EKSKLUZIVE/ Përqafim me “kamikazin” Meta, rrëfimi special i Starovës: Më jepni 5 milionë euro dhe nxjerr Roskovecin kampion (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 6, 2022 | 0:05

EKSKLUZIVE/ Përqafim me “kamikazin” Meta, rrëfimi special i Starovës: Më jepni 5 milionë euro dhe nxjerr Roskovecin kampion (E PLOTË)

“Po mbush 67 vjeç, nuk do të ndry shojtani. Por nuk jam as ekstrem ist që nuk di të falë. E kam fjalën për foton me Kridens Metën që juve gazetarëve ju pëlqen të merreni pak gjatë…” Kështu nis intervista me Sulejman Starovën, sot Drejtori i Shkollës së Trajnerëve në FSHF. “Bobi” flet edhe këtë herë pa doreza, duke filluar nga raporti me Armand Dukën, të cilin e sfidoi në zgjedhjet e fundit dhe deri te diplomimi i Alban Rexhës, ish-nxënësi që dikur i shkoi me kalë në katin e pestë të pallatit vetëm që ta fuste në formacion. Natyrisht, ai skanon me detaje edhe ecurinë e klubeve shqiptare në Europë.

Starova2

Profesor, do të donim fillimisht një mendim nga ju për ekipet shqiptare që luajtën në Europë, sepse sot nuk kemi asnjë pjesëmarrëse aty…
Analiza e përgjithshme është e gabuar. Ose më saktë është relative. Kështu si e trajtoni ju duket sikur ka ndodhur ndonjë katastrofë, por nëse i analizojmë skuadrat me radhë, mendoj se nuk ka vend për drama…

Po mirë, a mund t’i analizoni me radhë skuadrat?
Po. Flasim fillimisht për Tiranën. Tirana doli kampione dhe iu largua Toli me Hoxhallarin. Nuk ishin pak. I ra në short ajo që ata donin: Dudelanzhi. Ekipet e tjera ishin më të forta në letër. Kur të bie në short ajo që do, çdo njeri gëzohet… Por të mos ngatërrojmë gëzimin me skuadrën më të lehtë të mundshme në atë vazo dhe shanset reale që ke për kualifikim. Tirana vërtetë “peshkoi” Dudelanzhin dhe ishte në letër më e dobëta, por Tirana nuk ishte favorite as ndaj luksemburgasve. Ata janë një skuadër e investuar fuqishëm dekadën e fundit dhe kanë qenë dy herë në grupe. Mirëpo, këtu te ne, për t’i dhënë ndihmë trajnerit ose lojtarëve, nisën të flasin për kualifikim, por kështu rritën artificialisht pritshmëritë te publiku. Kjo nuk ishte e mirë.

Profesor, ka më shumë histori Tirana në Europë apo Dudelanzhi?
Oh, po ç’lidhje ka kjo. Nuk ka të bëjë emri i Tiranës me skuadrën që kanë ata, sepse ata (Dudelanzhi) e kanë miliona euro buxhetin dhe janë prezentë në Europë pesë-gjashtë vitet e fundit. Konkluzioni im se ku gaboi Tirana është ky…

Na e thoni, ju lutem!
Kur kërkon të ruash lekët sepse ke fond të vogël, por edhe të marrësh lojtarë të mirë në një kohë të shkurtër, atëherë kjo është e pamundur. Thjesht nuk ke kohë. E kam provuar vetë. Tirana kërkoi lojtarë për të zëvendësuar dy titullarë, kërkoi edhe lojtarë për stol, por nuk i gjeti. Dhe shkoi në Champions e cunguar. Ky është problemi i parë.

Si zgjidhej ky problem?
Duhej të merrte lojtarë borxh nga ekipet e tjera, nga Kukësi ndoshta. Ata kanë kapitenin (Taipin) shumë të mirë. Por edhe lojtarë nga ekipet e tjera. Pra, duhej të kishte një kontigjent më të gjerë dhe kështu do të kishte edhe më shumë konkurrencë. Mirëpo këtu mentaliteti është që nuk impenjohet lojtari kur është huazim. Unë nuk e mendoj kështu. Përfundimi: Tirana u fut në këtë aventurë jo me stol të plotë. Plus pastaj episode gjatë ndeshjes që humbet lojtarë për kartonë të kuq dhe ja ku del diferenca me një klub që investon 5, 6 ose edhe 15 milionë euro me një klub si yni që investon 1 milion euro… Kështu u eliminua nga luksemburgasit, por nuk duhet konsideruar si dramë. Ta marrin vesh shqiptarët që nuk duhet të jetë dramë.

Pse nuk është dramë?
Sepse kur të eliminon një skuadër që harxhon më shumë se dyfishin tënd, nuk duhet të jetë dramë. Duhet ta dinë të gjithë që favorit ishte Dudelanzhi.

Po eliminimi me Zrinjski Mostarin?
Atëherë, kur ti e merr goditjen psikologjike që në shtëpi, siç e mori Tirana me boshnjakët, atëherë është e vështirë të besosh te kualifikimi, sado që të thuash me zë të lartë se do të shkosh për t’i përmbysur. Duhet të kesh shumë cilësi dhe shumë përvojë për të bërë gjëra të tilla. Ne si popull veprojmë dhe mendojmë tifozllëk, por harrojmë që duhet të jemi me këmbë në tokë. Duhet të pyesim veten herë pas here: Ore kush jemi ne njëherë? Çfarë bëjmë mirë dhe çfarë bëjmë keq?

Të kthehemi te ndeshja me Zrinjskin profesor…

Po, patjetër. Tirana humbi ndeshjen e parë në shtëpi dhe në këto kushte e gjeti ndeshja e dytë me moral jo të mirë. Zrinjski dha një leksion këtu dhe Tirana e humbi shansin për të kapur një rezultat pozitiv, sepse u mund në shtëpi. Tirana në ndeshjen e kthimit, duke u krahasuar me skuadrat e tjera, dha një sinjal që është skuadra që do të udhëheqë kampionatin.

Pse?
Sepse pashë një Tiranë që kur po humbte 1-0 pati shans të artë për të shënuar. Edhe pasi shkoi 2-0 shkurtoi diferencën dhe humbi raste të pastra. Mirëpo edhe aty diferencën e bëri stoli. Te Zrinjski nuk kuptohej kush ishte titullar dhe kush rezervë. Te Tirana padyshim që dalloheshin… Por më duhet ta them se pjesa e dytë e Tiranës ishte një model dhe ajo ndeshje ishte një spektakël, një mrekulli për meritë të të dyja skuadrave, por flasim për Tiranën që na intereson ne. Më vjen keq që nuk shkuan pak më gjatë, sepse do të kishin mundësi të dyfishonin të ardhurat. E humbi shansin për të bërë dhe shkëputjen e madhe në buxhet.

Si ju duk Vllaznia?
Shkodranët e kishin kundërshtarin shumë të fortë. Mori një rezultat pozitiv në ndeshjen e parë. Në pjesë e parë në “Loro Boriçi” nuk më pëlqyen, por pas disa ndryshimeve e kthyen lojën, çka tregon që koha ka qenë e paktë në dispozicion për Josën dhe Vllazninë. Që të arrish të bësh formacionin dhe që të rezultojë që tre lojtarë mos të jenë në lartësinë e skuadrës, do të thotë se nuk ke pasur kohën e mjaftueshme për të vlerësuar më në detaje disa gjëra. Por i doli përpara një “mur”, sepse rumunët realisht janë ekip shumë cilësor dhe shumë i fortë. Kanë buxhet shumë më të madh se Vllaznia.

Po pse nuk u përmend buxheti i rumunëve kur i eliminoi Laçi…?
Padyshim që u përmend edhe atëherë. E mbani mend vjet besoj që pas eliminimit rumunët bënë spastrime masive në ekip pasi i eliminoi Laçi.

Meqë jemi te Laçi, si ju duk paraqitja e tyre?
Sa i takon Laçit, unë mendoj se mori frytet e punës së mirë që ka bërë minimalisht këto 5-6 vitet e fundit. Nuk është rastësi që ata kanë marrë pjesë rregullisht në Kupat e Europës. Pati kundërshtar modest në turin e parë dhe e bëri detyrën. Në turin e dytë shkatërruan gjithçka në pak minuta sepse nuk menaxhuan dot lodhjen, por edhe rastet që humbën. Përpara se Laçi të pësonte ato gola në fundin e ndeshjes këtu humbi një rast të artë. Ajo po, ishte disfatë dhe ishte dramë. Pra, ke marrë një rezultat të shkëlqyer me 10 lojtarë në Moldavi dhe më pas eliminohesh ashtu, natyrisht që të bën përshtypje. Mendoj se ndër të gjitha eliminimet, ajo e Laçit ishte goditja më e madhe sepse askush nuk e priste. Por ja që ndodh.

STAROVA

Keni harruar Partizanin.
Partizanin do ta lidh që me Ilir Dajën në fakt.

Ç’lidhje ka Ilir Daja me aventurën e Partizanit në Europë?
Ishte fatkeqësi për Partizanin që një nga trajnerët më të mirë të Shqipërisë nuk pati rezultate aty. Shpresoja shumë se do të shkonin ndryshe gjërat. Më pas erdhi Mehmeti dhe bëri mirë në fazën e dytë. Sa i përket eliminimit që në turin e parë, unë e kam thënë edhe mes miqsh se skuadra gjeorgjiane (Saburtalo) ishte impresionuese për nga mënyra e lojës së tyre. Partizani arriti të marrë një rezultat fantastik, 1-0, dhe them si ka mundësi Partizani mundi atë skuadër në shtëpi. Por në ndeshjen e kthimit nuk e menaxhoi dot këtë lloj avantazhi. Nuk diti ta menaxhojë sepse pas rasteve të humbura u bë nervoze dhe më pas ndeshja shkoi me penallti. Aty pastaj dukshëm Partizani ishte i papërgatitur. Mendoj se kur ke gjithë situatën në favor duhet të dish të menaxhosh momentet, por edhe të parashikosh situatën më të keqe.

Që do të thotë?
Që do të thotë se pavarësisht se kishin fituar ndeshjen e parë, duhej të ishin përgatitur edhe për penallti. Duhet ta kuptoni drejt që ky nuk është pesimizëm, por është një zbatim detyre që na takon të gjuajmë penalltitë. Më rezultoi që Partizani ishte i papërgatitur komplet te penalltitë. Dikush më pyeti, “po pse këtu mbeti puna?” Po ja që mbeti edhe aty puna dhe Partizanit i iku mundësia.

Profesor, pa i hequr asnjë presje analizës suaj, ju përmendët me të drejtë edhe buxhetet e klubeve kundërshtare, por po ju kujtoj që Malta ka tri ekipe sot në Europë dhe Ishujt Faroe dy ekipe…
Me çfarë buxhetesh?

Me gjithë respektin, por Malta është dhe nuk kanë diferenca kaq të mëdha në buxhete…
Jo, jo më thoni buxhetin!

Hamruni maltez e ka buxhetin afro 1 milion euro…
Shikoni, unë nuk paragjykoj Maltën. Por ama unë them se edhe po të bësh një ekip në Roskovec, pra që e ka emrin “Roskovec”, dhe po i vure 5 milionë euro buxhet, unë brenda vitit ta nxjerr kampione.

Vërtetë?
Po, pa diskutim. Nuk vihet fare në diskutim. Ta jap unë me firmë. Nëse ka 5 milionë euro buxhet dhe unë e marr skuadrën në dorëzim që nga faza përgatitore unë e bëj që të dalë kampione me blerjet që bën kur ke 5 milionë euro në dispozicion. Prandaj them ka rëndësi buxheti. Unë kam eksperiencën time. Prandaj e thashë 100 herë, Luksemburgu është tjetër histori dhe bëra prapë parantezë që Luksemburgu nuk është ai i para 15 vitesh. Por edhe Luksemburgu i vjetër prapë nuk krahasohet me ne dhe e them edhe këtë me doza favorizimi, por Dudelanzh është tjetër gjë.

Prej pak kohësh jeni emëruar drejtor i Shkollës së Trajnerëve në FSHF.

Po, është shkolla që merret me licencimin, kualifikimin e kuadrit trajner nga nivelet B, Cja që fillon tani, A dhe Pro, plus portierët e me radhë.

Si shkojnë gjërat aty?  

Këtu ka një interesim të madh të njerëzve për të marrë licencat. Këto licenca janë patenta europiane. Kush merr këtë licencë këtu është në Europë, mund të punojë kudo. Këtu ka një tendencë me ardhjen time, nga komiteti ekzekutiv e nga të gjithë për të ndryshuar. Ecuria deri tani duhet të shoqërohet edhe me ndryshime të mëdha në këto momente që flasim.

Çfarë ndryshimesh?

Po rritet ngarkesa, sepse kështu e do puna. Në sektorin e futbollit ku jam unë duhet të jenë 2-3 vetë minimalja te kurset A dhe B. Do të ketë ndryshime edhe te mjekësia. Sipas një pyetësori që ka bërë FSHF-ja me gjithë pjesëmarrësit që testohen, pa emër natyrisht, është konstatuar se nga vërejtjet që kanë bërë të testuarit, ka nevojë për të bërë një lloj revolucioni, nëse mund ta quajmë kështu.

Duke ju uruar suksese për detyrën, ne si gazetarë nuk mund të mos ju pyesim se përse Starova, një nga zërat më kritikë kundrejt Federatës, sot është në organikën e saj?

Ndërkohë, ju guxuat edhe ta sfidonit Dukën në zgjedhjet e fundit… Unë kandidova për president dhe ato që mendoj se duhet t’i ndryshojë Federata i kam thënë hapur. Presidenti që drejton Federatën më gjithë anëtarët e Komitetit, të cilët janë votuar vazhdimisht dhe kanë ndryshuar, sidomos edhe në këtë kohë, po bëjnë përpjekjet maksimale për të bërë ndryshime të mëdha. Një nga këto ndryshime është edhe oferta që m’u bë mua.

Unë me Dukën nuk kemi pasur kurrë kontradikta me emër, por ato i kemi pasur në drejtim të punës. Unë bëja punën time dhe kritikoja dikë për punën e tij, por jo, nuk kemi pasur kontradikta antagoniste. Edhe në këto kushte, me këto oferta dhe atë platformë që kishim me ato 6 pika, mendoj që krijova afrimitet dhe mora propozimin për të dhënë kontributin tim.

starova

Një pjesë e opinionit thonë që, “afruan në FSHF edhe Starovën që të eliminojnë një tjetër zë të fuqishëm kritik…” A qëndron kjo?

Mua nuk do të ma ndalojë asnjeri zërin kritik. Unë vazhdoj të marr pjesë, e kam edhe në kontratë që mund të dal edhe në emisione dhe të jap intervista e aty mund të shihet se çfarë ka ndryshuar Starova. Asaj që i them e bardhë është e bardhë dhe e zeza është e zezë. Mua ky propozim më joshi, sepse duke punuar me idetë e mia dhe me eksperiencën time që pata për 7-8 vjet në Federatë, mendoj se erdhi koha që ne të bashkohemi. Praktikisht, mosha ime tani, po hyj për 67 vjet, kam qenë disi i lodhur, sepse futbolli në Shqipëri është bërë hall. Ka kohë që është bërë hall më shumë se vendet e tjera, edhe pse nuk harxhohet sa në vendet e tjera. Ky është një konstatim që ma pranojnë të gjithë.

Pse është bërë hall dhe si zgjidhet ky hall?

Hall është bërë, sepse hallet fillojnë nga futbolli i bazës e deri sipër dhe fajtorë janë shumica. Qeveria, qeveritarët, madje gjithë populli shqiptar mban përgjegjësi që kjo Shqipëri nuk është bërë si Zvicra apo gjithë vendet e tjera. Pra, nuk e vë dot gishtin për të gjetur vetëm një fajtor. Këtu kërkesat janë jashtëzakonisht të mëdha. Dhe unë si person që kam një CV të pasur mendoj, kam menduar, të jap kontributin tim në këtë fushë ku po punoj sot.

Ju e përmendët moshën tuaj, po shkoni 67 vjeç. A ka ndryshuar Starova, është zbutur Starova?

Unë jam ai që kam qenë. Njeri pa të meta nuk ka. Praktikisht, bota e futbollit është e lidhur e gjitha me Armando Dukën, se e kuptoj pse po ma bëni këtë pyetje. Dhe po ua përsëris, unë nuk kam pasur kontradikta personale me askënd, thjesht kam thënë atë që mendoj. Edhe këtu kam ardhur jo për t’i thënë, por për t’i bërë realitet ato që kam thënë.

Ditët e fundit Kridens Meta ka postuar një foto në rrjetet sociale me ju. Dikur e keni quajtur edhe “kamikaz” këtë gjyqtar kur drejtonit Partizanin…

Ishte një orë leksioni me arbitrat shqiptarë. Ndër lektorët pjesëmarrës ishin edhe një turk, një anglez dhe një italian. Më dhanë një sugjerim: “Shiko, merru pak dhe me fletoren e edukimit që arbitri duhet të marrë vesh edhe nga futbolli….” Pra, duhet që të gjithë të kuptojnë sa më mirë futbollin. Ka plot gazetarë, madje që hyjnë në kurset për trajnerim. Madje, e dini çfarë? Ato studiot në Itali, me ato femrat e bukura, nuk i marrin për minifunde ato, por i marrin se ato kanë mbaruar gazetari. Femrat kanë bukurinë, por po u mungoi inteligjenca dhe aftësia profesionale nuk i merr njeri në studio. Sepse ne këtu shpeshherë i marrim dhe kot.

Meta Starova

Dakord pra, por me Kridens Metën si i keni punët tani?

Unë e kam thënë dhe herë të tjera që i ati ka qenë shok imi. Ramiz Meta ka qenë shok imi. Unë i kam dhënë dorën Kridensit sepse ishte talent dhe më duket se kam qenë dhe unë sebep që e kemi bërë arbitër të FIFA-s, por në fakt e ka merituar. Ajo tentativa që nxori fotografinë ishte tentativë e tij dhe unë nuk jam ekstremist. Përfitoj nga rasti, duke treguar dhe tolerancën time që Kridens Meta mos ta marrë personalisht. Siç mund të më ketë bërë dëm dhe ai tjetri, Jorgji. Por, unë vazhdoj punën, nuk mbaj inat. Nuk jam ekstremist dhe ajo fotografi për mua nuk përbën asgjë, por tregon tolerancën time. Do të bësh fotografi, hajde bëje, por të kaluarën nuk e harroj.

Pak kohë më parë është diplomuar me një licencë trajneri dhe ish-nxënësi juaj që ju ka ardhur me kalë më shtëpi, Alban Rexha… Fillimisht duam t’ju pyesim a është e vërtetë që ju ka ardhur me kalë në hyrjen tuaj të pallatit?

Po, kjo që the është e vërtetë. E kam pasur komshi Alban Rexhën. Një herë i thashë që ti do të luash në formacion kur të vish me kalë në katin e pestë. Dhe ai erdhi…(qesh). Babanë e tij e kam njohur herët dhe ka qenë njeri i shkëlqyer. Një tiranas i urtë që ka punuar në Tregtinë e Jashtme. Albani ka qenë një lojtar talent, por ishte në periudhën e adoleshencës…

Në kushtet që unë e gjeta, së fundmi ai ishte në kursin e parë të licencave, një kurs që përfundoi me sukses nga drejtuesi, miku im, Astrit Maçi. Albani edhe ka bërë nga ato bëmat e veta, por me moshë çdo gjë. Ka qenë tifoz i Tiranës, por koha bën të vetën. Kur e takova m’u duk njeri i pjekur, shumë i edukuar. Pyeta për mbarëvajtjen e tij dhe nuk kishte asnjë mungesë. I ka të gjitha mundësitë të bëjë mirë në këtë zanat.

Çfarë kampionati presim me këto skuadra që janë sivjet në Superiore?

Duke filluar nga Tirana kampionia, mua më pëlqeu. Kur them më pëlqeu është një kompliment shumë i madh. Varet se çfarë do të bëjë në këtë periudhë dhe se çfarë gjendje financiare ka. Sepse, sado që ka marrë gati 1 milion euro, Tirana është një skuadër që i harxhon ato lekë.

Duro dhe Starova logo

U bënë gjithë këto vite që ne nuk e arrijmë dot dhe nuk kemi për të arritur asnjëherë nëse nuk del ndonjë rastësisht si puna e Skënderbeut. Nuk ka vazhdimësi nëse ti nuk rrit buxhetet. Unë përfitoj nga rasti të them se shoh një tendencë fantastike të FSHF-së për të pasuruar ekipet zinxhirë dhe për të formuar trajnerë elite. Tani jam vetë që i prek me dorë gjërat dhe në bisedat që kam pasur me anëtarët e Komitetit dhe presidentit, u kam thënë që sipas Sulejman Starovës, në Shqipëri problemi më i madh janë trajnerët.

Trajnerët?! Po pse trajnerët?

Kemi pak trajnerë elite dhe kemi një shterpësi shumë të madhe. Por që punojnë shumë keq poshtë. Ka një kontradiktë: FSHF kërkon që klubet t’i ushqejnë sistemet zinxhir të ekipit kombëtar tonin me lojtarë cilësorë, U-16, U17, U-19 e me radhë që të rriten dhe pse jo të vijë dhe trajneri shqiptar, sipas një eksperience të Maqedonisë që e thuri grupin e vet, e ndërtoi dhe bëri atë që bëri.

Por nuk puqen këto dy interesa. Pra, interesi i Federatës është që të ketë talente që të futen në ekipet kombëtare dhe nga ana tjetër interesi i klubeve është që të fitojnë para, sepse është një burim fitimi për akademinë. Duhet gjetur një e mesme dhe për këtë po punojmë. Unë mendoj se është e zgjidhshme dhe shoh një vëmendje të shtuar të federatës në këtë drejtim.

JETMIR HALILAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"