EKSKLUZIVE/ “Për momentin Tirana është më mirë se Partizani”, Melo: Po të isha unë, do bëja diferencën në derbi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 24, 2021 | 23:34

EKSKLUZIVE/ “Për momentin Tirana është më mirë se Partizani”, Melo: Po të isha unë, do bëja diferencën në derbi

Uilliam Kordeiro Melo do të mbahet mend për shumë gjëra te Partizani: mënyra e largimit, karakteri që kishte, si dhe golat në derbi, ku Tirana ishte “viktima” e tij e preferuar.

MELO

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Melo flet në vigjilje të derbit të kryeqytetit, duke thënë se po të ishte ai në fushë, pa diskutim që do të bënte diferencën për Partizanin.

Melo, si po ju shkon aventura në Kuvajt dhe si është jeta për ju pas Partizanit?
Karriera ime është në një moment shumë të mirë. Jam përshtatur ashtu siç duhet në Kuvajt dhe më pëlqen pozicioni ku ndodhem për momentin. Ndihem shumë i lumtur.

Ju ka munguar Shqipëria apo futbolli shqiptar?
Të jem i sinqertë, të dyja. Shqipëria është një vend shumë mikpritës dhe jam ndier shumë mirë gjatë viteve që kam qëndruar. Gjithashtu, më pëlqen edhe atmosfera që krijohej në të gjitha stadiumet…

Vazhdoni ta ndiqni kampionatin shqiptar dhe si e shihni derbin mes Tiranës dhe Partizanit?
Po, e ndjek kampionatin shqiptar dhe më duhet të them se për momentin Tirana është më mirë se Partizani. Nuk e di pse Partizani nuk e ka nisur mirë këtë edicion, por megjithatë derbi është derbi, një klasike, dhe ndeshje të tilla vendosen nga detajet apo episodet siç i quajmë në futboll. Sido që të jetë, do të jetë një sfidë e shkëlqyer.

Keni luajtur 7 ndeshje kundër Tiranës dhe keni shënuar 3 gola. A kanë qenë bardheblutë rivali juaj i preferuar?
Shiko, unë motivohem nga ndeshjet e mëdha dhe normalisht, motivimi është shumë më i madh në derbi. Dëshira ime si futbollist, është të shënoj në ndeshje të mëdha dhe të ndihmoj ekipin të fitojë, prandaj janë dhe këto statistika.

A mund ta fitojë Partizani këtë ndeshje derbi? Po titullin kampion?
Siç e thashë edhe më lart, në derbi bëjnë diferencë episodet. Sigurisht që Partizani mund ta fitojë, ndërsa sa i takon titullit, mendoj se është herët, javët e ardhshme do të fillojë edhe ndarja e pozicioneve në tabelë.

Kush mund ta bëjë diferencën në derbi?
Po të isha aty, pa diskutim që unë (qesh)! Por, mendoj se Stenio Zhunior do të bëjë diferencën. Edhe Lukas mund të jepte diçka në këtë derbi, po të mos ishte i dëmtuar.

Parashikim të rezultatit?
(Mendohet…) Do të jetë një sfidë e bukur për t’u parë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"