EKSKLUZIVE/ Pashk Laska: Transferimi i Uzunit u rrezikua në minutat e fundit, Laçi për titull (E plotë)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 6, 2018 | 20:21

EKSKLUZIVE/ Pashk Laska: Transferimi i Uzunit u rrezikua në minutat e fundit, Laçi për titull (E plotë)

Laçi ka kryer një nga transferimet më të bujshme të kësaj vere. Myrto Uzuni, djaloshi beratas, që erdhi pa shumë bujë nga Apolonia një sezon më parë, u transferua te Lokomotiva e Zagrebit për shifrën e 350 mijë eurove. Rekord për kurbinasit dhe pa dyshim një shifër që bën xhelozë edhe gjigantët e kampionatit si Tirana e Partizani, por edhe “specialistët” e Skënderbeut, që kanë dominuar në skenën e merkatos dekadën e fundit.

Shitja e Uzunit, starti i mirë dhe një bosht solid lojtarësh e kanë bërë presidentin e klubit, Pashk Laska, që në intervistën për “Panorama Sport”, të bëjë një premtim të guximshëm: “Këtë vit do të luftojmë për titullin”. Hera e parë që e thotë këtë publikisht. Duket mision i vështirë, por pasi ka fituar dy herë kupën, pasi ka lënë Partizanin pas në renditje sezonin që shkoi dhe me Skënderbeun e dobësuar, fundja pse të mos pretendojë edhe Laçi titullin…

Laska me lojtaret fitojne kupen

Laska, ç’do të thotë shitja e Uzunit për një klub si Laçi?

Do të thotë që jemi në rrugën e duhur dhe se i kemi bërë mirë gjërat deri tani. Laçi është një klub që punon me kujdes dhe i mbështet të rinjtë.

Uzuni ishte shitja e parë e madhe klubit tuaj, a ka shanse të përsëritet së afërmi me ndonjë tjetër lojtar?

Duhet të bëjmë një korrigjim këtu: Uzuni është lojtari i dytë që shesim në 5 vitet e fundit. Kemi shitur Xhejmsin te Skënderbeu, gjithashtu me një shumë të pëlqyeshme për mundësitë që kemi pasur dhe për realitetin tonë. Ah, po, Uzuni është i pari që transferohet jashtë Shqipërisë, por jo i pari futbollist që shitet nga Laçi… Sa u përket të tjerëve në të ardhmen, ne do të punojmë seriozisht, sepse gjithmonë u kemi dhënë prioritet të rinjve. Kështu është formuar klubi që të funksionojë.

Kush e mundësoi kalimin e Uzunit te Lokomotiva?

Bisedimet për transferimin e Uzunit kanë zgjatur afro dy muaj dhe në shumë momente ka rrezikuar të dështonte. Fatmirësisht, për të gjitha palët, arritëm një marrëveshje, e cila ka përfunduar në minutën e fundit dhe gjatë të gjithë kohës së këtyre bisedimeve, menaxheri Bode nuk ka qenë në asnjë rast pjesë e tyre. Për këtë arsye ndiej keqardhje kur deklaron se ky transferim është kryer prej tij.

Çfarë objektivash ka Laçi këtë sezon?

Objektivi i Laçit këtë sezon është që të shpallet kampion.

Seriozisht?

Po, seriozisht! Hera e parë që po e them troç: Laçi këtë sezon do luftojë për titullin kampion.

JORGIS MEMO

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"