EKSKLUZIVE/ “Plas” te Partizani, Sormani largohet nga stërvitja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 24, 2020 | 23:10

EKSKLUZIVE/ “Plas” te Partizani, Sormani largohet nga stërvitja

Te Partizani nuk ka qetësi as pas dy fitoreve radhazi. Në stërvitjen e djeshme, të zhvilluar në orën 09:30 në kompleksin “Football Republic”, situata ka precipituar. “Panorama Sport” zbulon nga burime të sigurta se protagonist është bërë vetë trajneri Adolfo Sormani. Mësohet se italiani është parë mjaft i acaruar gjatë seancës, duke ngritur tonet me zyrtarë të klubit dhe lojtarët.
SORMANIO
Më pas, trajnerit nuk i kanë mbajtur më nervat dhe në mënyrë demonstrative ka braktisur stërvitjen për disa minuta. Nuk dihet konkretisht se çfarë e ka acaruar kaq shumë Sormanin që të bëjë një veprim ekstrem.

Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që kjo të jetë diçka e akumuluar për vetë situatën jo të mirë që ka kaluar ekipi pas rifillimit të kampionatit. Dy humbjet radhazi ndaj Skënderbeut dhe Kukësit lëkundën stolin e Sormanit, por gjithsesi drejtuesit e Partizanit vazhduan të besojnë tek italiani, i cili është nën kontratë edhe për dy sezone të tjera me klubin e kuq. U mendua se kthesa u bë pas dy fitoreve radhazi me ekipet që kanë rënë nga kategoria, si Luftëtari dhe Flamurtari.

Por, nuk ishte e thënë kështu. Atmosfera te “demat” tensionohet tashmë në prag të ndeshjes ndoshta më të rëndësishme të këtij sezoni, pikërisht kundër Laçit, teksa Partizanit i duhet patjetër fitorja për të shpresuar Europën. Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë në seancën e sotme dhe a do të qetësohen gjërat në këtë moment kritik të sezonit. Sormani ka marrë bekimin e Demit për dorë të lirë te Partizani, ndërsa objektiv minimal i klubit mbetet sigurimi i pjesëmarrjes në Ligën e Europës.

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"