në ekzekutimin e goditjeve të dënimit? 

Të jem i sinqertë, nuk mundohem të kopjoj ndonjë në veçanti. Sa herë që kam një moment të tillë goditjeje para portës, e rëndësishme për mua është të përqendrohem ta godas topin brenda në kuadrat sa më fort të jetë e mundur.

Çfarë bëni për të pasur kalibrim aq të saktë, pasi keni shënuar disa herë me goditje standarde apo edhe me gjuajtje jashtë zone?

Pas çdo seance stërvitore, pavarësisht se sa mund të zgjasë ajo me skuadrën, unë qëndroj në fushë për disa minuta në mënyrë që ta përmirësoj sa më shumë goditjen. Tentoj nga distanca, apo edhe me goditjet standarde.

A keni një kuotë golash në mendje për këtë sezon, pra një lloj basti me veten? 

Unë konsideroj si më të rëndësishmen në karrierë që të punoj shumë dhe të vazhdoj të kem paraqitje sa më të mira, që shoqërohen me rezultatet e skuadrës. E mendoj kështu, pasi sipas meje, në momentin që ia dal që të luaj mirë në fushë rregullisht, edhe golat do të vijnë. Sigurisht, nuk e fsheh dëshirën për të shënuar sa më shumë gola.

Skuadra juaj e preferuar që nga fëmijëria?

Po e kam një. Që në moshë të vogël kam qenë tifoz i zjarrtë i Real Madridit.

 Pavarësisht kësaj forme që po kaloni, sërish emri juaj vetëm në listën në pritje të Kombëtares. Ju ka kontaktuar ndonjë nga stafi për t’jua komunikuar këtë zgjedhje?

Jo, nuk kam pasur asnjë kontakt të tillë. Deri në momentin që flasim jo, nuk kam folur me asnjë.

 U habitët këtë herë? 

Në fakt, e prisja me padurim. Mendova se kësaj radhe kishte ardhur momenti edhe për mua… Mirëpo, me sa duket nuk ishte kështu.

 E pyesni veten se çfarë duhet të bëni më shumë për të merituar një ftesë, pasi po luani rregullisht dhe po shënoni në mënyrë sistematike?

Besoj se kjo është një pyetje që nuk duhet të më drejtohet mua. Është trajneri i Kombëtares ai që vendos…

Cekici

Mos ndoshta është skema 3-5-2 problem për mosgrumbullimin tuaj në Kombëtare dhe në të vërtetë sa e njihni ju atë? 

Më duket pyetje e ngjashme me atë që ishte më sipër. Jua thashë, janë disa lloj pyetjesh të tilla që i di trajneri, pasi ai është personi që vendos. Sa i përket modulit, unë e njoh 3-5-2-shin, pasi kam luajtur te Lokomotiva e Zagrebit.

Në cilin pozicion mund të vendoseni?

Kur e kujtoj atë modul, jam përshtatur mjaft mirë edhe te dyshja e sulmit, duke pasur më shumë liri. Por kam luajtur edhe në rolin e mesfushorit të avancuar në pjesën e 3 mesfushorëve të qendrës.

Keni marrë interesime konkrete për merkaton e janarit?

Po, realisht ka interesime, por jemi akoma në muajin nëntor dhe momentalisht unë nuk mendoj rreth saj.

Mund të thoni një emër? 

Jo, s’do të ishte korrekte. Por më besoni që është diçka të cilën e kam lënë mënjanë dhe mendoj vetëm për stërvitjet apo ndeshjet dhe të vazhdoj me formë të mirë.

 A e keni një kampionat të preferuar si synim për ta arritur? 

Po, e kam. Normalisht dua që një ditë të kem mundësinë të luaj në një nga top 5 ligat më të forta në botë. Mirëpo, e di që për ta arritur atë duhet të punoj akoma më fort dhe të jem gjithmonë me këmbë në tokë.

Ushqimi i preferuar? 

Nuk kam ndonjë preferencë të veçantë.

 Muzika që dëgjoni?

“Rap” dhe “Hip hop”.

Makina që keni fiksim?

Nuk kam (qesh…).

 Lojtari më i mirë në botë sipas jush? 

Lionel Mesi

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"