EKSKLUZIVE/ “Po ikën Murinjo, e jo më unë”, Kukësi e ka të qartë se çfarë duhet të bëjë me Shehin (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 22, 2020 | 22:59

EKSKLUZIVE/ “Po ikën Murinjo, e jo më unë”, Kukësi e ka të qartë se çfarë duhet të bëjë me Shehin (E PLOTË)

“Po ikën Murinjo, e jo më unë…”, ishte kjo deklarata e Orges Shehit që “trazoi” Kukësin. Sikur të mos mjaftonte humbja që pësuan në Laç dhe thellimi i diferencave me kreun, një fjali e dhënë prej trajnerit pas ndeshjes, krijoi dyshime për të ardhmen e tij në stol.
Shehi5

E megjithatë, duket se klubi është i vendosur për t’i besuar deri në fund. Gazeta mëson se pozicioni i 42- vjeçarit nuk është në rrezik dhe sidomos pasi ia kanë “faturuar” arbitrimit këtë disfatë, e cila erdhi pas 4 fitoreve radhazi (në kupë e kampionat).

Drejtuesit as nuk e kanë menduar shkarkimin e trajnerit, madje ai është i konfirmuar. Në klub nuk e diskutojnë mundësinë e një ndryshimi të tillë në stol, të paktën deri sa të mbyllet ky sezon. Verilindorët u tronditën jo pak nga ajo humbje e pësuar në transfertë me kurbinasit, e megjithatë kanë menduar që të bashkuar të rikthehen më të fortë.

ANKESA

Humbja në Laç ia ka prishur humorin Kukësit. Edhe pse nuk kanë në plan të dorëzohen, duhet thënë që thellimi i diferencës me Tiranën ka shuar disi ëndrrën për titull. Nëntë pikë në 6 javë të mbetura, janë me të vërtetë shumë për t’u arritur, edhe pse rivali direkt do të ndeshet deri në fund me ta vetë, por edhe me Partizanin e Laçin. Ajo ndalesë në Kurbin u shoqërua me akuza të forta ndaj kryesorit Kridens Meta. Ishte vetë Safet Gjici që shfryu ndaj tij, duke e cilësuar si “palo arbitër”. Pas deklaratës së dhënë ekskluzivisht për gazetën, presidenti ka folur edhe me krerë të lartë të federatës.Kridens Meta, Kukesi

Ai ka shprehur notë proteste për këtë gjyqtar, i cili sipas tij ka ndikuar drejtpërdrejtë në garë. Drejtuesit gjithashtu nuk do ta lënë me kaq padrejtësinë që u është bërë dhe po ndërmarrin hapa konkretë. Ata kanë menduar që të bëjnë dhe një ankesë zyrtare në FSHF, ku të kërkojnë shpalljen “non grata” dhe dënimin e Kridens Metës, i cili hapur favorizoi vendësit në rastin e Kristal Abazajt.

REAGIMI

Gjatë ditës së djeshme, ata kanë dalë edhe me një reagim zyrtar për këtë çështje. Klubi numëron që të gjitha rastet ku janë penalizuar. “Përshëndetje! Pas ndeshjes me Laçin, kemi analizuar edhe njëherë ndeshjen dhe gjyqtarin Kridens Meta e asistentët e tij, të cilët nuk kanë arritur të sigurojnë mbarëvajtjen e ndeshjes.

Duke filluar me një penallti të mohuar ndaj Abazajt e deri te kartonët e shumtë kundrejt skuadrës sonë dhe kursimeve ndaj Laçit. 1) Ndërhyrje në zonë, por nuk akordohet penallti. 2) Ndërhyrje ndaj Abazajt, konsiderohet e rregullt. 3) Goditje këndi për Kukësin, akordohet pozicion jashtë loje i padrejtë. 4) Ndërhyrje nga mbrapa Gavazajt, s’ka faull. Turkaj që shkakton ndërhyrjen ishte edhe i ndëshkuar”, shkruante klubi në reagimin zyrtar, ku numëron rastet ku janë penalizuar.

SKERDILAID SULOZEQI 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"