Ekskluzive/ Pero Pejiç bën “skenarin” e supersfidës: Fiton Kukësi, Skënderbeu është i lodhur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 2, 2017 | 11:09

Ekskluzive/ Pero Pejiç bën “skenarin” e supersfidës: Fiton Kukësi, Skënderbeu është i lodhur

Kukësi-Skënderbeu pritet që të jetë një duel “i nxehtë”. Rivaliteti i viteve të fundit për çështjen “titull”, bën që e gjithë vëmendja të zhvendoset në “Zeqir Ymeri” sot. Një 90-minutësh të tillë nuk do ta humbasë as Pero Pejiç, edhe pse do t’i duhet që ta ndjekë në distancë. Ka luajtur tek të dyja, ndaj më mirë se ai, askush nuk mund t’i bëjë “skanerin” kësaj ndeshjeje.

Pejic

 

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, kroati sheh verilindorët më të avantazhuar, ndërsa nuk ngurron që të komentojë edhe cilësitë e presidentëve.

Kukësi fitoi vjet titullin mes polemikave dhe akuzave për vjedhje. Mendon Pejiç se sot verilindorët kanë shansin për të treguar se ia dolën me meritë?

Do të jetë një ndeshje shumë e fortë. Është një test për Kukësin dhe Skënderbeun, pasi të dyja luftojnë për vendin e parë dhe për titullin. Është një ndeshje krejt ndryshe nga ajo e fundsezonit, pasi asokohe vendosej titulli, kurse tani luhet vetëm java e 4-t.

Pero Pejic

Gjithsesi, Kukësi duhet të hyjë në fushë për ta fituar, por dhe nëse merr barazim, nuk do të ishte keq. Në një “derbi” mjafton të mos humbësh. Sa për akuzat, nuk më takon mua që t’i komentoj, është e drejta e çdokujt të thotë ç’të dojë.

Ju shënuat dy gola në atë takim, po tani parashikoni një ndeshje me spektakël dhe gola?

Do të jetë një ndeshje e luftuar, por nuk mendoj se do të ketë shumë gola. Jo se  lojtarëve u mungon aftësia, por për çështje strategjie.

pejic

Kush mund të shënojë…?

Në këtë takim nuk është e rëndësishme se kush shënon gol. Të rëndësishme janë tri pikët dhe Kukësi duhet të luajë si gjithmonë dhe ndaj të gjithë ekipeve për të marrë maksimumin.

Kukësi apo Skënderbeu, kë zgjedh Pejiç?

Të dyja kanë ekipe shumë të mira, por në këtë takim Skënderbeu vjen më i lodhur, pasi ka luajtur të enjten në Ligën e Europës.

Soue

Cilët janë lojtarët që do të bëjnë diferencën në fushën e lojës?

Për mua, diferencën te Kukësi e bën Elis Bakaj, ndërsa te Skënderbeu sulmuesi i ardhur këtë sezon, Soue.

bakaj

A është dikush më i avantazhuar në këtë 90- minutësh?

Natyrisht që Kukësi është më i avantazhuar, pasi luan në shtëpi, aq më tepër tani që iu kthyen tifozët. Ka për të qenë një ndeshje shumë interesante.

Me futbollin që ka prodhuar në këto 3 javë, është Kukësi kandidat potencial për titullin?

Kukësi po tregon se luan mirë, por është shumë herët të thuash që është rivale kryesore për titullin. Kur kjo ndeshje të përfundojë, atëherë do kemi dhe një mendim të bazuar në fakte, që do na tregojë kush është pretendente kryesore.

Ju i njihni mirë të dy ekipet, ndaj mund të na thoni ku ndryshojnë nga njëra-tjetra?

Skënderbeu luan prej shumë vitesh thuajse me të njëjtët lojtarë, ndaj ky fakt e bën mjaft kompakt dhe të fortë si ekip. Ata e njohin shumë mirë njëri-tjetrin dhe është shumë e lehtë të luash me kolegë që e dinë lojën tënde, pikat e forta apo të dobëtat. Kukësi sakaq ka humbur 5 lojtarë shumë të rëndësishëm nga ekipi i sezonit që lamë pas, por gjithçka do ta shohim në fushë.

Pejic

Keni punuar me Gjicin dhe Takajn, na thoni një karakteristikë të secilit?

Ta dy janë njerëz të mirë dhe shumë korrekt. Takaj është pak më i qetë se Gjici, por të dy duan të fitojnë, janë të zotë në punën e tyre. Unë kam kaluar mirë me të dy, ndaj i respektoj.

Një koment për Partizanin, janë në garë për titull mbas një nisjeje mjaft të dobët?

Partizani ka bërë një nisje shumë të keqe në kampionat, pasi ka marrë vetëm një pikë në tri ndeshje, gjë që nuk u falet atyre lojtarëve të mirëpaguar.

Kjo që kanë bërë, është shumë pak pasi paguhen shumë. Gjithsesi, unë shpresoj që Partizani të ringrihet dhe të luftojë për titull, ose të paktën të hyjë në garë për vendet e para.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"