EKSKLUZIVE/ “Për ndeshjen në Ballsh humbën miliona”, flet Halili: Ishte për 4+, qentë nuk ia arritën qëllimit (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 7, 2020 | 23:59

EKSKLUZIVE/ “Për ndeshjen në Ballsh humbën miliona”, flet Halili: Ishte për 4+, qentë nuk ia arritën qëllimit (E PLOTË)

Refik Halili është i sinqertë dhe flet haptazi. Pranon se skuadra e tij u tërhoq në fushë, që Tirana mund të ishte thyer shumë thellë, si dhe ka besim te lojtarët e tij. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Halili premtoi se ekipi do të tregojë dhëmbët në ndeshjet në vazhdim si dhe nuk ka frikë për titullin. Halili e kritikoi gjithashtu ekipin për rastet e humbura, duke nënvizuar se miqtë bënë atë që duhet të kishte bërë ekipi i Tiranës.refik halili

Humbja – “Të themi të vërtetën, është një humbje e padëshiruar. Ja që e morëm këtë goditje. Kukësi e meritoi fitoren. Atë që duhet të bënim ne në pjesën e parë, Kukësi e bëri në pjesën e dytë. Dua të nënvizoj se ne patëm raste për të kaluar në avantazh që në fillim të 45-minutëshit të dytë, por nuk ia dolëm. Fitoi Kukësi, por vazhdojmë të ecim përpara, sepse tani nuk mund të ndryshojmë dot asgjë”.

Matematika – “Këto janë detaje. Për ne është shumë e rëndësishme që të ecim përpara, që të marrim sa më shumë pikë dhe të kalojmë çdo ndeshje, duke shkuar drejt objektivit që kemi, titullit kampion”.

Mesjava – “Në Ballsh luajtën të tjerë lojtarë. Formacioni i parë në atë ndeshje nuk luajti fare. Janë tetë lojtarë të formacionit që nuk kanë luajtur në atë takim dhe normalisht nuk kanë ndikuar ato që u thanë apo ana fizike. Kemi qenë bashkë me ekipin këto tri ditë. Edhe premioja nuk u ka munguar. Vetëm një herë nuk vendosëm premio dhe në Durrës e humbëm takimin. Çdo gjë ka shkuar mirë dhe unë them që nuk ka pasur asnjë lloj presioni apo situatë të tillë. Të shohim se çfarë do të ndodhë në ndeshjet e ardhshme”.

Titulli – “Unë nuk kam frikë aspak nga kjo humbje. Kam një skuadër shumë të mirë. Kam besim se janë futbollistë që do ta nxjerrin rezultatin që në ndeshjen e ardhshme me Partizanin për të shkuar drejt objektivit”.refik halili

Nënvlerësimi – “Nuk them dot që ka nënvlerësim, sepse rastet që kishim ishin për gol. Ishin raste që duhet të materializoheshin në gola. Sigurisht edhe Kukësi mund të na kishte shënuar shumë gola”.

Shthurja – “Nuk duhet të justifikohem, por gjërat do t’ia them si fillim skuadrës. Do të flasim shumë për këtë gjë. Na mungonte Batha që është digë në mesfushë dhe lojtar kryesor. Gjithsesi, ky ishte fati. Të dalim me sukses në derbi”

REAGIMI NË “PROCESIN SPORTIV”

Në mesnatë, Refik Halili reagoi për ndeshjen me Bylisin në një lidhje telefonike në “Procesin Sportiv”. Presidenti i Tiranës u shpreh se ishte Zoti dhe Ilion Lika që hodhi në erë makinacionet e basteve.

Skënderbeu – “Mua më vjen shumë keq për ekipin dhe për veten time sepse kemi bërë një kampionat model në kaq vite sa kam unë për sa u përket ndeshjeve të futbollit. Nëse dikush na akuzon për Skënderbeun dhe ka prova, le t’i nxjerrë tymin. Klubi ynë nuk është i përfshirë në baste”.

Bylisi – “Për sa i përket ndeshjes së Bylisit, po ju them që nuk kemi luajtur me formacionin e parë. Ishin tetë titullarë më pak. Personalisht mua nuk më ka pëlqyer ekipi në pjesën e dytë. Federata ka ndërhyrë dhe ka thënë: ‘Shikoni çfarë po bëhet në fushë, atë që e panë të gjithë, koeficientet, poshtë-lart, 2, 4′”.

Katër plus – “Njerëzit e mi më kanë njoftuar se ka një koeficient që ka dalë në kompanitë e basteve dhe ndeshja shkon katër plus. Pra, me shumë gola. Koeficienti ka qenë shumë i lartë dhe njerëzit kanë humbur financat dhe kompanitë e basteve kanë dalë me fitim. Nuk u realizua qëllimi katër plus. Kjo, falë Zotit që më ka ndihmuar mua dhe klubin Tirana, falë portierit tonë Ilion Lika që bëri pritjen e penalltisë. Federata reflektoi apo nuk reflektoi, por u fut në lojë për të dhënë ndihmën që në futbollin shqiptar të mos ndodhin këto gjëra”.

halili tavo

Problemi – “Më vjen keq që kjo ndeshje ka qenë e përfshirë në këtë punë dhe ju them se nuk është arritur qëllimi i qenve, i maskarenjve. E atyre që duan të bëjnë futbollin pis. Ju e keni parë edhe sot (dje) ekipin, që me vetëm dy mungesa ekipi çaloi. Si ka mundësi që unë jam fotografuar duke ulëritur në stadium që nuk ka ndodhur që nga 2004-a me gjeste çnjerëzore? Si ka mundësi që nuk e ka evidentuar një gazetar këtë? Mund të kontrolloni tabulatet e mia dhe kamerat. Kontrolloni kush ka hyrë e kush ka dalë nga stadiumi”.

Reflektimi – “Ekipi ka reflektuar me ndërhyrjet që unë kam bërë. Njerëzit duan të bëjnë pis futbollin shqiptar. Pas kësaj kam takuar zyrtarët dhe u kam thënë të vazhdojmë ta zgjidhim këtë çështje. Më vjen keq që u përfshimë në këtë gjë. Jam i bindur se skuadra jonë nuk ka për të pasur asnjë dënim për këtë çështje. Unë të jap ndeshjen e Kukësit fazën e shkuar. Në minutat e fundit bëmë dy gola. E la ndeshjen Kukësi”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"