EKSKLUZIVE/ “Përshtatem shpejt”, Rimal Haxhiu: Gati të zëvendësoj Xhixhën, ja pse erdha te Tirana

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 2, 2023 | 8:32

EKSKLUZIVE/ “Përshtatem shpejt”, Rimal Haxhiu: Gati të zëvendësoj Xhixhën, ja pse erdha te Tirana

Tashmë është zyrtare. Ish-futbollisti i Kukësit, Rimal Haxhiu, është veshur bardheblu. Ka qenë klubi i Tiranës, që nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare, ka postuar një video ku shfaqet mesfushori me fanellën e 26 herë kampionëve të Shqipërisë. Me klubin verilindor 23-vjeçari është aktivizuar në 17 ndeshje në Kategorinë Superiore.

rimal haxhiu

Vetë lojtari në një prononcim për “Panorama Sport” pranoi se është i lumtur për këtë transferim të tij te skuadra kampione e Shqipërisë.

“Është kënaqësi që të luash për ekipin kampion të Shqipërisë. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e ekipit. Shpresoj që të bëj mirë dhe gjërat të shkojnë siç duhet dhe siç i mendoj. Po kështu, dua të vazhdojmë të jemi në vendin e parë dhe të fitojmë titullin edhe këtë sezon. Ky është qëllimi ynë, që të fitohet titulli. Më pas mund të flasim për Kupën dhe Europën, duke ecur sa më larg”, tha në fillim Haxhiu.

Haxhiu nuk foli për sa i përket fundit të marrëveshjes me Kukësin, teksa pranoi se kërkon të fitojë titullin me Tiranën.

“Nuk dua të flas për të kaluarën. E kam lënë pas krahëve”, vazhdoi më tej futbollisti më i ri i Tiranës. Nga ana tjetër, Rimali foli edhe për stilin e lojës së Tiranës, që sipas tij është i mirë.

“E kam ndjekur Tiranën si skuadër, e kam pasur edhe si kundërshtare. Dua të përshtatem sa më shpejt me grupin dhe të jem sa më shpejt edhe në fushën e lojës”, pranoi ai.

Haxhiu zbuloi edhe pozicionin e preferuar të tij në fushë, duke treguar se është një lojtar polivalent; “Fatmirësisht unë luaj në të dy krahët e sulmit dhe në krahun e djathtë të mbrojtës. Ama do të luaj ku do ta shohë të arsyeshme trajneri. Sa për njohjen në skuadër, thjesht i njoh nga larg, por them se më kanë pritur shumë mirë”, mbylli Rimal Haxhiu.

Ky i fundit është një futbollist që mund të japë kontribut në pozicione të ndryshme në fushë dhe Tirana ka nevojë për një lojtar të tillë, sidomos pas dëmtimit të rëndë të Kristal Abazajt që në ndeshjen e dytë me bardheblutë.

Abazaj pritet të mungojë afro 1 muaj. Me afrimin e Haxhiut, krahu i djathtë duket i kompletuar te kampionët.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"