EKSKLUZIVE/ Planet për sezonin e ri, Ngo dhe Arapi në orbitën e Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 24, 2020 | 23:57

EKSKLUZIVE/ Planet për sezonin e ri, Ngo dhe Arapi në orbitën e Partizanit

Partizani kërkon të shpëtojë sezonin me pjesëmarrjen në Europë, por njëkohësisht drejtuesit e klubit kanë vendosur piketat për merkaton. Lojtarët më të mirë të skuadrave të Superiores, të cilët pas përfundimit të këtij sezoni dalin të lirë nga klubet ku janë aktualisht, do të tentohen nga të kuqtë për t’i joshur sa i përket edicionit të ardhshëm. “Panorama Sport” zbulon se kapiteni i Teutës, Renato Arapi, është një dëshirë e trajnerit aktual të Partizanit, Adolfo Sormani.
arapii
Në fakt, ishte pikërisht italiani që në verën e vitit 2016 afroi Arapin te “demat”, duke arritur me atë në qendër të mbrojtjes një kualifikim madhështor në Ligën e Kampioneve kundër hungarezëve të Ferencvaroshit. Më pas Arapi u transferua në Turqi, por nuk është çudi që pas përfundimit të këtij sezoni të ribashkohet me Sormanin te Partizani, natyrisht nëse edhe vetë italiani qëndron te të kuqtë, pasi në këtë situatë nuk ka garanci se çfarë zhvillimesh mund të ketë te “demat”. Trajneri italian nuk ia kurseu elozhet Arapit edhe pak ditë më parë, kur i ftuar në “RTSH”, foli për durrsakun, duke çmuar mbi të gjitha eksperiencën e tij.
Ngo Tirana
SULMUESI – Majkëll Ngo mund të jetë lëvizja më e bujshme e merkatos së verës, duke lënë Tiranën për Partizanin. Në fakt, nuk është hera e parë që të kuqtë shprehin interesim për gjigandin anglez. Megjithatë, këtë herë gjërat duken më të predispozuara për të qenë konkrete. Gazeta mëson se Ngo ka rënë dakord me Tiranën vetëm për të luajtur deri në fund të këtij kampionati, duke lënë gjithçka të hapur qoftë për Kupat e Europës apo sezonin e ardhshëm. Kontrata e anglezit përfundon me mbylljen e këtij sezoni dhe Partizani do të bëjë gjithçka për ta bindur. Natyrisht bëhet fjalë për një sulmues që ka një pagë të lartë, por kjo nuk përbën problem për klubin e kuq. Shpesh Ngo është kthyer në çështje te Tirana, por gjithsesi pas çdo përplasjeje që mund të ketë pasur, në fund ka gjetur gjuhën e përbashkët me presidentin Halili. Tashmë mbetet për t’u parë se si do të rrjedhin ngjarjet, në një kohë që Tirana është më afër se kurrë fitimit të titullit kampion.

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"