EKSKLUZIVE/ “Përvojë e çuditshme, në Durrës nuk u ndjeva kurrë i lumtur”, Bushiç: Teuta humb ndaj Vllaznisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 22, 2019 | 13:38

EKSKLUZIVE/ “Përvojë e çuditshme, në Durrës nuk u ndjeva kurrë i lumtur”, Bushiç: Teuta humb ndaj Vllaznisë

Teuta po vuan për gola dhe, si për ironi, dy lojtarë që i larguan gjatë verës janë duke shkëlqyer në Kosovë. I referohemi Gerhard Prognit dhe Tomislav Bushiçit, që bashkë e kanë gjetur 12 herë rrjetën (nga 6 secili). Kroati erdhi me bujë në janarin e 2019-ës në Durrës, por kurrë nuk u përshtat, aq sa edhe ai vetë këtë përvojë e quan më shumë se të çuditshme.

bushic1

Gjatë një interviste të dhënë ekskluzivisht për “Panorama Sport”, sulmuesi rrëfen pak nga e shkuara, por nuk ngurron të analizojë edhe gjendjen e “djemve të detit”. Krizën tek ekipi i Bledi Shkëmbit nuk e sheh te golat e munguar, por furnizimi i pakët që i bëhet vijës së parë. Nuk kishte si të mos ndalej edhe te përballja e ishskuadrave të tij. Teuta do të sfidojë Vllazninë këtë të diel, por për 33-vjeçarin favoritë të padiskutueshëm në “Loro Boriçi” janë vendësit.

Keni luajtur si te Vllaznia ashtu te Teuta. Si ish që jeni, do të donim parashikimin e Bushiçit për këtë duel?

Kampionati është futur në një fazë interesante. Të dyja ekipet kanë bërë ndryshime në organikë, sidomos në fazën sulmuese. Deri më tani nuk është se kanë bërë ndonjë diferencë të madhe. Gjithsesi, mendoj se në Shkodër është favorite Vllaznia për të marrë 3 pikët.

Çfarë kujtoni nga aventura në Shkodër dhe Durrës?

Në Shkodër i kujtoj të gjitha gjërat e mira që kam përjetuar. Isha i gëzuar kur luaja për Vllazninë, ndaj kam shumë respekt për njerëzit atje. Në Durrës nuk u ndjeva edhe aq i lumtur, atje ishte një aventurë e çuditshme.

Te Teuta po shënojnë shumë pak, 8 gola në 12 javë. Pse ndodh kjo?

Po, e kam hasur një gjë të tillë. Shikoj që gjatë ndeshjeve, veç golave të pakët, as nuk krijojnë shumë shanse për sulmuesit. Dhe ky është problemi më i madh. Nuk mund të humbasësh një lojtar si Progni.

bushic teuta

Flamurtari dergjet në fund dhe rrezikon seriozisht rënien. Ju vjen keq? 

Për Flamurtarin jam vërtet shumë i trishtuar, nuk do të doja kurrë që të ishin në të tilla pozita. Luajta atje dy vjet e gjysmë dhe ndihem si pjesë e Vlorës. Ai qytet dhe tifozët meritojnë të kenë Flamurtar konkurrent dhe majat e Kategorisë Superiore.

 I keni mbyllur të gjitha hesapet me ta, a ju kanë paguar?

Unë nuk kam marrë akoma asnjë lek.

bushic belica

 Kush e merr titullin në Shqipëri këtë vit dhe kë shihni të rënë nga kategoria?

E vështirë ta thuash që tani. I shoh të barabarta që të gjitha skuadrat. Kushdo që ta marrë, nuk do të ishte surprizë. Mendoj se titulli do të vendoset në dy-tri javët e fundit. Do të na duhet të presim deri atëherë për të qenë pak më të sigurt. Sa i përket rënies, Luftëtari dhe Flamurtari janë më të rrezikuar dhe këtë e them duke u bazuar te pikët që kanë dhe renditja.

Të zhvendosemi pak te Gjilani, është i lumtur Bushiç atje?

Jam i lumtur në Gjilan. Kam gjetur veten.

Do të thotë që nuk e mendoni largimin dhe as rikthimin në Shqipëri? 

Nuk mendoj të lëviz nga këtu. Unë kam dy vjet kontratë dhe do të qëndroj këtu deri në fund, ndoshta edhe më shumë, paçka se këtë e dinë drejtuesit.

Më mirë në Kosovë apo në Shqipëri, referuar financave dhe infrastrukturës?

Kosova ka disa vite që po ecën para në futboll. Ambienti këtë vit është shumë i mirë këtu në Kosovë dhe sidomos te klubi i Gjilanit. Atmosfera është ndezur dhe tifozët po shtohen gjithnjë e më shumë në stadiume. Në Shqipëri ka infrastrukturë më të mirë, por edhe Kosova po investon shumë. Ata po rriten.

Edhe në aspektin personal po ju ecën mirë me gola. Keni shënuar 6 pas 14 javësh, por me sa do ta mbyllni këtë sezon? 

Në aspektin personal jam shumë i lumtur. Fizikisht jam në 100% tim dhe më pëlqen të luaj dhe bëj stërvitje. Për gola nuk mendoj, pasi rëndësi ka që skuadra të fitojë çdo ndeshje dhe të gëzojmë tifozët tanë. “Skifterat” na mbështesin gjithnjë dhe u jemi borxhlinj. Prioriteti i çdo lojtari te Gjilani është që t’i shërbejë ekipit. Me sa do ta mbyll sezonin? Këtë t’ia lëmë kohës.

Bushic

Po bëhet luftë e fortë edhe në “Ipko Superliga”. Kush e merr titullin? 

(Qesh) Kampionati është shumë i fortë. Për momentin ne jemi në vendin e parë. Do të jetë e vështirë që ta mbajmë, por të përqendrohemi për ndeshjet e radhës dhe në fund t’i bëjmë llogaritë.

Cilët janë rivalët tuaj?

Drita, Ballkani dhe Prishtina kanë ekipe shumë të mira dhe janë pretendentët kryesorë për titullin.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"