EKSKLUZIVE/ “Po japim rroga pa u luajtur futboll”, Hasanbelliu: Isha kundër bojkotit, por shumica të… mund (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 13, 2020 | 20:54

EKSKLUZIVE/ “Po japim rroga pa u luajtur futboll”, Hasanbelliu: Isha kundër bojkotit, por shumica të… mund (E PLOTË)

Situata e paprecedentë që po përjeton futbolli shqiptar ka futur në kolaps klubet. Edmond Hasanbelliu është prej dy dekadash në krye të Teutës, por pranon se ka ardhur momenti, që me gjithë problemet që kanë klubet, qeveria duhet të miratojë kërkesat për të pasur një formalizim të tyre. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, presidenti i durrsakëve tregon pse Liga vendosi që të vazhdojë bojkotin e kampionatit, ndërsa jep detaje se kur mund të zgjidhet kjo çështje madhore. Ai beson se Superiorja mund të nisë javën e ardhshme.

Hasanbelliu-Asamble-2018

Zoti Hasanbelliu, Liga doli me vendimin për vazhdimin e bojkotit. A është kjo rruga e duhur në një kohë që u bë një muaj pa futboll nga momenti kur FSHF-ja vendosi 12 shtatorin për fillimin e kampionatit?

Situata do të vazhdojë kështu derisa të plotësohen kushtet nga qeveria. Ky është një vendim që është marrë për një kohë të papërcaktuar. Presim reagimin e qeverisë këto ditë dhe kemi shpresë se diçka e mirë do të bëhet. S’mund të themi tani është apo jo bojkoti rruga e duhur, në një kohë që shumica vendosi për diçka të tillë. E nisëm këtë dhe duhet t’i shkojmë deri në fund. E duhur apo jo e duhur, shumica të mund. Edhe unë me shumicën po bëhem…

Ju personalisht jeni për bojkot derisa të ketë një reagim konkret apo të fillojë një herë kampionati, e më pas të shikohet në vazhdimësi se çfarë do të bëhet…?

Faktikisht, unë nuk kam qenë për të bërë bojkot, por duke parë shumicën, edhe unë mendova si të gjithë. Gjykuam të veprojmë kështu duke i bërë thirrje qeverisë që të shikojë me përparësi ato që kemi kërkuar. Në syrin tim mendoj se futbolli gjithmonë duhet ta ketë mirë me qeverinë, kushdo qoftë ajo. Edhe me këtë qeveri si Superligë që jemi, mirë e kemi pavarësisht se ne tani kërkojmë të plotësohen disa kërkesa të logjikshme. U mendua të bëhej një bojkot, që për mendimin tim vazhdoi pak gjatë, ndryshe nga çfarë mund të parashikohej.

teutaaa

Çfarë prisni të ndodhë tashmë?

Shpresoj që Ministria e Financave dhe dikasteret për- katëse që kanë në dorë kërkesat tona, të veprojnë ashtu siç u takon me futbollin. Minimalisht duhet të miratojnë ligjin e sponsorizimit. Kjo është më e pakta që mund të bëjnë në këtë situatë. Sipas asaj që kemi mësuar nga presidenti i Ligës, zoti Libohova, kemi një shpresë që palët do të ulen këto ditë. Kështu na u tha dhe urojmë të ketë një zgjidhje. Besoj se qeveria do të reagojë, pasi është një situatë jo e mirë për ne. Nuk mund të vazhdohet pambarimisht pa futboll, pasi është dëm i madh.

Ky bojkot, çfarë kostoje ka për një klub si Teuta që këtë sezon ka bërë një merkato të fuqishme, duke investuar ndoshta më shumë se çdo herë tjetër?

Me fjalë të thjeshta mund të them që ne vazhdojmë paguajmë rrogat e lojtarëve pa u luajtur fare futboll. Dëmi është shumë i madh.

Hasanbelliu

Kur mendoni se mund të ketë një zgjidhje dhe kampionati do të fillojë normalisht?

Paraprakisht u la të vazhdojë bojkoti dhe të negociohet patjetër me qeverinë për të pasur konsensus të plotë. Unë them se do të nisë sa më shpejt të jetë e mundur. Kam besim se kjo çështje do të zgjidhet në ditët e ardhshme. Zoti Libohova dhe Fidel Ylli do të bëjnë një takim konkret këtë javë dhe ne po presim. Deri më 14 tetor është Kombëtarja, por të paktën të takohen palët dhe ndoshta të nisim nga 20 tetori. Futbolli na është bërë adrenalinë dhe nuk mund të qëndrojmë dot pa të.

Jeni i bindur që klubet kanë një mendim të unifikuar për këtë çështje, pasi shpesh deklaratat kanë qenë kontradiktore, madje edhe me akuza me sfond politik nga presidentët e Apolonisë dhe Kukësit…?

Kjo është punë e tyre dhe nuk merrem me deklaratat që bëjnë. Problemi është që klubet duhet të formalizohen dhe të jenë konform rregullave me Tatimet apo institucionet e tjera. Unë mendoj se po shkojmë në rrugën e duhur të formalizimit. Këtë e them me bindje për klubin që drejtoj, pasi po bëjmë gjithçka. Teuta po funksionon si shoqatë por duam të jemi ‘OK’ për gjithçka kërkohet.

JORGIS MEMO-PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"