EKSKLUZIVE/ Derbi ndaj Partizanit, Patrik Bardhi: Jemi në lojë, për kualifikimin shanset 50 me 50

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 28, 2022 | 20:42


EKSKLUZIVE/ Derbi ndaj Partizanit, Patrik Bardhi: Jemi në lojë, për kualifikimin shanset 50 me 50

Patrik Bardhi zhvilloi derbin e dytë radhazi si titullar në formacionin e Dinamos. Këtë herë ai ishte protagonist me penalltinë e fituar, por edhe me lojën e tij, duke sakrifikuar për skuadrën në fundin e ndeshjes, kur luajti mbrojtës i djathtë.

PATRIK BARDHI 1

Pas ndeshjes sulmuesi anësor ka dhënë një intervistë për “Panorama Sport”, ku ka theksuar se Dinamo është plotësisht në lojë për kualifikimin për në gjysmëfinale.

Patrik, derbi i dytë radhazi si titullar, pas atij me Tiranën. Çfarë gjykimi keni për veten dhe skuadrën për këto dy ndeshje?

Derbet janë gjithmonë ndeshje të rëndësishme dhe të vështira. Unë mendoj se Dinamo luajti mirë edhe ndaj Tiranës dhe meritonte më shumë, nuk i takonte humbja në atë ndeshje. Edhe sot jemi përpjekur, pavarësisht problemeve që na u krijuan para ndeshjes.

Kemi marrë një barazim të merituar dhe që mendoj se i përgjigjet lojës që zhvilluan dy skuadrat. Ishin fragmente që e vendosën ndeshjen. Nuk mund të them nëse ishte më e vështirë me Tiranën apo me Partizanin, sepse derbi është gjithmonë derbi. Për veten do të thosha se jam përpjekur të jap gjithçka në fushë.

Sa shanse kualifikimi ka Dinamo pas këtij barazimi?

Them se jemi plotësisht në lojë për ndeshjen e kthimit. Shanset e kualifikimit janë të barabarta, 50 me 50, kështu që ne besojmë se mund të kalojmë më tej. Shpresojmë ta fitojmë ndeshjen e kthimit, duke dhënë më shumë se 100%.

Mund të guxonit pak më shumë sot (dje), sidomos kur skuadrat u hapën në fund?

Mund të guxonim, por siç e patë, trajneri ishte i detyruar të bënte disa ndërrime për shkak të gjendjes fizike të disa lojtarëve. Unë nga sulmues i djathtë, u ktheva mbrojtës i djathtë. Besoj se bëmë një ndeshje të mirë dhe jam i kënaqur me performacën e ekipit. Ndeshja me Tiranën ishte shumë afër dhe po ashtu kemi një ndeshje tjetër me Egnatian shumë afër.

Ju ka munguar goli?

Po, më ka munguar shumë dhe uroj dhe shpresoj ta gjej sa më parë. Kur shënon, një sulmues ndihet gjithmonë më mirë, por rëndësi që të fitojë skuadra. Do të stërvitem më fort që të jem më i qartë para portës, sepse kam pasur mundësitë për të shënuar.

Sa ka ndryshuar kjo Dinamo pas merkatos së janarit?

Kemi ndryshuar pozitivisht, është e qartë dhe e kanë treguar tri ndeshjet që kemi luajtur deri tani.

PANORAMASPORT.AL