EKSKLUZIVE/ “Pazar” në Superiore, Flamurtari tenton rikthimin e Telushit. Në planet e vlonjatëve edhe…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 13, 2022 | 9:03

EKSKLUZIVE/ “Pazar” në Superiore, Flamurtari tenton rikthimin e Telushit. Në planet e vlonjatëve edhe…

Flamurtari tenton rikthimin e Bruno Telushit. Me të mbyllur bashkëpunimin me Egnatian, ish-kapiteni i vlonjatëve është përfshirë në dëshirat e drejtuesve.

TELUSHI 1

Nuk dihet me saktësi se në çfarë faze janë bisedimet me mesfushorin vlonjat, por ajo çka mëson gazeta “Panorama Sport” është kërkesa e administratorit. Sinan Idrizi e do mesfushorin në Vlorë.

Pas 6 viteve të pandërprera, 31-vjeçari u largua nga kuqezinjtë në vitin 2017 dhe më pas karrierën e ka vijuar në skuadra si Partizani, Kukësi dhe së fundmi Egnatia.

Ndërsa gjatë kësaj periudhe nuk kanë munguar as eksperienca jashtë vendit si ajo me Slaven Belupo në Kroaci apo Neftçin në Azerbajxhan.

Telushi është ndër lojtarët e paktë vlonjatë që nuk i ka hapur punë Flamurtarit. Duke mos qenë nga “ata të gjyqeve”, administratori ia ka lënë derën të hapur dhe ndoshta është ky momenti më i mirë që ish-kapiteni të rikthehet në shtëpi.

Megjithatë, mbetet në dëshirën e Telushit nëse do të preferonte të luante në Kategorinë e Parë, por një sakrificë edhe mund ta bënte për skuadrën ku u rrit.

Magani Artur

MERKATO – Në “ajër” është i gjithë grupi që mbylli sezonin, por me merkaton po lëvizin ama. Ndonëse tregohen hermetikë me emrat, në Vlorë thonë se i kanë mbyllur disa marrëveshje.

Një tjetër i sapolarguar nga Egnatia është në plane dhe bëhet fjalë për Artur Maganin.

27-vjeçari ka eksperiencë të madhe në Kategorinë e Parë, por edhe në shumë skuadra të tjera pasi ka luajtur për Shkumbinin, Gramshin, Kamzën dhe Teutën, por edhe në kampionatin kosovar te Liria, Feronikeli, Ballkani.

Idrizi ka marrëdhënie të mira me trajnerin Gugash Magani që mund të ndikojë në transferimin e të birit te kuqezinjtë.

Në Vlorë presin që javën e ardhshme t’u vijë edhe shkodrani Abdurraman Fangaj, ndërsa në dëshira kanë edhe Denisonin e Dinamos apo Mazrekajn e Laçit, pa përmendur të huajt që po i tentojnë në fshehtësi.

PANKINA – Kjo javë, me sa duket, do të jetë vendimtare për stolin. Gjasat janë të ketë ndryshime, nëse u referohemi deklaratave të Sinan Idrizit, por nuk ka emra konkretë për pasuesin e Dritan Resulit.

Nga ana tjetër, gazeta mëson nga burime konfidenciale se drejtuesit po mendojnë edhe që t’i japin një shans tjetër trajnerit vlonjat.

Në këto kushte, administratori mund të takojë Resulin sot ose nesër për të ndarë gjithçka pasi të ketë parë projektin e tij. Mundësitë e qëndrimit të teknikut që mbylli sezonin janë 50 me 50%.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"