EKSKLUZIVE/ Plas te Kukësi, Rexhinaldo kundër Cungut: Mjaft u qave në TV, tre fitore ia kam dhënë unë… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 9, 2018 | 22:52

EKSKLUZIVE/ Plas te Kukësi, Rexhinaldo kundër Cungut: Mjaft u qave në TV, tre fitore ia kam dhënë unë… (E PLOTË)

Qendërsulmuesi i Kukësit, Arturo Rexhinaldo, nuk i ka kapërdirë dot kritikat publike të trajnerit Armando Cungu pas ndeshjes. Në një prononcim për “Panorama Sport”, 28-vjeçari nga Mozambiku thotë se ka qenë i sëmurë në dy ndeshjet e fundit me Skënderbeun dhe Partizanin dhe nuk ka mundur të bëjë më të mirën e tij, por nga ana tjetër i përvishet trajnerit, duke i cilësuar të tepërta kritikat publike në adresë të tij.

rexhinaldo

“Kam luajtur dy ndeshje i dëmtuar kundër Skënderbeut dhe Kukësit. Nuk ndihem mirë dhe kam pasur dhimbje në trup. Pas ndeshjes me Skënderbeun qëndrova dy ditë pa stërvitje sepse kam pasur probleme dhe klubi ka qenë në dijeni të këtij fakti. Ne humbëm ndeshjen dhe tani trajneri thotë se ishte gabimi im. Kur i fitojmë ndeshjet, ato i fituakemi të gjithë, ndërsa kur i humbim fajin e ka Rexhinaldo…. Kur Rexhinaldo shënon, ai është më i miri, ndërsa kur ai nuk shënon, atëherë qenka më i keqi për trajnerin. Nuk është korrekte kjo”, ka thënë sulmuesi i Kukësit.

SHEMBULLI I RONALDOS

Ndërkohë, sulmuesi i Kukësit i kujton Armando Cungut se edhe lojtarët më të mirë në botë mund të qëndrojnë dy ndeshje pa shënuar. “Nejmarit, Ronaldos apo Mesit u qëllon që të mos shënojnë për dy ndeshje, por për trajnerin tonë ne e humbëm ndeshjen e fundit dhe thotë se Rexhinaldo nuk është lojtar skuadre. Oh zot i madh, vetëm ai mund ta thotë këtë… Më vjen keq, por nëse trajneri ka diçka për të sqaruar me mua, do të doja të më telefononte, ose të fliste direkt dhe jo të më kritikojë publikisht në televizion. Sa për statistikë, po i kujtoj se 3 nga katër fitoret që ka marrë Kukësi, i ka marrë prej golave të Rexhinaldos…”, ka deklaruar sulmuesi për “Panorama Sport”.

PRECEDENTI

Rexhinaldo nuk është nga ata që nënshtrohet kollaj. Vitin e kaluar ai pati përplasje të forta edhe me presidentin e klubit të Laçit, Pashk Laska. Në fillim lojtari u ankua për dhunë ndaj tij, por më pas u tërhoq. Raporte të vështira ka pasur edhe në Gjirokastër te Luftëtari, por gjithsesi ia ka dalë që të jetë protagonist në fushën e lojës.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"