EKSKLUZIVE/ “Përsërisim titullin”, Redon Xhixha: Gabuam në Europë, iki vetëm nëse vjen…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2022 | 14:48

EKSKLUZIVE/ “Përsërisim titullin”, Redon Xhixha: Gabuam në Europë, iki vetëm nëse vjen…

Redon Xhixha është lojtari, i cili nuk zhgënjeu me takimin me golin as në Europë. Edhe pse luante për herë të parë në Champions, Xhixha shënoi. Po kështu tundi rrjetën edhe në Konferencë League. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Xhixha foli për kampionatin e ri.

redon xhixha

Ai dha mendimin për skuadrën bardheblu si dhe zbuloi se po pret ofertën e duhur për aventurën europiane. Duhet ta pranojmë se Redon Xhixha është zbulimi i sezonit të shkuar për Tiranën. Ish-sulmuesi i Laçit erdhi te Tirana dhe që në kampionatin e parë e ngriti në katedër. Xhixha deri tani ka shënuar 14 gola, duke kaluar rekordin personal. 2177 minuta dhe 29 takime nga 26 që ka luajtur si titullar sezonin që lamë pas Redon Xhixha.

Europa tashmë është mbyllur për bardheblutë. Si e patë Tiranën gjatë këtyre 4 ndeshjeve?

Europa iku dhe duhet ta harrojmë atë që bëmë në fushën e lojës. Çfarë iku, iku, dhe të fokusohemi për kampionatin që nis shumë shpejt.

Çfarë nuk shkoi sipas jush në katër ndeshjet që luajtët në Champions dhe Konferencë Ligë?

Në ndeshjet e Europes mendoj që fati nuk ishte me ne. Nga ana tjetër duhet ta pranoj se edhe ne futbollistët kemi gabuar në shumë situata, çfarë na ka bërë të penalizohemi.

Për ju dy gola në Champions e Konferencë Ligë dhe miqësoret para e pas Europës?

Po, dy gola, një në Champions dhe një në Konferencë. Për mua ishte hera e parë që luaja në këto kompeticione, sepse isha aktivizuar vetëm në Europa League. Normalisht jam i gëzuar, pasi në ndeshjet e mia të para në këto kompeticione, arrita të shënoj. Të them të vërtetën, goli është diçka pozitive për moralin e një sulmuesi.

Janë larguar shumë futbollistë nga skuadra bardheblutë. Si e shihni tani ekipin?

Skuadra është mirë. Po kështu e shoh gati për sezonin e ri që do të nisë.

Është e plotë dhe e barabartë me skuadrën e vjetshme që doli kampione e Shqipërisë për herë të 26- të?

Nuk mund ta krahasoj me skuadrën e vjetshme, pasi janë dy grupe të ndryshme. Dihet që largimet prishën punë, por tani me afrimet cilësore që janë bërë, skuadra është përsëri e barabartë.

Asnjë nuk ka fituar dy tituj rresht prej kohësh. Mund ta mbrojë titullin skuadra e Tiranës?

Sigurisht që ne besoj që do ta mbrojmë titullin kampion. Kjo sepse kemi një skuadër të mirë dhe me shumë cilësi për ta mbrojtur titullin.

redon xhixha

Cili është objektivi personal për këtë kampionat që do gati një javë të nisë?

Objektivi im personal është që të shënoj sa më shumë gola në të mirë të skuadrës, por dhe në të mirën timen në aspektin individual.

Cilët janë kundërshtarët e Tiranës për kampionatin e këtij viti që nis më 20 gusht?

Skuadrat e tjera janë forcuar, kanë bërë shumë afrime dhe mendoj që do të jenë shumë ekipe në garën për titull këtë vit.

Keni pasur oferta për një aventurë jashtë Shqipërisë dhe nëse po çfarë do të bëni?

Oferta kam pasur, por po pres ofertën, e cila do të jetë e kënaqshme për mua dhe për Tiranën.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"