EKSKLUZIVE/ Plas te Partizani, Hakaj sherr me trajnerin Lerda: Mbylle gojën se…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 13, 2019 | 23:05

EKSKLUZIVE/ Plas te Partizani, Hakaj sherr me trajnerin Lerda: Mbylle gojën se…

Plas sërish te Partizani. Të kuqtë e kryeqytetit duket se e kanë të pamundur që në këtë sezon të mbyllin një javë pa përplasje të brendshme.

pjimage (1)

Rasti më i fundit ka ndodhur dje, gjatë seancës stërvitore të zhvilluar në kompleksin “Pepa” në Elbasan. Trajneri Lerda kapet me Hakajn dhe e përzë nga stërvitja, ndërkohë që ky i fundit lëshon një lumë të sharash ndaj teknikut.

Kur skuadra ishte duke zhvilluar një lojë midis tyre, pasi kishin kaluar pak minuta nga testi brenda grupit, tekniku italian nxjerr nga loja Hakajn, ndërsa ky i fundit nuk mban më nervat dhe shfryn dufin, i cili me sa duket ka qenë i akumuluar që më parë, duke parë edhe rrjedhjen e ngjarjeve.

esin hakaj

Një situatë që nuk i shkon për shtat Partizanit në këto momente, por gjithsesi tregon situatën e tensionuar që ekziston në klub, edhe pse në pamje të parë duket gjithçka e qetë. Nuk është hera e parë që Lerda kapet me individë të veçantë, me Asanin dhe Trashin më parë që kanë pasur “shkëndija”, por që duket sikur janë mbyllur. Të shohim nëse edhe me Hakajn do të ketë paqe apo do të bëhet shembull, ndonëse me atë që u pa, vështirë se mbrojtësi me trajnerin italian mund të vijojnë bashkëpunimin midis tyre.

DEBATI I PLOTË MES LERDËS DHE HAKAJT

Pasi Lerda e nxori Hakajn nga loja nis edhe dialogu në distancë midis tyre, i cili edhe mund të përfundonte në përplasje nëse do ishin afër njëritjetrit dhe po të mos ndërhynte stafi.

Lerda

“Panorama Sport” më poshtë jep të zbardhur dialogun mes trajnerit dhe lojtarit. (Dialogu kryhet pasi trajneri kishte nxjerrë nga loja Hakajn dhe ky i fundit po dilte me ngadalë nga fusha).

Lerda: “Luaj më shpejt, vrapo, mos ec!”

Hakaj: “Mos na çaj t…”.

Lerda: “S’prish punë, se e shohim te rroga kur të marrësh gjobë”. (Duke e theksuar edhe me gjeste çështjen e gjobës).

Hakaj: “Mos më fol më, mbylle gojën, se si shumë të kemi duruar”.

Ndërkohë që largohej, Hakaj vazhdonte të shante në shqip dhe Lerda fliste në krahun tjetër. Hakaj për një moment tenton të kthehet për të hyrë në fushë, por has në rezistencën e drejtuesve që ndodheshin aty, duke e detyruar të largohet. Teksa Hakaj largohet, Lerda, duke mos kuptuar gjë, pyeste Dritan Mehmetin për përkthimin.

Në ato momente ndërhyjnë nga klubi dhe i thonë: “Mister, më vonë”, duke mos dashur të agravojnë situatën më tej. Më pas stërvitja vijon normalisht, ndonëse ky tension normalisht e prishi disi qetësinë.

VLADIMIR MEMA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"