EKSKLUZIVE/ Penalltia e kontestuar në Korçë, flet Soza: Simulova, nuk më erdhi keq për Flamurtarin (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Maj 29, 2020 | 0:00


EKSKLUZIVE/ Penalltia e kontestuar në Korçë, flet Soza: Simulova, nuk më erdhi keq për Flamurtarin (E PLOTË)

Rafael Soza u thellon plagët vlonjatëve. Argjentinasi që “vodhi” penalltinë e titullit në sezonin 2010-2011, e thotë troç se nuk është penduar që simuloi. Në një intervistë të dhënë ekskluzivisht për “Panorama Sport”, 32-vjeçari kujton se ish-arbitri Lorenc Jemini vërtet gaboi, por ishte meritë e tij që simuloi “mjeshtërisht”. Sulmuesi nuk i kursen as elozhet për Flamurtarin e atij viti, por në fund të fundit me sinqeritet e pranon se nuk i erdhi keq që kuqezinjve u iku titulli nga duart…

SOZA VS FLAMURTARI

Soza, si është situata në Argjentinë për shkak të Koronavirusit?

Shumë keq. Në përgjithësi situata është shumë negative, sepse “COVID-19” po përhapet me shpejtësi. Për fat të mirë, në qytetin ku unë po jetoj nuk ka raste pozitive për momentin dhe jemi disi më të qetë.

Jeni të karantinuar apo mund të dilni?

Karantina ka qenë e alternuar me rregulla të forta dhe lehtësira. Ne mund të dalim në rrugë, por duke zbatuar këshillat dhe rregullat e vendosura

Në Shqipëri ka nisur një debat i nxehtë për sezonin 2011 kur Skënderbeu doli kampion…

I kam ndjekur në gazetën tuaj që të gjitha debatet dhe diskutimet. Vazhdoj të informohem për ato që ndodhin në futbollin shqiptar. Jam i azhurnuar.

Ish-arbitri Jemini ka folur për penalltinë që akordoi për korçarët në ndeshjen kundër Flamurtarit. Ai është penduar për atë gabim, po ju që e fituat?

Unë sigurisht që nuk jam penduar. Të simulosh është pjesë e lojës dhe unë në atë kohë isha duke mbrojtur ngjyrat e Skënderbeut. Kur jam në fushën e lojës, dua thjesht të fitoj dhe nuk ka rëndësi si e bëj.

Mendoni se gabimi i Jeminit ishte i rëndë, apo ju ishit aktor i mirë në atë moment duke e vjedhur penalltinë?

(Qesh)… Sigurisht që ishte një gabim i arbitrit, sepse ajo nuk ishte penallti. Unë bëra gjithçka që të dukej e tillë dhe kërkova që të fitoja 11-metërsh.

Çfarë raporti keni pasur me Jeminin në fushën e lojës? Çfarë arbitri ishte ai?

Lorenco Jemini ka qenë një arbitër i madh dhe në futboll mund të ndodhin gabime të tilla. Është njerëzore që të gabosh në futboll, por mendoj se ai është një nga më të mirët në Shqipëri.

Sa e ndikoi garën për titullin kampion mes Skënderbeut dhe Flamurtarit ajo ndeshje?

Sigurisht që e ndikoi shumë. Pas asaj ndeshjeje rrugëtimi i Skënderbeut drejt titullit kampion ishte i pandalshëm dhe ndryshuam fatet e sezonit.
artan sakaj flamurtari
Por edhe Flamurtari nuk kishte ekip të keq atë vit…

E vërtetë. Ishte një ekip fantastik dhe shumë i fortë. Kanë bërë një sezon të shkëlqyer sepse në ato momente kishin realisht futbollistë cilësorë.

Nuk ju erdhi keq që titulli i Flamurtarit i iku nga duart prej asaj penalltie të paqenë? E doni me sinqeritet?

Sigurisht që jo. Unë isha lojtar i Skënderbeut në atë kohë dhe më interesonte vetëm Skënderbeu. Doja të fitoja me ekipin tim dhe nuk më interesonin skuadrat e tjera

GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL

 




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com