EKSKLUZIVE/ Plas te Kamza, shpërthen presidenti Qarri: Boll ju prita, kam harxhuar 180 mijë euro. Do ketë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 11, 2018 | 14:50

EKSKLUZIVE/ Plas te Kamza, shpërthen presidenti Qarri: Boll ju prita, kam harxhuar 180 mijë euro. Do ketë…

Kamza ka lënë pas pushimet dhe ka nisur dje pasdite stërvitjen, por përpara se lojtarët të zbrisnin në fushë, presidenti Naim Qarri ka organizuar një mbledhje urgjente. Ndeshja e fundit ndaj Flamurtarit e ka nervozuar shumë kreun e klubit, i cili dje ua ka bërë të qartë lojtarëve se nuk ka për të toleruar më rezultate negative.

kamzaaa

Mbledhja është shoqëruar me tone të larta, ndërsa i pari që ka folur ka qenë trajneri Klodian Duro. Fillimisht në shqip, e më pas në anglisht dhe herë pas here e kombinuar, në mënyrë që të kuptonin edhe lojtarët e huaj për atë që po diskutohej. Kritikat më të ashpra kanë qenë në adresë të japonezit Fukui, ku i kërkohej llogari sa aksione mori përsipër të bëjë në ndeshjet e fundit ndaj Luftëtarit dhe Flamurtarit.

FJALIMI – “Panorama Sport” zbardh ekskluzivisht fjalimin e Qarrit para skuadrës. “Qëkur ndërtova këtë ekip, pritshmëritë kanë qenë të mëdha dhe gjithnjë e kam theksuar se 6-7 javët e para janë të vështira, por është një kohë e mjaftueshme që skuadra të konsolidohet. Pas javës së shtatë kam kërkuar përkushtimin maksimal të të gjithë lojtarëve. Nuk kam ndërtuar ekip që të diskutohet mbijetesa. Janë lojtarë që po paguhen më shumë se në çdo klub tjetër dhe korrektësia në kohë maksimale.

Madje, në disa raste kemi dhënë rroga paradhënie edhe 15 ditë përpara fillimit të kampionatit. Kemi harxhuar deri më tani pothuajse 180 mijë euro vetëm për rroga, pa llogaritur shpenzime të tjera. E megjithatë, edhe pse pritshmëritë kanë qenë të mëdha, unë kam duruar deri në javën e shtatë. Por, tani e mbrapa do të ketë edhe penalizime, nuk do të fal askënd se po hedhim lekë djerse e gjaku për të realizuar ato synime që i kemi venë vetes. Nuk kërkoj të jashtëzakonshmet, por unë e di se sa e fortë është Vlora, që vetëm tri ditë më parë e kishte mundur Laçi.

Po ashtu kurrsesi nuk duhej të humbisnim me Laçin. Unë mendoj çdo ditë për rrogat tuaja, për akomodimin tuaj para çdo ndeshjeje, hoteleritë, ushqimin etj. Të gjitha këto janë sakrifica që po torturohemi për t’ua plotësuar të gjitha kushtet, po ju si po na e shpërbleni, çfarë po bëni për të justifikuar së paku rrogat tuaja?! Ju them sinqerisht se nuk e prisja që ekipi të ishte në këtë gjendje. Prandaj po jua them troç, pas ndeshjes me Skënderbeun, do të ketë ndëshkime. Me Skënderbeun do të jetë shansi i fundit për ju”, ka thënë Qarri para skuadrës.

Abdulla Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"