EKSKLUZIVE/ Plazh dhe fasule, Ejoh: Në Shqipëri ka racizëm, kam jetuar duke ngrënë qofte e qepë… me lekë borxh (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 23, 2020 | 23:59

EKSKLUZIVE/ Plazh dhe fasule, Ejoh: Në Shqipëri ka racizëm, kam jetuar duke ngrënë qofte e qepë… me lekë borxh (E PLOTË)

Efiong Ekemini Ejoh është një personazh interesant. Sulmuesi i Apolonisë mbërriti në Shqipëri përpara gati 4 vjetësh, me sugjerimin e menaxherit Abraham Aleçenu, ish-futbollisti nigerian që ka luajtur për disa skuadra në vendin tonë, madje është shpallur kampion me Dinamon, Tiranën dhe Elbasanin.

Ejoh5

Ejoh e nisi nga Dinamoja dhe aktualisht është pjesë e Apolonisë. Pa mbushur ende 24 vjeç, është një futbollist me cilësi të mira, që ende nuk i ka shfaqur siç duhet. Në Kupë kundër Kukësit dhe në derbin me Lushnjën shpalosi vlera nga arsenali i tij, duke shënuar 3 gola, ndonëse trajneri Mërgjyshi i ngarkoi detyra mbrojtëse.

Ndaj Pogradecit u ndëshkua me karton të kuq në fund, pasi goditi Liçkollarin, por, siç shprehet Ejoh, në atë ndeshje u godit dhe fye gjithë kohës. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ai rrëfen gjithçka mbi përvojën në Shqipëri.

Cila është familja e Ejoh? Nga sa pjesëtarë përbëhet ajo?

Kam lindur në Lagos të Nigerisë. Jemi një familje e përbërë prej 5 vetash: dy prindërit dhe 3 vëllezër, motra nuk kam. Unë jam fëmija i madh i familjes sime.

Cili është statusi i Ejoh? Beqar, i fejuar, i martuar?

Momentalisht jam beqar.

I dashuruar? Në një lidhje?

(Heziton paksa, qesh) Jo, jo, as diçka e tillë. Është ende herët, mendoj. Jam i fokusuar te futbolli për momentin.

Pro apo kundër një bashkëshorteje shqiptare?

Pyetje interesante… Nuk e kam menduar ndonjëherë. Nuk e di, kur ta mendoj, jua them. E përsëris që për momentin jam i përqendruar te karriera.

Si mbërritët në Shqipëri? Kur keni ardhur për herë të parë?

Për herë të parë kam ardhur më 24 gusht 2016. Ishin sugjerimet e disa miqve të mi dhe menaxherit tim për të luajtur me Dinamon. Aty kam pasur përvojën time të parë në futbollin shqiptar, për të vazhduar më tej me ekipe të tjera.

Ku keni luajtur përpara se të vinit në Shqipëri?

Jam aktivizuar vetëm në Nigeri, në Ligën e Dytë, por të mos harrojmë që kam qenë vetëm 19 vjeç atëherë.

Çfarë ju ka bërë më tepër përshtypje në Shqipëri?

Më ka pëlqyer bregdeti juaj, plazhet. Shqipëria ka një natyrë të bukur bregdetare dhe plazhe mahnitëse. Janë vende ku mund të kalosh pushime relaksuese.apolonia-lushnja

Çfarë nuk ju ka pëlqyer në Shqipëri?

Mentaliteti jo i shëndoshë te shumë njerëz. Është për të ardhur keq.

Cili është ushqimi juaj më i preferuar në Shqipëri?

Fasulet (qesh).

Cili qytet ju ka pëlqyer më shumë në Shqipëri?

Saranda, Vlora, Tirana dhe pa dyshim Fieri. Ka vende të bukura Shqipëria.

Dinamo, Laçi, Turbina, Besa, Shkumbini, Apolonia. Ku është ndier më mirë Ejoh?

Kudo kam kaluar shumë mirë dhe pa asnjë problem, me përjashtim të Turbinës. Në Cërrik kam jetuar duke ngrënë qofte e qepë dhe me lekë borxh. Nuk dua as ta kujtoj më atë kohë…

Ka pasur në Shqipëri shenja racizmi ndaj jush?

Po, shpesh madje. Edhe duke ecur në rrugë, ka njerëz që qeshin, përqeshin dhe tallen, por kam mbajtur distancë dhe nuk kam reaguar. Kjo gjë lidhet me mentalitetin jo të shëndoshë të disa njerëzve, që e thashë edhe më lart.

Ç’është Apolonia për ju?

Apolonia është shtëpia ime e dytë dhe këtu ndihem mjaft mirë. Janë njerëz të sjellshëm, të komunikueshëm, profesionistë dhe shumë korrekt.

Në ndeshjet e fundit keni shënuar 3 gola, por jashtë pozicionit tuaj natyral. Mos ndoshta ka ndikuar pozitivisht roli i mbrojtësit për të gjetur atë që ju mungonte, golin?

Nuk kam luajtur asnjëherë në pozicionin tim qysh kur kam ardhur tek Apolonia. Edhe 3 golat e shënuar, siç e thatë ju, nuk i kam shënuar në rolin tim. Më duhet të sakrifikoj për të luajtur atje ku ka nevojë ekipi dhe përpiqem të bëj më të mirën time, në çdo pozicion që të më vendosë trajneri. Për golat, them se më ka ndihmuar edhe fati dhe Zoti ka qenë me mua.

Çfarë nuk pëlqen Ejoh në futbollin shqiptar?

Shpesh mosrespektimin e kontratave dhe detyrimet financiare që kanë klubet ndaj futbollistëve. Veç kësaj, edhe presionet e shumta që bëhen në fusha të ndryshme, ku nuk mund të luhet futboll i qetë.

Si shkoi çështja e gjyqit me Turbinën? Ju kanë shlyer për borxhin që ju kishin?

Jo, ende nuk më kanë shlyer, por jam i qetë nga kjo anë, pasi ata kanë ndëshkime dhe penalizime, nëse nuk shlyejnë detyrimin që kanë ndaj meje.

Si e keni përballuar periudhën e “COVID-19”?

I vetëm, në një shtet të huaj…

Ju ka ndihmuar klubi i Apolonisë? Jeni i kënaqur prej tyre?

Ishte një situatë e vështirë, pesimiste dhe që na mbajti larg futbollit për shumë kohë. Klubi u kujdes për mua për çdo gjë, që nga strehimi e gjer tek ushqimi dhe nevoja të tjera dhe jam shumë i kënaqur nga interesimi i tyre.APOLONIA

Keni një kontratë drejt përfundimit. Çfarë keni menduar më tej? Do të diskutoni për rinovimin me Apoloninë apo do të kërkoni skuadër të re?

Po, kontrata ime do të përfundojë së shpejti, por tani jam i fokusuar në ndihmesën që duhet t’i jap Apolonisë për arritjen e qëllimit, ngjitjen në Superiore. Sa i përket çështjes së rinovimit, do ta mendojmë dhe diskutojmë në kohën e duhur dhe me qetësi dhe pastaj do të marr një vendim.

A beson Ejoh se Apolonia do të ngjitet në Superiore?

Absolutisht që po, besoj 200%. Kemi një skuadër shumë të mirë dhe Zoti do të jetë me ne, aq më tepër që tani jemi 4 pikë përpara vendit të dytë.

U ndëshkuat me karton të kuq në Pogradec, madje duke goditur një futbollist kundërshtar. Pse ky nervozizëm, kur ju keni spikatur si lojtar i qetë?

Asgjë nuk ka ardhur nga unë, madje kam duruar shumë gjatë gjithë ndeshjes. Ka pasur shtytje të qëllimshme, goditje ndaj meje, që gjyqtarët nuk i kanë parë, por janë fiksuar në pamje televizive, pastaj shiheni me kujdes atë rast të minutës së fundit, çfarë ndërhyrjeje të ashpër ka pasur ndaj meje dhe nuk jam rrëzuar më kot. Pas kësaj, ka pasur sjellje antinjerëzore, ku thuajse të gjithë lojtarët e Pogradecit kanë ardhur dhe më kanë tërhequr gati zvarrë për të më ngritur në këmbë, ndërkohë që vuaja ndërhyrjen e ashpër të kundërshtarit.

Pse kam reaguar ndaj Liçkollarit? Sepse kur isha shtrirë, ai më ka goditur me shkelma në brinjë e në qafë, shikoni pamjet e ndeshjes. Nuk i ka hije një ekipi si Pogradeci një sjellje e tillë, sepse, më shumë se dëmtojnë në lojtar, ata shëmtojnë futbollin. Megjithatë, nuk më intereson kartoni i kuq që mora, pasi jam i lumtur për fitoren e skuadrës dhe i bindur që mungesa ime nuk do të ndikojë në ndeshjen e radhës, sepse kemi një ekip shumë të mirë dhe me alternativa.

BUJAR RAMA 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"