EKSKLUZIVE/ “Përveç Ramës, të tjerët janë llogje Kavaje”, shpërthen Idrizi: Fushatë me privatizimin, e pamë shoun e Superiores
Sinan Idrizi reagon ashpër ndaj Këshillit të Bashkisë së Vlorës. Administratori e cilëson premtim elektoral afatin e vendosur për privatizimin e Flamurtarit. Numri një i klubit deklaron për “Panorama Sport” se edhe vetë këshilltarët janë të paqartë për këtë çështje.
“Të jemi të drejtpërdrejtë, unë vetë jam i paqartë. Kjo hapet se herë i ngrihet mendja ndonjërit dhe tani para fushatës elektorale. Ka histori ‘Facebook’-u, gazetarë dhe kronikanë ‘Facebook’-u e të tjera si këto. Privatizimi ka kaq kohë që flitet, por mua kjo më duket një histori e radhës. Nuk më duket serioze fare, që sa herë i ngrihet mendja ndonjërit për ndonjë problem që ka nën mëngë, e nxjerr. Kjo e privatizimit ka kaluar limitet e logjikës. Këshilltarët kanë shumë kohë që janë shumë të paqartë me Flamurtarin dhe janë shumë të qartë me një ekip që është në vartësi të bashkisë. I marrin fondet e bashkisë, i kalojnë në një ekip tjetër dhe për Flamurtarin janë të paqartë. Ata të shikojnë që ky zotëria i cili ka Flamurtarin, ka shtatë vjet që nuk u merr një dollar nga xhepi i tyre. Të jenë të qartë dhe të kthejnë përgjigje kur ka një konto të bllokuar, ka një gjë për t’u zgjidhur. Pyeti me radhë nëse dikush e di se çfarë është ligji për sportin, flasim bashkë”, tha fillimisht numri një i klubit vlonjat.
TENDERI
Sinan Idrizi thotë se do të marrë pjesë në garën për privatizimin e Flamurtarit, por rregullat e lojës duhet të jenë të qarta. Administratori thotë se procesi mund të përfundonte në shkurt e jo në korrik. “Unë do të konkurroj dhe kam kohë që e them. Por, unë do të konkurroj për sportin. Për gjendjen sportive përgjegjësinë e mbaj vetë, por ju lutem na krijoni mundësinë që të investojmë. Ligji i sportit në korrik?! Ishallah jemi gjallë e në dynja e të shihnim çfarë do të ndodhë. Por, ky është shou i radhës paraelektoral. E përdor një krah, e përdorë dhe krahu tjetër, tregojnë përralla. Del një zotëri që merret me ‘Facebook’ hedh një gur në lumë, dalin dhe ca të tjerë tani. Nuk e ka asnjëri seriozisht, të jeni të sigurt. Unë nuk e kuptoj pse në korrik, pse jo në shkurt? Ju e patë shoun e radhës që bëri bojkoti i Superiores. Çfarë përfituan zotërinjtë kur ligji është i qartë? Ne nuk duam një ligj për sponsorizimin në futboll, duam një ligj për investimin. Një ligj antibolshevik, një ligj që nuk vjedh lekët e taksapaguesve. Nuk duam një ligj si kalimtar që të marrim ca lekë aty, ca te bashkia e të quhemi të gjithë presidentë. Duam ligj për sportin dhe jo për sponsorizimin, pasi Shqipëria ka 25 vjet që e ka. Ligj për sportin që të mos presin njerëzit rrogat”, shprehet më tej.
INVESTIMET
Administratori thotë se nuk kërkon që t’i njihet asnjë investim që ka kryer në klub. “Nuk dua të më njihet asnjë lloj investimi. Unë dua të hyj me investime zero, ta lë ekipin pa borxhe dhe në kushte të barabarta, vetëm nxirrni ligjin. I vetmi personazh që e ka seriozisht sportin është kryeministri Rama. Të gjithë të tjerët janë llogje Kavaje, pasi asnjë nuk ka ardhur në stadium në Vlorë sa jam unë. Tani flasin histori paraelektorale, jo do të vijmë ne, do të bëjmë Flamurtarin e të tjera si këto”, përfundon Sinan Idrizi.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"